Shantazhi me 258 telefonata në ditë

May 8, 2011 | 11:47

“Mbaje mend si do t’i shkojë fundi kësaj historie. Ky është vetëm fillimi. Ti ke marrë të dashurën e shokut tim. Ne kemi investuar për atë femër.E kemi futur në punë, e kemi mbajt me lekë… Në polici shko sa të duash, se nuk pyes për polici. Do ta shohësh se çfarë do të të bëj…”.
Një histori dashurie mes një biznesmeni kryeqytetas dhe një punonjëseje të Ministrisë së Brendshme në gusht të vitit 2009, ishte kthyer një “ferr” të vërtetë për të dy protagonistët e këtij raporti. Shkak ishin mesazhet dhe telefonatat kërcënuese që merrnin nga njerëz të panjohur. Gjykata e Tiranës mbylli pak ditë më parë gjykimin në ngarkim së akuzuarës si autoren e këtyre kërcënimeve, një 26-vjeçare, lindur dhe banuese në Tiranë. D. B. u shpall fajtore nga Gjykata për akuzën e “përdorimit me keqdashje të thirrjeve telefonike” dhe u dënua me 150 mijë lekë gjobë. Për shkak se në Gjykatën e Tiranës u gjykua me kohë të shkurtuar, ajo përfitoi uljen e një të tretës së dënimit dhe përfundimisht u dënua me 100 mijë lekë gjobë. Referuar vendimit të shpallur nga gjyqtarja Regleta Panajoti, gjithçka ka ndodhur në verën e vitit 2009, ku i dëmtuari E. S. është “bombarduar” nga SMS dhe telefonata kërcënuese nga disa numra të panjohur. Sipas vendimit të Gjykatës, vetëm nga një prej tyre kishte marrë në një ditë-natë 258 telefonata anonime. Ndërsa nga një numër tjetër, në një periudhë 2-javore, i pandehuri kishte marrë 426 telefonata dhe 267 SMS. Forma e kërcënimit ishte thelluar më shumë për të dëmtuarin E. S. kur pranë shtëpisë së tij është vendosur një “lajmërim vdekjeje” me foton e tij dhe numrin e tij të telefonit. Pas identifikimit dhe më pas vënies nën akuzë të 26-vjeçares D. B., ajo nuk ka pranuar autorësinë e telefonatave. Më pas, gjatë shqyrtimit gjyqësor, nëpërmjet avokatit, ajo ka pranuar autorësinë e veprës. “Telefonatat e bëra gjatë ditës dhe natës dhe mesazhet kërcënuese dhe fyese tregojnë dhe provojnë faktin se telefonatat dhe mesazhet i kanë prishur qetësinë të dëmtuarit dhe këto veprime janë keqdashëse, pasi në përmbajtjen e mesazheve përdoren fjalë dhe kërcënime që vlerësohen si të tilla nga gjykata”, thuhej në vendimin e Gjykatës. Në vijim zbardhet pjesa argumentuese e vendimi gjyqësor në ngarkim të D. B.

Ngjarja sipas Gjykatës
Më datë 27.08.2009, shtetasi E. S. ka depozituar kallëzimin e tij pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Ai ka deklaruar se është administrator i një shoqërie tregtare dhe prej një kohe të shkurtër është njohur me një vajzë me emrin A. B., e cila është e punësuar në një nga drejtoritë e Ministrisë së Brendshme, me të cilën ka pasur edhe lidhje dashurie. Kallëzuesi E. S. disponon numrin telefonik 06920xxxxx, numër të cilin e ka në përdorim prej një periudhe 10-vjeçare. Për një periudhë afro 3-javore, rreth këtij momenti kohor (gusht 2009), ai ka pasur shqetësime nga telefonata anonime nga disa numra celulari të identifikuar, si dhe nga disa numra anonimë. Disa herë telefonatat ndërpriteshin sapo ai hapte telefonin. Më datë 23.08.2009 ai ka marrë një telefonate nga një numër fiks me dialekt verior, i cili i ka thënë se “… me atë personin që po rri tani, shiko mirë, mos u përzi, sepse ai njeri i përket tjetërkujt. Do të kesh pasoja. Atë person e kanë ndihmuar të tjerët për të filluar në atë vend pune…”. Mbas telefonatës së kallëzuesit numri që i kishte telefonuar i është përgjigjur: “… Tani nuk të takoj, por do të shihemi shumë shpejt…”

