
Bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë kanë hyrë në një fazë të re tensioni,pasi kreu i delegacionit serb, Borisllav Stefanoviç, tha se do të ketë në axhendë dy pikat doganore dhe çështjen e Veriut, për të cilat Prishtina ka refuzuar të diskutojë. “Jemi në rrugën e duhur për të zhvilluar bisedime për vendkalimet Bërnjak dhe Jarinë, në përputhje me kërkesën tonë, dhe për këto negociata nuk diskutojmë me Prishtinën, por me Bashkimin Europian dhe me Shtetet e Bashkuara. Kjo është ajo në të cilën po punojmë”, tha Stefanoviç për mediat serbe. Stefanoviç mund të jetë duke krijuar terren për marrëveshje të reja me ndërmjetësit ndërkombëtarë. Diskutimin e këtyre temave ai mund ta ketë “shkëmbyer” me lejimin e kalimit të kamionëve kosovarë me vulat e Kosovës në tokën serbe, proces që ndodhi vetëm dje për herë të parë, pasi Stefanoviç u deklarua optimist për hapjen e këtyre çështjeve për debat. Kamionët, sipas marrëveshjes, duhej të ishin lejuar të kalonin në kufi 10 ditë më parë. Serbia ka marrë kritikat e BE-së për mosrespektimin e marrëveshjes duke penguar kamionët kosovarë të kalojnë, por duket se po përpiqet ta luajë në favor të saj edhe këtë pikë. Deklarata e Stefanoviçit po vjen dy ditë para nisjes së fazës së re të dialogut me ekipin kosovar, i cili drejtohet nga Edita Tahiri. Ai ka provokuar edhe më parë nëpërmjet mediave hapjen e kësaj teme në tryezën e bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian. Por Tahiri ka dhënë një përgjigje të prerë, se pikat doganore të Kosovës janë një çështje e mbyllur dhe nuk do t’i kthehen më kurrë diskutimeve, ashtu si edhe integriteti territorial i Kosovës. “Negociatat janë e vetmja mënyrë për zgjidhjen e krizës në vendkalime. Nëse një gjë e tillë konfirmohet sot ose nesër, do ta njoftojmë edhe opinionin”, tha kryenegociatori serb. Ndërkohë, politikanët serbë në Kosovë vlerësojnë se raundi i ri i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili është paralajmëruar të mbahet më 27 dhe 28 shtator, nuk do të përfundojë me ndonjë rezultat të mirë. Marko Jakshiç, lider politik i serbëve të Veriut, tha se takimi i paralajmëruar i delegacioneve nga Prishtina dhe Beogradi do të rezultojë në dëm të serbëve. Sipas tij, ky përfundim ka dalë nga takimet e mëparshme, ku “shefi i ekipit serb, Borisllav Stefanoviç, ka nënshkruar në favor të Kosovës pranimin e vulave, dokumenteve të identifikimit, targave e të tjera”. Jakshiç shtoi se Beogradi nuk do të guxojë të rrënojë dialogun, por do të bëjë atë që është në kundërshtim me interesat e serbëve.
Hyjnë kamionët
Serbia ka lejuar më në fund hyrjen e kamionëve të parë me dokumentacionin e Kosovës. “Janë lejuar katër kamionët e parë. Ata kanë kaluar kufirin dhe janë zhdoganuar, i kanë përfunduar të gjitha procedurat e zhdoganimit përmes pikës kufitare ‘Dheu i Bardhë’, me dokumente të Kosovës dhe përmes pikës kufitare në anën e Serbisë”, deklaroi dje zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, për radion “REL”. Ky hap duhej hedhur nga Serbia që më 16 shtator.
“Ahtisari, më i miri”
Udhëheqësi i Partisë Liberaldemokrate të Serbisë, Çedomir Jovanoviç, tha se Presidenti serb, Boris Tadiç, ka humbur rastin të promovojë një politikë të re të vendit, para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ai tha se plani i Ahtisarit duhet të merret si bazë për zgjidhjen e problemeve mes serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, por edhe në mes Beogradit dhe Prishtinës.
Eliot Engel
Kongresisti amerikan, Eliot Engel, e konsideroi aksionin e qeverisë së Kosovës në Veri, duke dërguar policë dhe doganierë në pikat kufitare, si një hap të duhur për vendosjen e rendit dhe ligjit edhe në këtë pjesë të vendit. “Amerikanët nuk kanë miq më të mirë se shqiptarët dhe shqiptarët nuk kanë miq më të mirë se amerikanët. Jam shumë i gëzuar që kam ndihmuar në lehtësimin e kësaj marrëdhënieje në këto 20 vitet e fundit”, tha ai.











