Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump ka pësuar një tjetër pengesë për politikat e tij të imigracionit.
Gjykata Supreme hodhi poshtë kërkesën e presidentit amerikan për të vendosur trupa të Gardës Kombëtare në Illinois, konkretisht në Chicago, pavarësisht kundërshtimeve të forta nga autoritetet lokale.
Vendimi ndau gjashtë gjyqtarët konservatorë të Gjykatës Supreme, me tre pro dhe tre kundër vendosjes. Tre gjyqtarët liberalë mbështetën ata që ishin kundër.
Edhe pse vendimi është paraprak dhe ka të bëjë vetëm me Chicagon, ai ka të ngjarë të forcojë argumentet në gjykata të atyre që kundërshtojnë vendosjen e ushtrisë në qytete të tjera, siç është kryeqyteti Uashington.
Lëvizja e Trump për të vendosur Gardën Kombëtare në Chicago u bazua në vlerësimin e administratës së tij se qyteti dhe zona përreth po zhyteshin në kaos dhe paligjshmëri. Por autoritetet lokale, si Guvernatori Demokrat i Illinois, J.B. Pritzker, e akuzuan presidentin se kishte një motiv të fshehtë: ndëshkimin e kundërshtarëve të tij politikë.
Në dokumentet e gjykatës, shteti i Illinois dhe qyteti i Chicagos argumentuan se thirrja e Trump në ligjin federal nuk ishte e justifikuar dhe se veprimet e tij shkelën gjithashtu Amendamentin e Dhjetë të Kushtetutës, i cili vendos kufizime në pushtetin federal.
© Panorama.al












