
PRISHTINE- Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka mirëpritur marrëveshjen e arritur së fundi për menaxhimin e integruar të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Qeveria e Kosovës, thuhet në komunikatën e ambasadës së SHBA-së “ka treguar maturi dhe fleksibilitet në arritjen e kësaj marrëveshjeje me Serbinë”.
Kjo marrëveshje, sipas Ambasadës Amerikane, mbron dhe avancon interesat e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur.
“Marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufijve (MIK) mbështetet në mirëkuptimin e shtatorit 2011 ndërmjet Kosovës dhe BE-së e KFOR-it që ka vendosur kontrollin doganor dhe kufitar në pikat veriore kufitare të Kosovës dhe ka garantuar që Kosova do të ushtrojë kontroll mbi të gjitha kalimet e saj kufitare. Marrëveshja për MIK po ashtu siguron që zyrtarët doganorë dhe kufitarë të Kosovës do të qëndrojnë në portat veriore për të ushtruar mandatin e tyre sipas ligjit të Kosovës”.
Në komunikatë po ashtu theksohet se, tani është koha që edhe bllokadat e tjera ilegale të rrugëve në pjesën veriore të Kosovës të hiqen.
“Ato bllokada të rrugëve po pengojnë KFOR-in dhe EULEX-in për të ushtruar përgjegjësitë e tyre anekënd Kosovës në pajtim me mandatet e tyre përkatëse. Shtetet e Bashkuara kanë qenë të qarta se duhet të ketë liri të lëvizjes pa kusht kudo nëpër Kosovë për të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe për të gjithë qytetarët e Kosovës”
© Panorama.al











