Ministrja e Brendshme në detyrë, Albana Koçiu ka reaguar sërish në lidhje me protestën e opozitës, duke deklaruar se “ajo që po bën opozita nuk është më një aksion politik, por sulm i hapur ndaj stabilitetit të vendit”.
Me anë të një postimi në Facebook, Koçiu shkruan se kjo protestë vërtetoi se objekti ishte dëmtimi i ekonomisë shqiptare.
Sipas saj, protesta ishte për llogari personale të Sali Berishës, që siç thotë ajo mban peng Shqipërinë.
“U vërtetua se objektivi i vërtetë i kësaj dhune është dëmtimi i drejtpërdrejtë i ekonomisë shqiptare, sabotimi i turizmit dhe përpjekja për të nxirë me çdo kusht imazhin e Shqipërisë në sytë e botës, pikërisht në momentin tonë më të mirë.
Maskat ranë përfundimisht. Sot u shfaq hapur dhe pa asnjë dritëhije objektivi i vetëm i Sali Berishës dhe familjes së tij: mbajtja peng e Shqipërisë për llogaritë e tyre personale.
Ajo që pamë në rrugët e Tiranës nuk ishte një protestë demokratike, por një shfaqje e pastër e një sjelljeje antikombëtare dhe anti-shqiptare, ku interesi personal i një individi dhe i familjes së tij vendoset mbi qetësinë dhe sigurinë e një populli të tërë. Ky nuk është më aksion politik, por një sulm i hapur ndaj stabilitetit të vendit”, thuhet ne reagim.
Po ashtu ministrja paralajmëroi protestat e kësaj natyre nuk do të tolerohen dhe përgjigjia do jetë institucionale.
“Shqipëria, qytetarët e këtij vendi dhe jeta e përditshme e këtij kombi nuk mund të mbeten peng i një tufe banditësh të armatosur me molotovë, që kërkojnë të shkaktojnë kaos dhe terror. Në çmendurinë e tyre, ata nuk kursyen as artin, duke goditur një rezidencë ku ndodheshin artistë të huaj, një akt që tregon degradimin e plotë të një lëvizjeje që nuk njeh asnjë vlerë njerëzore.
Ky sulm ndaj interesave të Shqipërisë dhe qytetarëve shqiptarë është i paprecedentë dhe nuk do të tolerohet. Po aq e vendosur dhe e paprecedentë do të jetë edhe përgjigjja institucionale, në mbrojtje të rendit, sigurisë dhe të ardhmes europiane të vendit”, tha Koçiu.
© Panorama.al












