Autizmi, Liri Berisha merr mbështetje në New York

Sep 26, 2011 | 11:04
Liri Berisha me zonjat e para, gjatë takimit në Uashington

Autizmi mbetet një sfidë madhore jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë botën. Ndërgjegjësimi i popullatës, diagnostikimi dhe trajtimi i fëmijëve autikë janë tashmë prej vitesh në vëmendjen e  Fondacionit Fëmijët Shqiptarë, që po kontribuon në Shqipëri jo vetëm për ndërgjegjësimin dhe sensibilizimin për autizmin, por edhe për trajtimin e fëmijëve që vuajnë pasojat e këtij çrregullimi. Kontributi i presidentes së Fondacionit Fëmijët Shqiptarë, Liri Berisha, është vlerësuar maksimalisht nga personalitete të ndryshme botërore që merren me studime, trajnime, gjithashtu dhe me trajtimin e autizmit, si dhe zonja të para nga vende të ndryshme të botës në takimin vjetor për autizmin, organizuar nga “Autizëm Speaks” në NY, ku zonja Berisha për të katërtin vit ishte e ftuar nderi. Personalitete të pranishme në takim, si bashkëshortja e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB, Ban Soon-Taek, Suzanne Wright, Bob Wright, drejtues të “Autizëm Speak”, kanë vlerësuar rolin dhe kontributin e znj. Berisha në drejtim të autizmit lidhur me ndërgjegjësimin, krijimin e qendrave të trajtimit, ndërtimin e kapaciteteve për rritjen e shërbimeve, si dhe përkujdesjen e vazhdueshme për fëmijët autikë. Shqipëria, sipas tyre, falë angazhimit të znj. Berisha e ka kthyer fuqishëm në vëmendje përballjen dhe sfidat me këtë çrregullim. “Autizmi përbën një prej çështjeve të rëndësishme për Shqipërinë. Fondacioni i Fëmijëve Shqiptarë, që kam kënaqësinë të drejtoj, është bërë sot një katalizator i fuqishëm i ndryshimit të qëndrimit të familjeve dhe shoqërisë sonë ndaj çrregullimit autik. Fondacioni është promovuesi i vërtetë i ngritjes së fondeve për trajtimin e fëmijëve autikë, asistencën e familjeve të tyre dhe trajnimin e profesionistëve të shëndetit”, tha presidentja e Fondacionit Fëmijët shqiptarë gjatë prezantimit të punës së fondacionit, sikundër bëri të ditur se përballja me autizmin në Shqipëri gëzon mbështetjen e fortë të Kryeministrit Berisha dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Mjaft të rëndësishëm e ka konsideruar zonja Berisha takimin me përfaqësuesit e ministrive të Shëndetësisë të vendeve të Europës Juglindore në Tiranë, takim i cili ndihmoi në krijimin e Rrjetit të Autizmit për Europën Juglindore; Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Maqedonia, Sllovenia, së fundmi Kosova dhe Mali i Zi firmosën zotimin e Tiranës për autizmin, duke u bërë kështu anëtarët e parë të Rrjetit të Autizmit për Europën Juglindore. Nisma më ambicioze e Fondacionit të Fëmijëve Shqiptarë është krijimi i një qendre kërkimore dhe trajtuese, e cila do të ofrojë paketë shërbimesh/aktivitetesh shëndetësore, edukuese dhe sociale për fëmijët autikë dhe familjet e tyre. Ndërtesa e re ka 16 ambiente klinike për vlerësim dhe trajtim me pajisjet e nevojshme. Më shumë se 150 fëmijë me çrregullime të spektrit autik dhe familjet përkatëse do të marrin shërbime në shtëpi dhe në qendër. Zonja Berisha ftoi zonjën Ban Soon-Teak të marrë pjesë në inaugurimin e kësaj qendre, ftesë e cila u mirëprit me kënaqësi.

© Panorama.al

Te lidhura