SHBA miraton shitjen e pjesëve ushtarake për Tajvanin me vlerë 330 milionë dollarë

Nov 14, 2025 | 8:55

Departamenti i Shtetit ka dhënë miratimin për një marrëveshje të re ushtarake me Tajvanin, që përfshin shitjen e pjesëve rezervë dhe shërbimeve mbështetëse për flotën e avionëve luftarakë dhe transportues të ishullit.

shba shet arme Tajvanit

Vlera totale e paketës arrin në 330 milionë dollarë, njoftoi qeveria amerikane, raporton Reuters.

Sipas Agjencisë së Bashkëpunimit për Sigurinë e Mbrojtjes (DSCA), marrëveshja parashikon furnizimin me pjesë dhe materiale riparimi për avionët F-16, transportuesit C-130, si dhe për avionët e prodhuar në Tajvan.

Paketa përfshin gjithashtu shërbime teknike dhe mbështetje logjistike.

“Shitja e propozuar është në përputhje me ligjin dhe politikën e SHBA-së”, thekson DSCA në deklaratën e saj zyrtare.

Edhe pse Uashingtoni zyrtarisht njeh Pekinin dhe jo Tajvanin, SHBA mbetet mbështetësi kryesor i ishullit në aspektin diplomatik dhe njëkohësisht furnizuesi më i madh i pajisjeve të tij ushtarake—një pikë e nxehtë në marrëdhëniet amerikano-kineze, të cilat vazhdojnë të tensionohen për çështjen e Tajvanit.

© Panorama.al

Te lidhura