Shëndeti i Tiranës dhe ai i banorëve të saj janë pazgjidhshmërisht të ndërvarur nga njëri-tjetri. Qyteti dhe banorët e tij kanë mundësinë e lumtur apo fatale që të jenë krijues, shpëtues ose, përkundrazi, dëmtues e vrasës të shëndetit të njëri-tjetrit. Tirana, si çdo qytet që funksionon, prodhon e jeton, nuk është siç mund të duket nga jashtë: një grumbull rrëmuje ndërtesash e tullash, betoni dhe asfalti të shtrira në prehër të “Dajtit”. Ajo është qenie e gjallë, që merr frymë, rritet, konsumon, ndryshon, gumëzhin, hesht, fle, zgjohet, qesh dhe ulërin. Si çdo qytet, ajo është një lloj “animal” i dobishëm, miqësor e xheneroz me njerëzit, u dhuron atyre shëndet, kënaqësi e një numër të madh të mirash bashkë me vite suplementare jete; por u krijon edhe rreziqe, dëme, helme, brenga, aksidente, sëmundje dhe vdekje të parakohshme. Qyteti “animal”, edhe kur duket i këndshëm nga jashtë, nëse lihet pas dore, bëhet “kuçedër”, dëmton shëndetin dhe shkurton jetën e njerëzve. Qyteti mund të vrasë njerëz. T’i “hajë” banorët e tij. Shpesh heshtazi dhe shumë syresh njëherësh. Kjo nuk është fantashkencë. Është një evidencë shkencore e mirëprovuar. Tirana jonë vuan dukshëm shëndetësisht, është e sëmurë, dhe fatkeqësisht po i sëmur qytetarët e saj, po ua shkurton jetën atyre që janë të sëmurë.
Prandaj është koha të ndërhyhet me urgjencë. Të shpëtojmë shëndetin e Tiranës. Të shpëtojmë shëndetin e banorëve nga agresioni i qytetit të tyre të dashur.
Çfarë quhet Tiranë e shëndetshme?
Përderisa qyteti është organizëm i gjallë, definicioni i shëndetit të tij është po ai që OBSH jep për shëndetin e njerëzve. Pra, një mirëqenie e përgjithshme fizike, sociale, ekonomike e shpirtërore.
Pikërisht një vështrim i tillë holistik duhet sot për të kuptuar drejtimet nga ku mund të sigurohet dhe mbrohet shëndeti i Tiranës dhe i banorëve të saj.
Në drejtimin fizik: Pastërtia e ambientit të Tiranës, ajrit, ujit të bollshëm e të sigurt, kanalizime funksionale, ushqimet e sigurta, banesat e përshtatshme, hapësirat e gjelbra, trafiku i shpejtë e i sigurt, elektriciteti, parkimet, menaxhimi i mbeturinave industriale, mbeturinave spitalore e mjekësore, e radioaktive në tërësi etj. Veçanërisht esencial është sigurimi i standardeve fizike ambientale në qendrat e punës, shkolla, çerdhe, kopshte, tregje, lagje dhe spitale e qendra shëndetësore.
Në drejtimin social: Pabarazia, padrejtësia dhe mosfunksionimi i kujdesit shëndetësor e sëmurin popullatën. Mbështetja për grupet vulnerabile ose të margjinalizuara në shoqëri, si: romët, të moshuarit e vetmuar, pensionistët, në tërësi jetimët, invalidët, personat e shpërngulur, viktimat e dhunës; krijimi i shanseve të barabarta për ta në Tiranë është përparësi. Promovimi i kohezionit dhe bashkëpunimit të shtresave të popullsisë, forcimi i solidaritetit në nivel lokal e komunal.
