Sëmundjet infektive, 8 % e popullatës me Hepatit B

May 28, 2011 | 10:40
Konferenca e djeshme e infektologjisë

Prevalencë të lartë për sëmundjet infektive. Jo vetëm hepatitet, por edhe një sërë patologjish të tjera po shënojnë rritje.Dje, në konferencën e infektologjisë, mjekë specialistë dhe krerët e shëndetësisë diskutuan për masat që duhen marrë për reduktimin e këtyre sëmundjeve. Problem mbetet Hepatiti B, pasi vaksina ka nisur të injektohet vonë dhe moshat e rritura janë grup risku. Është rreth 8 % e popullatës mbartëse e sëmundjes. Shqetësuese është situata në radhët e bluzave të bardha. Mbi 8 për qind e personelit mjekësor rezulton mbartës i Hepatitit B. “Shqipëria mbetet vend me ngarkesë të lartë të Hepatitit B. Është një problem tepër i rëndë i shëndetit publik. Pavarësisht ndërhyrjeve që janë bërë me vaksinim, do të duhen shumë vite për t’u parë impakti. Te personeli mjekësor realizohet vaksinimi, por tek grupet e tjera ende nuk e ofrojmë”, tha mjeku infeksionit Arjan  Harxhi, në prezantimin e tij gjatë konferencës. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, kërkoi më tepër vëmendje në diagnostikimin e sëmundjeve infektive në të gjitha sistemet shëndetësore dhe ato të jenë të unifikuara. Ai shtoi gjithashtu se Shqipëria dëshmoi se di të menaxhojë shfaqjen e epidemive infektive dhe këtë e tregoi me virusin AH1 N1 (gripi i derrave) ku u renditëm si vendi me vdekshmërinë më të ulët në rajon. Ai nga ana tjetër bëri apel për më shumë kujdes. “Çdo mjek i përgjithshëm, dhe jo vetëm, duhet të jetë pak infeksionist, që do të thotë se nivelet e dyshimit diagnostik në fushën e infeksionlogjisë janë të domosdoshme dhe duhet të përforcohen, të jenë pjesë e background-it të çdo mjeku, sepse kontakti me këtë lloj problematike nuk përzgjedh. Mund të jetë që nga niveli primar tek ai terciar. Edhe niveli i gabimit mund të lëvizë nga niveli primar te ai terciar”, tha Vasili.

Infeksionet ne zonën mesdhetare

Problemet mbi të cilat u fokusua konferenca ishin infeksionet emergjente dhe riemergjente, duke u përqendruar kryesisht në zonën mesdhetare si dhe në gripin AH1 N1, vështruar në një mënyrë krejt origjinale, duke sjellë një informacion më të plotë për “formën okulte” (të fshehtë) të tij. Për të parën herë u soll dhe një tablo epidemiologjike mbi Mortalitetin Matern (vdekshmërinë amtare) Infektive dhe rastet me Malarje Vivax të importuara nga Greqia dhe Peloponezi (që cilësohen nga OBSH si vende pa malarje autoktone.

 

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura