
Shtetet e Bashkuara të Amerikës shprehin shqetësimin e tyre për ngërçin politik në vend pas zgjedhjeve lokale të 8 majit.Ambasadori i Shteteve të Bashkuara pranë OSBE-së, Ian Kelly, tha se qeveria amerikane vazhdon të jetë e shqetësuar nga pasojat e ngërçit politik në Shqipëri pas procesit elektoral, që po pengon më tej reformat që duhet të kryejë Shqipëria për të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian. Diplomati nga Uashingtoni i bëri këto komente në takimin e Këshillit të Përhershëm të OSBE-së në Vjenë.
Apeli
Në fjalën e tij, ambasadori i SHBA-ve i bëri thirrje Partisë Socialiste të jetë aktive në Parlament, ndërsa për qeverinë apeloi për të krijuar klimë politike gjithëpërfshirëse. “Shtetet e Bashkuara përshëndesin vendimin e Partisë Socialiste për t’u kthyer në Parlament. Uashingtoni i bën thirrje Partisë Socialiste të përmbushë angazhimin e saj për një pjesëmarrje të plotë dhe aktive në Parlament, si dhe i bën të njëjtën thirrje koalicionit qeverisës të krijojë një klimë politike më gjithëpërfshirëse”, u shpreh më tej ambasadori. Në të njëjtën kohë ai shprehu shqetësimin e qeverisë së tij lidhur me korrupsionin në Shqipëri, që, siç u shpreh ai, “vazhdon të mbetet problematik”. Sipas diplomatit amerikan, “disa hapa në drejtimin e duhur janë marrë, si përputhja e legjislacionit shqiptar me atë ndërkombëtar për antikorrupsionin, si dhe vendosja e sistemit elektronik të tenderimeve”. Por, theksoi ambasadori Kelly, lufta kundër korrupsionit mund të ketë sukses vetëm nëse palët nuk e përdorin atë për të siguruar përfitime partiake. “Shqipëria ka arritur përparime në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të qenieve njerëzore. Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria kanë marrëdhënie të shkëlqyera dhe të dyja vendet janë të angazhuara t’i forcojnë më tej lidhjet mes qeverive dhe popujve të tyre”, tha ambasadori amerikan në OSBE, Ian Kelly, në fjalën e tij para Këshillit të Përhershëm të OSBE-së në Vjenë. Për të tejkaluar ngërçin politik, gjatë javës së ardhshme do të vijë në Tiranë ministri i Jashtëm i Italisë, Franko Fratini dhe ai i Greqisë, Stavros Lambrinidis. Misioni i tyre është i koordinuar me Bashkimin Europian dhe bashkë me ta gjatë takimeve do të jetë edhe ambasadori i delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Etore Sekui. Më 12 shtator ata do të jenë në Tiranë dhe do të zhvillojnë takime me politikën shqiptare për t’i kujtuar Shqipërisë detyrimet që ajo ka ndaj Brukselit dhe ta nxisin atë për përmbushjen e shpejtë të tyre, duke qenë se në muajin tetor, Komisioni Europian do të paraqesë opinionin e tij mbi kërkesën për statusin e vendit kandidat. Synimi është që të nxisin dialogun politik në vend dhe përshpejtimin e reformave të nevojshme për përparimin e vendit në procesin e integrimit.
Raporti: Urgjent Kodi Zgjedhor
“Ekziston, gjithashtu, edhe një nevojë urgjente për të pasur një Kod Zgjedhor, të cilin, të gjitha palët të mund ta lexojnë njëlloj. Duke pasur parasysh zvarritjen e shpeshtë të reformave të mëparshme zgjedhore dhe zgjedhjen e Presidentit nga Kuvendi, të planifikuar për në vitin 2012, ende ekziston potenciali për sfida të mëtejshme”, thuhet në raportin e ambasadorit Volfarth.
OSBE: Reforma ose mllef politik
Ambasadori i OSBE-së në vendin tonë, Eugen Volfarth, tha në raportimin para Këshillit të Përhershëm, se vitin e ardhshëm Shqipëria do të duhet të zgjedhë ose rrugën e reformave, ose atë të mllefit politik. “Mesazhi është i thjeshtë: “Mjaft kohë është humbur deri tani. Nëse vërtet doni t’í tregoni publikut shqiptar dhe partnerëve tuaj ndërkombëtarë se i merrni seriozisht përgjegjësitë dhe detyrimet tuaja, atëherë na duhet të shohim një kthim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm në gjuhën e dialogut, si dhe një vullnet të sinqertë për kompromis, me qëllim çuarjen përpara të axhendës së reformave. Viti që vjen do të ndajë se ku do të duan ta çojnë Shqipërinë liderët e saj politikë: në drejtim të reformave, progresit dhe prosperitetit kombëtar, apo do ta zhysin në një spirale zvarritjesh, amullie dhe mllefi politik. Çështja është shumë e thjeshtë. Zgjidh e merr!”, thotë ambasadori në raportimin përpara Këshillit të Përhershëm.
© Panorama.al











