Dy njerëz humbën jetën dhe një i tretë është i plagosur rëndë për shkak të të shtënave që nisën papritur dje pasdite në universitetin “Virginia Tech”. Një polic i “Virginia Tech” ndaloi një makinë në parkimin e kampusit të universitetit për një kontroll rutinë dhe u qëllua. Më pas, i dyshuari ka ecur në këmbë dhe rrugës ka qëlluar viktimën e dytë. Të shtënat kanë vazhduar gjatë dhe u regjistrua edhe një viktimë e tretë brenda territorit të kampusit në “Johnson Hall”. Në universitet u dha alarmi dhe nxënësit e mësuesit u paralajmëruan të qëndronin brenda në klasa dhe të mbyllnin dyert me çelës. “Virginia Tech” njihet për goditjen e shpeshtë nga fatkeqësi të tilla. Në vitin 2007, për shkak të të shtënave masive në këtë universitet humbën jetën 33 persona. Vdekja më masive në historinë moderne të SHBA-së.
I dyshuari u përshkrua si një mashkull i bardhë dhe me kapele gri dhe çantë shpine. Ka pasur raportime konfliktuale nëse ai ka qëlluar me një pistoletë apo “armë të gjatë”. Në sektorin ku besohej se ai ishte fshehur, në “Performance Arts Building”, u mblodhën agjentë të FBI-së, por më pas rezultoi se informacioni për vendndodhjen e tij kishte qenë i rremë. Universiteti lëshoi një deklaratë zyrtare ku thuhej: “Pak pas mesditës, një polic i‘Virginia Tech’ ndaloi një makinë në kamp gjatë një kontrolli rutinë. Oficeri u qëllua dhe humbi jetën”. Të shtënat ndodhën në të njëjtën ditë kur “Virginia Tech” po apelonte gjobën 55000 dollarë të vendosur nga Departamenti Amerikan i Edukimit mbi mënyrën se si iu përgjigj universiteti të shtënave të vitit 2007, kur një student i armatosur vrau 32 shokët e tij e më pas qëlloi veten.











