Serbia, model Hong-Kongu apo dy Gjermanitë për Kosovën

Mar 12, 2011 | 10:39

Beogradi shpreson ta përfundojë dialogun edhe me një zgjidhje për Kosovën, për të krijuar marrëdhënie të mira fqinjësore sipas modelit të dy Gjermanive apo Hong Kongut. Serbia po shpreson se do të jetë e gatshme për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian deri në fund të vitit 2015, por së pari pret një zgjidhje “kreative” për Kosovën, kështu është thënë nga zëvendëskryeministri serb, Bozhidar Gjeliç, në një intervistë për “EurActiv”. I pyetur nga gazetarët mbi kuptimin e termit “kreativitet”, në kontekstin e gjetjes së një zgjidhjeje, Gjeliç përmendi modelin e dy Gjermanive nga viti 1972 dhe “modelin e Hong-Kongut”. Sistemi i “dy Gjermanive” i lejoi Gjermanisë Perëndimore që të mos e njohë Gjermaninë komuniste Lindore, derisa njëkohësisht mbante lidhje me atë shtet dhe madje edhe kishte themeluar një ministri të ngarkuar me lidhjet ndër-gjermane. Ndërsa modeli i Hong-Kongut ka të bëjë me administrimin e terrenit, sipas parimit “një shtet, dy sisteme”. Pas dorëzimit të ish-kolonisë britanike në Hong-Kong të Kinës, më 1997, ky vend u bë një rajon i posaçëm administrativ brenda Kinës. “Një kompromis i tillë do të garantonte autonominë ekonomike dhe politike të Kosovës pa e rrezikuar integritetin territorial të Serbisë”, tha Gjeliç, duke shtuar se “Nuk mund të keni paqe afatgjate nëse e përkrahni njërin nacionalizëm përballë tjetrit. Është shumë më mirë që të përkrahet një lloj evropian i kompromisit që është i pakënaqshëm, por funksional”. Gjeliç nuk dëshiroi të fliste në lidhje me njohjen e pavarësisë së Kosovës. “Serbia nuk duhet të detyrohet të zgjedhë mes Evropës dhe Kosovës”, tha ai.                                 (K.D)

© Panorama.al

Te lidhura