Autoritetet paralele në Kosovë, të cilat komuniteti ndërkombëtar, përveç Rusisë, i quan ilegale, kanë vendosur të nderojnë kryeministrin rus me një titull. Një grup përfaqësuesish të serbëve të veriut, që identifikohen si Kuvendi i Komunave Serbe, e ka shpallur Kryeministrin rus, Vladimir Putin, qytetar nderi të Kosovës. “Dekorata do t’i jepet më 23 mars, gjatë vizitës që Putini do t’i bëjë Beogradit”, tha shefi i Zyrës së Federatës Ruse në Prishtinë, Andrej Shugorov, i cili mori pjesë në ceremoninë në Zubin Potok. Kryetari i të ashtuquajturit Kuvend të Komunave Serbe, Radovan Niçiç, tha se vendimi është marrë nisur nga fakti që Putini dhe bashkëpunëtorët e tij janë shqetësuar për integritetin territorial të Serbisë më shumë se vetë Beogradi.