Sigurimi i aksesit të barabartë të kujdesit shëndetësor në Tiranë, sidomos në shërbimin e urgjencës dhe atij promovues, dhe mbrojtjes së shëndetit, kujdesit mjekësor për të sëmurët. Bashkia e Tiranës nuk mund të rrijë indiferente dhe jashtë përgjegjësive për shërbimin e urgjencës mjekësore në qytet. Gjendja e sotme e rrugëve, duke përfshirë ato që janë rikonstruktuar, nuk kanë lënë një hapësirë të lirë në to për shërbimin e urgjencës, duke u hequr mundësinë qytetarëve të udhëtojnë me biçikletë apo të vrapojnë në dobi të shëndetit të tyre, meqë e gjithë hapësira rrugore u është dhënë makinave. Kujdesi shëndetësor në shkolla, vende pune, komunitete është esencial.
Tirana meritonte që prej 3-4 vitesh më parë të ishte si shumë motra të saj, si “qytetet europiane pa duhan”. Asaj i duhet një shpërndarje e drejtë e rrjetit të qendrave shëndetësore mjekësore e stomatologjike, farmacive ekzistuese në përputhje me dendësinë e popullatës, distancën dhe nevojat e tyre për to. Tirana ka të gjitha mundësitë të bëhet i pari qytet shqiptar ku zbatohet Karta shqiptare e të Drejtave të të Sëmurëve në gjithë territorin e saj.
Në drejtimin ekonomik: Varfëria, papunësia e sëmurin, e denigrojnë dhe i shkurtojnë jetën njeriut. Në radhë të parë punësimi është domosdoshmëri: taksim i diferencuar, mbrojtja e biznesit të vogël dhe atij familjar, mbështetja e krijimi i lehtësive të iniciativave private lokale. Promovimi i një turizmi shumë më të zhdërvjellët në Tiranë dhe shndërrimi i saj në një qendër të madhe të mësimdhënies me dimension kombëtar dhe rajonal.
Në drejtimin shpirtëror: Numri i librarive dhe i bibliotekave duhet të rritet me shpejtësi. Po kështu, qendrat e argëtimit dhe ato sportive për fëmijët, të rinjtë e të moshuarit. Tirana, çuditërisht, ka më pak kinema, më pak teatro, më pak instrumentistë, më pak klube diskutimi intelektual se çdo kryeqytet në Europë.
Tirana e banorët e saj kanë nevojë për më shumë hare, paqe, harmoni, ndershmëri, barazi e mirëkuptim reciprok. Ato të gjitha mund të shndërrohen në shëndet dhe vite jete.
Iniciativa “Healthy City” (Qytet i shëndetshëm)
Një model konkret se si mund të përmirësohet shëndeti i një qyteti dhe i banorëve të tij nën një program veprimi lokal, është krijuar nga OBSH-ja në vitin 1986 me lëvizjen “Healthy City”, e cila është përqafuar tashmë nga rreth 400 qytete të Europës dhe si program nacional në 18 vende të Europës.
Iniciativa ka si themel pranimin nga pushteti lokal, që shëndeti në një qendër banimi urbane determinohet nga një mori faktorësh, të cilët mund ta përmirësojnë ose, përkundrazi, ta dëmtojnë atë, të tilla si ato që përmendëm më lart. E reja që sjell iniciativa është: së pari, ndërgjegjësimi i pushtetit lokal, i cili ka një rol të rëndësishëm në menaxhimin e tyre, së pari në kuptimin e njohjes më në thellësi të vetë qytetit në drejtimin demografik, social, kulturor, historik, ekonomik, në raport me gjendjen shëndetësore të banorëve të tij, bazuar kjo në evidencë shkencore. Sa shëndet prodhohet në qytet? Sa sëmundje? Çfarë profile sëmundjesh? Çfarë faktorësh ndikues? Çfarë resursesh, mjetesh, metodash në dispozicion? Dhe mbi këtë bazë të përcaktohen targeta dhe objektiva shëndetësore specifike dhe plane konkrete veprimi për zbatim.
Së dyti, në krijimin e mekanizmave koordinues inter-sektorialë të ndërveprimit për të maksimalizuar përftimin shëndetësor ose minimizuar faktorët dëmtues. Pra, Bashkia nuk pritet që të krijojë ajo vetë shëndet për popullatën. Por ajo pritet të përdorë në mënyrë të planifikuar e të fokusuar mekanizmat, sektorët dhe hallkat që ajo kontrollon e drejton që të ndikojnë në to.