* * *
Më datë 26.08.2009, numrit të tij telefonik, gjatë gjithë natës dhe ditës i kanë ardhur rreth 258 telefonata anonime, prej disa sekondash, disa prej të cilave ai u është përgjigjur, ndërsa disa thirrje të tjera, sapo ka hapur telefonin, nuk është përgjigjur njeri. Për të gjithë periudhën vijuese (kryesisht në datën 26.08.2009), ai ka marrë mesazhe fyese nga numri telefonik 068 43xxxxx, me përmbajtje të ulët morale, tej një fjalori komunikimi normal. I shqetësuar nga ky fjalor i ulët, E. S. i ka telefonuar numrit nga i ishin dërguar SMS-të dhe ka marrë si përgjigje: “… Ti je E.S. Mbaje mend si do t’i shkojë fundi kësaj historie. Ky është vetëm fillimi. Ti ke marrë të dashurën e shokut tim. Ne kemi investuar për atë femër, e kemi futur në punë, e kemi mbajt me lekë …”. Mbas mesazheve fyese kallëzuesi ka marrë nga i njëjti numër mesazhin: “… Në polici shko sa të duash, se nuk pyes për polici. Do ta shohësh se çfarë do të të bëj…”. Po kështu kanë vazhduar edhe telefonatat që janë bërë shqetësuese si për atë, ashtu dhe për të dashurën e tij, shtetasen A. B. Kështu, më dt.27.08.2009 ai kishte marrë rreth 58 telefonata anonime, sikundër janë edhe thirrjet nga numri 068 53xxxxx, numër nga i cili i kanë ardhur thirrje kërcënuese dhe fyese. I ndodhur në këtë situatë, ai ka depozituar kallëzimin e tij duke sqaruar njëherazi se nga burime konfidenciale, personi që dispononte numrat telefonike që shqetësonin kallëzuesin ishin në disponim të shtetasit Ervin M., me banim Hot i ri – Rrethinë Shkodër, si dhe një shtetas tjetër po me emrin Ervin M., banues në Tiranë. Nga këqyrja që i është bërë telefonit të shtetasit E. S. më datë 27.08.2009, sipas procesverbalit përkatës, janë fiksuar thirrjet e marra në numrin e tij telefonik të bëra, ndërmjet të tjerave, edhe nga numri telefonik 068 43xxxxx. Ky numër ka telefonuar tri herë. Edhe në rubrikën e SMS-ve (mesazhe), janë dërguar po nga ky numër mesazhe fyese e kërcënuese më datë 26. 08. 2009. Nga këqyrja e përmbajtjes së mesazheve kanë rezultuar dy mesazhe të kësaj date me përmbajtje dhe fjalë tej komunikimit normal, përdorimi i fjalëve fyese dhe kërcënuese. Ka rezultuar gjithashtu se më datë 07.10.2009, po kallëzuesi E. S. ka depozituar pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë kallëzimin se persona të paidentifikuar kanë vendosur pranë ambienteve të shtëpisë së tij një fletë formati A4 me tekstin “Njoftim vdekje” në emër të kallëzuesit E. S., e shoqëruar me fotografinë e tij, ku si numër për të pritur ngushëllimet janë vënë numrat telefonike të kallëzuesit E. S.

* * *
Gjatë hetimit janë administruar, në kuadër të Vendimit Nr. 104, dt. 26.09.2009 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë (i cili ka vlerësuar Vendimin e datës 24.09.2009 të Prokurorisë mbi lejimin e përgjimit). Përmbajtja e CD-ve të përftuara nga përgjimi për numrat telefonikë 069 20xxxxx në përdorim të kallëzuesit E. S. dhe numrit 06843xxxxxx, në emër të shtetasit Ervin M., nga ku ka rezultuar se numri i regjistruar në emër të shtetasit Ervin M. ka bërë 426 telefonata dhe 267 SMS për periudhën 24.09.2009 – 09.10.2009, në drejtim të numrit të kallëzuesit E. S. Po kështu, nga ky numër u janë dërguar të afërmve të E. S. mesazhe fyese dhe kërcënuese. Nga informacioni i përftuar ka rezultuar se numrat telefonikë 06843xxxxx, 06853xxxxx, 06843xxxxx janë përdorur në dy aparate telefonike. Është pyetur gjatë hetimit shtetasi Ervin M., i cili rezulton se kishte tërhequr numrat telefonikë të sipërpërshkruar. Ai e ka mohuar faktin se këta numra të jenë tërhequr nga ai. Ka rezultuar gjithashtu, gjatë hetimit, se pasaporta në emër të tij, me të cilën janë tërhequr edhe numrat e mësipërm telefonikë, rezulton në DPPSH me statusin e “humbur” dhe ky shtetas, nga data 01.08.2007, është pajisur me pasaportë të re. Gjatë hetimit ka rezultuar gjithashtu se pasaporta në emër të shtetasit Ervin M. është përdorur nga shtetas të paidentifikuar për blerjen e numrave telefonikë, të cilët kanë dërguar thirrje telefonike dhe SMS fyese e shqetësuese ndaj shtetasit E. S.

* * *
Organi i Prokurorisë nuk ka bërë të mundur identifikimin e personave që kanë blerë numrat telefonikë në kushtet kur nuk janë gjetur origjinalet e formularëve pranë pikave të shitjes së numrave telefonikë, me qëllim nënshtrimin e ekspertimit grafik të nënshkrimit të personave të dyshuar për blerjen e këtyre numrave.
Ka rezultuar gjithashtu, gjatë hetimit, se aparatet telefonike me numrat IMEI të sipërcituar janë përdorur për periudhën kohore 01.08.2009 deri më dt. 30.11.2009 nga abonenti 069 20xxxxx, numër telefonik, i cili ka qenë në posedim të së pandehurës D. B., aktivizuar më dt. 16.09.2006 dhe që vazhdon të jetë në zotërim të kësaj të pandehure. E pyetur në cilësinë e personit që tregon rrethana të dobishme të hetimit, më dt. 13.04.2010, e pandehura ka deklaruar se asnjëherë nuk ia ka dhënë telefonin e saj personave të tjerë dhe asnjëherë nuk ka përdorur për të telefonuar aparat telefonik tjetër. Më dt. 31.05.2010, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka marrë të pandehur D. B., duke e akuzuar për veprën penale të parashikuar nga neni 275 i Kodit Penal. E pyetur në cilësinë e së pandehurës, ajo nuk e ka pranuar autorësinë e veprës. Nuk ka pranuar të japë shpjegime, duke deklaruar se shpjegimet e saj do t’i jepte përpara gjykatës. Gjatë gjykimit, avokati saj mbrojtës, në përputhje me aktin e saj të përfaqësimit, ka pranuar autorësinë e veprës.

 

ARMAND BAJRAMI

© Panorama.al

Te lidhura