Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Filip Gordon, reagoi dje nëpërmjet një deklarate zyrtare për situatën në Shqipëri.Në këtë deklaratë, zyrtari i lartë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës shprehet se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të kryejë punën e tij në mënyrë transparente, në përputhje me ligjin dhe të sigurojë integritet në mandatin e tij. “Është gjithashtu e rëndësishme që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të kryejë punën e tij në mënyrë konsekuente dhe transparente, në përputhje të plotë me ligjin, me qëllim që të vendosë besim dhe të sigurojë integritetin e mandatit të tij”, thuhet në këtë deklaratë zyrtare. Më tej, deklarata e ndihmës sekretarit të shtetit, Gordon, thotë se politikanët shqiptarë duhet të angazhohen në veprime të denja për një vend që do të jetë anëtar i BE-së, veprime që i shërbejnë procesit aktual. “Politikanët e Shqipërisë duhet të përqendrohen në angazhimin konstruktiv – veprime që i shkojnë për shtat një anëtari të ardhshëm të Bashkimit Europian – dhe jo në retorikë apo veprime negative, të cilat shërbejnë vetëm për të denigruar procesin. Populli shqiptar meriton një demokraci të qëndrueshme e të begatë, e cila bazohet mbi vlerat universale dhe shtetin ligjor”, thotë më tej deklarata. Ndihmës sekretari i Shtetit shprehet më tej se SHBA-të bëjnë thirrje që të hiqet dorë nga aktet e dhunës dhe të ruhet qetësia, sepse në të kundërt do të kërcënohej e ardhmja e Shqipërisë. “Shtetet e Bashkuara kanë ndjekur nga afër zhvillimet në Shqipëri qysh nga zgjedhjet e 8 majit. U bëjmë thirrje udhëheqësve dhe anëtarëve të të gjitha partive politike, të respektojnë procesin zgjedhor dhe të ruajnë qetësinë. Dhuna dhe retorika që kërcënon apo nënkupton dhunë nuk është me vend dhe do të kërcënonte të ardhmen e Shqipërisë”, përfundon deklarata zyrtare e zyrtarit të lartë amerikan.
Takimi
Nga ana tjetër, trojka e ambasadorëve në Shqipëri e kryesuar nga ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu, përfaqësuesi i KE-së Etore Sekui dhe ambasadori i OSBE-së Eugen Wollfarth, zhvilluan dje pasdite një takim më kreun e opozitës Edi Rama. Takimi, i cili vijoi për më shumë se dy orë me dyer të mbyllura në selinë e PS-së, u prit me një reagim të shkurtër të ambasadorit amerikan Arvizu në fund të takimit. Arvizu theksoi rëndësinë e të punuarit brenda kuadrit ligjor, deklaratë e cila u mbështet edhe nga kreu i misionit të OSBE-së, Eugen Wollfarth. “Qytetarët shqiptarë duhet të ruajnë qetësinë dhe të presin rezultatin që do të jepet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”, tha Arvizu për mediat. Ndërsa ambasadori tha se duhet të priste me durim rezultatin për kryeqytetin, ndërsa paralajmëroi se mbeten edhe dy ditë për të mbërritur në këtë rezultat. Vizita e tre ambasadorëve më të rëndësishëm të akredituar në vendin tone erdhi 3 orë pas thirrjes që i bëri lideri socialist faktorit ndërkombëtar për të ndërhyrë dhe për të mos lënë qytetarët shqiptarë vetëm në këtë situatë të vështirë.
Volfarth me kryeprokuroren: Askush nuk qëndron mbi ligjin
Ambasadori i OSBE-së, Eugen Volfarth, zhvilloi dje një takim me kryeprokuroren, nga ku deklaroi se nevojitet një punë me profesionalizëm dhe ligjore në KQZ. “Ajo që është e rëndësishme tani është transparenca e vazhdueshme që sigurohet përmes mediave dhe tani po i referohem procesit pas-zgjedhor në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Edhe aty nevojitet të punohet profesionalisht e në mënyrë të pavarur, duke u bazuar vetëm në shtetin e së drejtës. E përsëris se askush nuk duhet të qëndrojë mbi ligjin dhe bëj thirrje për respektim reciprok, duke filluar me respektimin e ligjit, por duke respektuar gjithashtu edhe punën e mirë të policisë”, tha Volfarth. Ai u shpreh më tej se “ngjarje të rëndësishme kanë ndodhur këtu në këtë vend që prej muajit janar 2011, disa prej të cilave kërkojnë një shqyrtim ligjor dhe analizë juridike dhe kjo analizë e pavarur përbën një gjë shumë të rëndësishme”. Ai shtoi se askush nuk mund të dalë mbi ligjin. “Është shumë e rëndësishme që shteti i së drejtës në këtë vend, në Shqipëri, do të thotë gjithashtu se askush nuk duhet të dalë mbi ligjin, ligji duhet të jetë saktësisht njësoj për të gjithë dhe duhet të zbatohet njësoj nga të gjithë. Por, kryesore është që institucionet kryesore të shtetit, parashikuar në Kushtetutën e vendit, të mund të punojnë në mënyrë të pavarur dhe siç duhet, pa presione nga jashtë”, tha ambasadori i OSBE-së.
KE: KQZ, një rol kyç në proces
Zëdhënësja Natasha Butler e komisionarit për Zgjerimin, Stefan Fule, deklaroi dhe se KQZ duhet të ketë një rol të pavarur e kyç në këtë proces. “Ne të gjithë kemi kthyer një sy tashmë drejt transparencës së procesit. Roli i KQZ-së në veçanti është që të kthehet në rolin kyç, që është ai i institucionit të pavarur në këtë proces. Ka një rol kyç për të luajtur prandaj po e vëzhgojmë nga shumë afër. Është e rëndësishme që ky proces të zhvillohet absolutisht i lirë nga ndërhyrjet politike. Ju e dini se nuk mund të ketë dy rezultate të ndryshme për këto zgjedhje, prandaj rezultati duhet të publikohet pa asnjë vonesë dhe të gjithë hapat duhen ndërmarrë në respektim të plotë të rregullave dhe procedurave”, u shpreh Butler.
Ministrat e Jashtëm ballkanikë: Palët të vendosin dialogun
Tre ministra të Jashtëm të Ballkanit, përkatësisht ai i Greqisë, i Bullgarisë dhe Sllovenisë, shprehën shqetësim për situatën e krijuar në Shqipëri pas zgjedhjeve lokale të 8 majit. “Rezultati i ngushtë në Tiranë, klima e polarizuar, mungesa e besimit mes qeverisë dhe partive opozitare do të thotë që të gjitha palët duhet të bëjnë përpjekjet e nevojshme për të sheshuar divergjencat në frymën e dialogut dhe marrëveshjes. Prioriteti parësor duhet të jetë ruajtja e ligjshmërisë dhe besueshmërisë së procesit të numërimit të votave. Ne u bëjmë thirrje të gjithë liderëve politikë që të tregojnë vetëpërmbajtje qoftë në deklaratat, qoftë në veprimet e tyre. Shmangia e dhunës dhe dhënia e kontributit për normalizimin e situatës është përgjegjësia e tyre primare”, thuhet në deklaratën e përbashkët të tre ministrave të Jashtëm.
ERALD KAPRI
© Panorama.al











