
E ndienin veten të famshëm. Teksa në shkollën “Vasil Shanto” të KZAZ 49 po numërohej kutia e fundit për Njësinë Bashkiake Nr.5, banorët në rrugën “Enver Butka” shpërthyen në britma gëzimi: Jemi ne, jemi ne 18541! Ishin vërtet ata. Banorët e kutisë së fundit në periferi të Selitës në Tiranë, votat e të cilave po i numëronte gjithë Shqipëria, por edhe ndërkombëtarët. Krejt të vetëdijshëm që po “vulosnin” kryebashkiakun e Tiranës për 4 vitet e ardhshme dhe po kaq të pavetëdijshëm për arsyet e dhënies së votës, banorët e kësaj rruge nuk i gëzoheshin fitores së Edi Ramës apo të Lulzim Bashës, por faktit që po bëheshin protagonistë të rezultatit përfundimtar. Për herë të parë, ata po ndiheshin të rëndësishëm. Nuk ishin ndier të tillë kur kandidatët për Minibashkinë Nr.5, Jeta Seitaj (PS) dhe Erisa Xhixho (PD+LSI) ishin ndalur aty për fushatë. As me vizitën e vetë kandidatëve për Bashkinë e Tiranës, socialistit Edi Rama dhe demokratit Lulzim Basha. Sepse, të gjithë, më të shpejtë kishin pasur ikjen, sesa qëndrimin. “Po kush e mori vesh që erdhën këtu? Si njëri (Rama), si tjetri (Basha), kishin marrë me vete një qerre me njerëz dhe siç duket nuk patën nevojë që të mblidheshin banorët këtu. Erdhën veç për të thënë që ishim. Më shpejt ikën, sesa erdhën”, thotë pronari i dyqanit të fruta-perimeve, që ndodhet direkt përballë kopshtit të Selitës, qendra e votimit 18541. Gjysmën e shikimit e mban në ekranin e televizorit ku jepej drejtpërdrejt numërimi i votave për lagjen e tij, ndërsa me gjysmën tjetër përpiqet të zbulojë dyshimet e momentit. Ka frikë se mos jemi të dërguarit e ndonjë partie për të zbuluar votën dhe kur sigurohet për të kundërtën, sqaron: “Aman, se unë kam këtë biznesin e vogël dhe nuk dua të ngatërrohem. Kur dikush më ngre dy gishtat lart, i ngre edhe unë. Kur dikush thotë ‘Edi Rama do të fitojë’, unë i përgjigjem ‘Rroftë!’. Në fakt, vetë jam i majtë, por nuk ka ç’më duhet mua politika”. Ngadalë dhe me zë të ulët, sikur ka frikë mos ia merr era zërin dhe e shpie nëpër veshë demokratë, ai pranon se ka votuar për Edi Ramën, ndërsa arsyen e këtij vendimi nuk e ka shumë të qartë. “Po atij ia kam dhënë gjithmonë votën. Ai do të vijë një ditë të na ndërtojë rrugët, të sistemojë kanalizimet, ndriçimin etj”, thotë tregtari, por ngelet pa përgjigjie kur e pyet se pse “ajo ditë” nuk ka qenë për këtë lagje gjatë 3 mandateve të kaluara të Ramës, në këto 11 vite. “Epo, këtë nuk e di unë, por jam i sigurt që ka për të ardhur kësaj here, nëse fiton”, këmbëngul ai. Mbase edhe do të ndodhë kështu, por deri atëherë na lejoni t’ju tregojmë për rrugën “Enver Butka”, lagjen që u bë VIP për disa orë. Ra ky numërim dhe e pamë…
Rruga e kutisë së fundit
Ashtu siç edhe rastisi që të numërohet e fundit, kjo lagje ka edhe vendndodhjen e tillë. Ndodhet krejtësisht në periferi të Selitës, në krah të djathtë të saj. Për orientim më të saktë: në lindje-perëndim të Tiranës. Edhe pa hartë, pa këto të dhëna, rrugën “Enver Butka” mund ta gjesh shumë shpejt, vetëm me një të dhënë, është e gjitha e pashtruar. Detaje të tjera? Ka gropa të mëdha, pa kanalizime, pa ndriçim, thuajse pa dyqane. Përveç 10 metrave asfalt para kopshtit, ku u votua më 8 maj dhe nga ku rezultoi kutia e fundit për numërim, askund tjetër nuk ka rrugë të shtruar. Madje edhe aty, dukej si asfalt elektoral i ditëve të fundit, meqenëse ende kishte ngjyrën e errët të shtrimit. Dyshim ky që vërtetohej shumë shpejt, sapo pyesje banorët e zonës. Shtëpitë, ndryshe nga pjesa e parme e Selitës, nuk kanë asgjë të përbashkët me vilat luksoze. Më së shumti përdhese, ato janë pa asnjë sistem, ashtu siç janë edhe rrugicat mes tyre. Për të kaluar aty, harrojini këpucët! Një baltë e tillë vështirë të gjendet gjëkund tjetër në Tiranë, përveç kësaj lagjeje. Po ashtu, vështirë të gjesh banorë të saj që të të japin arsye konkrete për preferencat e kandidatëve, që u dhanë votat më 8 maj. “Unë vdes për Edi Ramën. Mbaroj komplet”, thotë Mimoza Mullai, banore e kësaj lagjeje, e cila bën publike votën e saj pro Ramës. “Nuk i ka bërë rrugët deri tani, se ka pasur punë të tjera më madhore”, shton ajo, teksa e pyet për gjendjen katastrofale të kësaj rruge. Pasi mendohet pak çaste, Mimoza tenton të argumentojë sërish: “Drejt të them, kanë qenë arsye politike që i kam dhënë votën kësaj here. E votova si kryetar të Partisë Socialiste, jo si kryetar të Bashkisë së Tiranës. Më mirë një ‘tonin’ këtu (Rama), sesa një nga Veriu (Berisha). Shpresoj që kësaj here Rama të na mbajë mend dhe të investojë në Selitë, sepse besoj e kuptoi që edhe periferia vendos. Kemi peshën tonë në zgjedhje. Uroj të fitojë, pasi siç e sheh, unë jam bërë gati për festë”. Vërtet, ajo ishte gati për festë. Bashkë me të, edhe një shoqe. Veshur sportive, entuziaste, ato morën rrugën drejt Selitës, për të parë ç’bëhej. Për të parë ç’bëhej, ndryshe nga ato, ne u futëm edhe më thellë rrugës “Enver Butka”. Por sa më i thellë largimi, aq më e thellë varfëria…
Tkurrja e votës
Një familje me rreth 9 anëtarë ishin ulur në verandën e shtëpisë. Vetëm 3 prej tyre kishin votuar më 8 maj, të tjerët ende nuk kishin mbushur moshën. Madje as këta të 3 nuk kishin dashur, por pronarët e tyre me bindje të majtë, ua kishin lënë “detyrim-paraqitje” në votime, çka do ta vërtetonin të nesërmen (9 maj) me nxjerrjen e gishtit të vulosur para tyre. “T’u bëfsha, mos na nxirr në gazetë, se na heqin direkt nga puna”, nxiton të thotë nëna e 7 fëmijëve, ndërsa lutet për anonimat. Nëse i premton që t’ia ruash sekretin e identitetit, është gati të të besojë çdo gjë: “Shkova bashkë me burrin dhe djalin për të votuar, se punojmë në një fabrikë te ‘Unaza e Re’ dhe pronarët janë të majtë. Na kërkuan të gjithëve te puna që të votonim Edi Ramën, që të mund të merrnin rrogat, sepse na i kanë vonuar tash 3 muaj. Unë ia dhashë Ramës, se kisha hall mos zbulohesha, por në shtëpi mora vesh që burri im dhe djali, nuk ia kishin dhënë atij. Kishin votuar ‘nga inati’ për Bashën”. Megjithatë, ‘inati’ ose dëshira duket se ka kapur shumë banorë të kësaj lagjeje. Në vitin 2009, në këtë qendër votimi, Rama ka pasur mbi 150 vota më shumë sesa Berisha. Konkretisht, Partia Socialiste me 237 vota, ndërsa Partia Socialiste me 87 vota. Diferenca e saktë ngelet 156 vota në favor të Ramës, në vitin 2009. Dje, rreth 2 vite më pas nga ky rezultat, Rama mori vetëm 220 vota në këtë kuti, ndërsa Basha 154 vota. Pra, vetëm 66 vota më shumë nga Basha në vitin 2011, por një tkurrje në total prej gati 100 votash nga 2009-a. Dhe, të 100 këto vota, duket se nuk kanë si argument vetëm inatin, por edhe ndërhyrjen ose mosndërhyjen e Bashkisë në këtë zonë. “Na prishi muret, na prishi shtëpitë, na rrafshoi bizneset, por pa na dhënë asnjë dëmshpërblim për to. La pas vetëm grumbull gurësh, blloqesh e tullash dhe më pas nuk u duk më për të rregulluar dhe investuar. Shikoni më vëmendje, këtu ka vetëm një rrugë të prishur, me gërmadha dhe nuk ka asnjë biznes. Çdokujt do t’i bënte përshtypje kjo gjë”, thotë Garantin Ferati, i cili tregon se vota e tij kësaj here ka qenë për kandidatin e PD-së, Basha. “Kjo është hera e dytë që votoj, për shkak të moshës madhore. Herën e parë ia dhashë votën Ramës dhe prisja që të paktën të na shtronte rrugën, por ai u duk këtu vetëm para nja 2 javëve rreth 5 minuta, kur na kërkoi votat. Ia dhashë shansin 1 herë, 2 herë nuk ma hedh dot mua ai, se nga 3 herë ua ka hedhur plot të tjerëve”, shton Garantini. Në një moment, ai ndërpret bisedën dhe përgjigjet në telefon. “Fitoooooooooiiiiiiiiiiiii”, i ulëret duke iu hedhur në qafë shokut të tij, Ervelino Kryemadhit dhe tund flamujt e Partisë Demokratike, duke hipur mbi makinë. E njëjta britmë dëgjohet edhe pak metra më tutje, por edhe e njëjta situatë. Dy djem, mbi makinë, me flamuj Partie… Socialiste. Të dyja palët brohorasin për fitore dhe afrojnë makinat “kokë më kokë”. Më pas, secili i kërkon rivalit lirimin e rrugës… Koha për ndërhyrje. Të paktën me një pyetje nga ana jonë, tentativë e vogël në dukje, por funksionoi. Afrohemi tek të sapoardhurit, simpatizantët e majtë dhe duke i “uruar për fitoren”, kërkojmë arsyen pse kanë votuar Edi Ramën. “Sepse është si shpirt. Është i madh fare. Është njëshi. Dhe ma shkruaj pak emrin aty te gazeta, që ta dijë kush ia thotë këto fjalë. Jam Arjan Lila prej kësaj rruge”, thotë ai, ndërsa shoku i tij, nxiton të shtojë: “Ma shëno dhe mua emrin të lutem. Jam Skënder Skënderi”. I shënuam djemtë, por ajo çfarë duhet shënuar vërtet në këtë lagje është mungesa e investimeve totale…
Targa me fytyren e Rames dhe BASHES
Duket se rruga e varfër “Enver Butka” nuk e ka njësoj edhe fantazinë. Makinat e simpatizantëve të kandidatit socialist për Bashkinë e Tiranës, Edi Rama dhe rivalit të tij demokrat, Lulzim Basha, mbanin si targa pikërisht portretet e tyre. Të pacenuar nga forcat e rendit për këtë lloj targe, ata bënin xhiro nëpër rrugët e Selitës gjatë numërimit të kutisë së fundit.
ELISABETA ILNICA
© Panorama.al