Së treti: Lëvizja “Healthy City” synon t’i “zgjojë nga pasiviteti shëndetësor” qytetarët dhe t’i shndërrojë ata në një forcë lokale aktive veprimi në dobi të shëndetit të tyre.
Është fakt që qytetarët përbëjnë kapitalin social të pashfrytëzuar sa duhet tek ne, sidomos lidhur me shëndetin
Pas lëvizjes “Healthy City”, në vitin 1994, është hartuar në Aalborg të Danimarkës edhe karta e njohur me emrin e këtij qyteti, ku pushteti lokal zotohet të zbatojë një listë prej 10 parimesh në mbrojtje të shëndetit të qendrave urbane në Europë.
Deri më sot janë mbajtur 6 kongrese për këtë lëvizje të re sinergjike me atë “Healthy City” dhe 600 qytete të Europës e kanë nënshkruar angazhimin e tyre për të marrë pjesë në të. Ndër to janë edhe fqinjët tanë Greqia, Italia, Serbia etj… A nuk është koha, dita që mungesa jonë në këto lëvizje të frytshme, të cilat tashmë kanë dëshmuar rezultate të shumta pozitive, të marrë fund?
Një sugjerim për një dhimbje…
Duket si jashtë kontekstit, por më duket vazhdimësi e tij. E kam fjalën për momentin fatal të vdekjes, kur për një apo tjetër arsye shëndetësore, apo për shkak të këtij e atij aksidenti, qytetarët e Tiranës ndahen nga jeta, nga Tirana dhe nga ne përgjithnjë. Në atë ditë ndarjeje me ta qyteti vihet në provë për të dëshmuar kulturën fisnike apo “harbute” të tij. Vihen në provë principet dhe etika qytetare. Nëse qyteti dështon në respektin ndaj të vdekurit, ai humbet përfundimisht respektin ndaj vetes.
Çështja dëshpëruese e skandaloze e mangësive në varreza është ngritur dhe përfolur tashmë shumë herë. Ndofta zgjidhja e saj nuk bëhet dot aq lehtë, prandaj nuk po e prek këtu. Por, është një tregues tjetër i thjeshtë, fare lehtë i menaxhueshëm që zbulon krizën etike që përjeton Tirana jonë në këtë provë. Fjala është për mënyrën dhe vendin ku afishohet lajmërimi i kobit për të afërmit dhe miqtë e atyre që ikin nga jeta dhe nga Tirana përgjithnjë.
Në hyrje të Rrugës së Dibrës, në krah të djathtë, kur shkon për në spital, është një mur i vogël, i braktisur, me baltë të kuqe qerpiçi, muri më i vjetër, më i shëmtuar në Tiranë, i kalbur me myshk e në shumë vende i rrjepur e i rrënuar. Nuk është gjetur dot vend tjetër veç tij në këtë Tiranë të madhe, i rezervuar për afishet lajmëruese të vdekjes dhe varrimit të atyre njerëzve të shtrenjtë që ndahen nga Tirana dhe nga ne. Nuk ka vend më të trishtë, më çnjerëzor e më të turpshëm se ky në Tiranë. Të vdekurit tanë, njerëz të nderuar, ikin të ofenduar e të zhgënjyer nga ai mur.
Le ta shpëtojmë Tiranën nga ky turp; nga ky mur rrëqethës atavik. Le t’u ofrojmë atyre diçka më njerëzore, që përafron me moralin qytetar Europian. Ne, mjekëve, na ndodh që njohim jo pak prej këtyre fatkeqve, por fatkeqësisht nuk i shpëtuam dot. Le të shpëtojmë të paktën shpirtin, dinjitetin dhe brengën e fundit zhgënjyese me Tiranën e tyre, të cilën ata e kanë dashur dhe për të cilën kanë punuar gjithë jetën aq shumë.
© Panorama.al












