Zhoze Murinjo është parë tepër nervoz në konferencën për shtyp, pa karizmën e tij të zakonshme dhe teksa u përgjigjej shumë shkurt pyetjeve të gazetarëve. Nëse konferenca të tilla zgjasin rreth 30-40 minuta, teknikut portugez i mjaftuan veçse 11 minuta e 35 sekonda për të likuiduar të gjitha pyetjet. Madje, si rrallëherë, kanë munguar ironitë apo përgjigjet “lajm” nga trajneri i madrilenëve. “Unë nuk provokoj klane. Në ekip nuk kemi kësi problemesh. Sa u përket vërshëllimave të tifozëve madrilenë, më mirë pyesni vetë tifozët. Ndërsa ju bëj me dije se kam punuar në katër shtete dhe sjellja e medias ka qenë gjithnjë e ndryshme përkundrejt meje”, ka thënë Murinjo. Trajneri portugez ka folur edhe për aktivizimin e Pepes në sfidën e sotme ndaj Barcelonës. “Nuk e kam vendosur. Momentalisht nuk është në 100% të formës së tij, po ashtu si Lasana Diarra e Granero. Do vendos para ndeshjes. Ne do të hyjmë në fushë për të dhënë maksimumin dhe me synimin që të kualifikohemi. Ju kujtoj se, kur unë mora drejtimin e Realit, ekipi nuk arrinte të kishte një ecuri kaq pozitive në këtë kompeticion. Madje, eliminohej edhe nga skuadra të kategorive më të ulëta. Vitin e kaluar fituam trofeun, ndërsa sivjet jemi në çerekfinale. Nuk mund të quhet një dështim eliminimi, pasi ne kryesojmë renditjen e kampionatit me pesë pikë më shumë se Barcelona dhe kemi pasur një ecuri shumë pozitive në Champions”, ka pohuar portugezi.











