Sekuestrimi nga SPAK i hotelit të famshëm “Zig Zag” në Vuno, Berisha: Toka ku është ndërtuar është publike, ndodhet në kufi me pronën që pretendon Rama! Për herë të parë në histori ka blerës pa shitës

Jun 19, 2026 | 12:45

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në konferencën e sotme me gazetarët është ndalur tek hoteli i famshëm “Zig Zag”, i cili u sekuestrua nga SPAK.

berisha

Sipas Sali Berishës, prona ku u ndërtua ky hotel është tokë publike dhe jo private. Teksa bëri publike një hartë që dikur është publikuar nga i ndjeri Artan Lame, Berisha deklaroi se pasi Lame e bëri publike, Rama e shkarkoi menjëherë.

Po sipas asaj që pretendon Berisha, pozicioni ku është blerë toka lë shumë për të dyshuar, ndërsa thekson se “toka ndodhet në kufij me tokën e pretenduar nga Edi Rama”.

“Pra e shihni Artan Lame publikon hartën, i cili ka meritën që nuk e regjistroi kurrë tokën e pretenduar nga Edi Rama, Olsi Rama, mamaja e tyre e ndjerë Aneta Koleka, pasi xhinsi i tyre i provuar me dokumente ishte në varfëri ekstreme. Pra toka është publike, sipas hartës që ka publikuar toka e hotelit Zig Zag është publike, nuk është private. Pasi publikoi këtë hartë Edi Rama e shkarkoi me tërbim”, deklaroi kreu i PD.

Berisha tha po ashtu se për herë të parë në histori ka blerës toke, por pa shitës: “Për tre vite Isa Aliu bashkë me noterin nuk e kanë ditur se për regjistrimin në ASHK duhet kontrata e shit blerjes dhe raporti i vlerësimit. Por pozicioni ku është blerë toka lë shumë për të dyshuar. Disa gjëra që janë të sigurta janë fakti se toka ndodhet në kufij me tokën e pretenduar nga Edi Rama. Ndërsa dyshimi i fortë mbetet se kjo tokë është brenda kufijve për të cilën Edi Rama, e ndjera Aneta Rama dhe Olsi Rama pretendojnë.  Ne nuk kemi mundur të gjejmë shitësit, as mënyrën si e kanë përfituar shitësit këtë tokë. Është rasti i parë në histori, ku ka blerës pa shitës. Në certifikatën e regjistrimit zëri kadastral është shënuar pemtore, në një vend që ka pasur vetëm shkurre. Pra në rast se nuk do ishte shënuar e tillë, cdo lloj forme përfitimi, qoftë me AMTP qoftë me trashëgimi do ishte e pamundur të posedohej pasi në Vuno janë ndarë me ligjin 7501 janë ndarë vetëm ullishtet”.

Denoncimi i Berishës

Në fjalën e tij, kreu i PD tha se grupi që trafikoi 50 ton kokainë bleu mbi 15 mijë metër katrorë tokë në Jalë, për 54 mijë euro.

Berisha u shpreh se në qendër të skemës së pastrimit të parave qëndronte Isa Aliu, vëllai i Shpëtim Aliut, të cilin e cilësoi si një nga figurat kryesore të grupit.

“Goditja e fundit ndaj grupit Dritan Gjika, Eldi Dizdari, Shpëtim Aliu, ka çuar në konfiskimin e një mori asetesh dhe kompanish, kryesisht nëfushën e ndërtimit dhe turizmit, që përdoreshin për pastrimin e parave të drogës.

Në krye të pastrimit të parave qëndronte Isa Aliu, vëllai i Salvadorit, Shpëtimit, figura qendrore që furnizonte grupin Dizdari-Gjika, përgjegjës për trafikimin e 50 tonë kokainë vetëm përgjatë vitit 2020-2021. Por ju tani do njiheni me habinë e re të narkoshtetit të Edi Ramës.

Në pronat e sekuestruara mes të tjerash bie në sy edhe sekuestroja që i bëhet pronave të një ndërtimi që po zhvillohej në zonën e Vunoit. E keni parasysh Vunoin ju, nuk është gjë Surreli se ç’është Vunoi, ose të themi fshati i Edvinit dhe dajë Kolekës. Të gjitha të drejtat reale për pasuritë e paluajtshme që përfitohen nga subjekti Seavieë Development dhe Aliu Road House nëpërmjet aktit noterial kryerje punimesh për ndërtimin e hotelit Zig-Zag, me pesë yjë dhe mbi 200 dhoma, në Jalë, Himarë për të cilin shoqëria Navalno Group ka marrë përsipër bashkëfinancimin në masën 40 përqind dhe lejen e ndërtimit nga AZHT, thuhet në njoftimin që ka bërë SPAK për këtë hotel.

Nga hulumtimet tona rezulton se Seavieë Development është bijë e kompanisë Aliu Road House dhe ka aplikuar për leje ndërtimi në AZHT në 29 prill të këtij viti dhe ishte i 41-ti në listën e diskutimeve. Leje ndërtimi për objektin hotel Iberostar Resort me pesë yje, me një, dy, tre dhe katër kate mbi tokë dhe një gjer në pesë kate mbi tokë, me vendndodhje në Jalë, Bashkia e Himarës me objekt zhvillues shoqërinë Seavieë Development. Por ajo që bie në sy është se toka që Isa Aliu ka blerë në breg të detit në Jalë është me çmime jashtëzakonisht të ulëta, qesharake. Këtë zonë në tokën kadastrale me një sipërfaqe prej 15 mijë metër katrorë, Isa Aliu e ka blerë me vetëm 6 milionë lekë të reja ose me kursin e kohës e ka blerë gjithsej me 54 mijë euro. I bie 3-4 euro metri katror.

Përkatësisht, pasuria me numër 3614, 4400 metër katrorë, zona kadastrale 3844 është blerë me 1 milion e 760 mijë lekë. Pasuria numër 33615, 4200 metër katrorë, zona kadastrale 3844 është blerë me 1 milion e 680 mijë lekë. Pasuria numër 33616, 6600 metër katrorë, zona kadastrale 3844 është blerë me 2 milion e 560 mijë lekë.

Pra, siç e shikoni, pranë gjithsej 15 mijë metër katrorë tokë të blera vetëm për 400 letër metri katrorë apo 3.2 euro metri katror. Shiheni ku toka është blerë me 3.2 euro”.

hoteli zig zag

Berisha: Toka nuk ka shitës, ASHK e kishte bllokuar prej vitesh

Berisha tha se nga dokumentet e disponuara rezulton se prona ishte bllokuar nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) për shkak të mungesës së dokumentacionit të nevojshëm, përfshirë raportin e vlerësimit dhe kontratat e shitblerjes. Sipas tij, kufizimi kishte mbetur në fuqi për tre vite pas transaksionit, ndërsa ai ngriti dyshime mbi vetë ekzistencën e shitësit të tokës.

“Nga dokumentet rezulton se prona ishte bllokuar nga ASHK për mungesë dokumentacioni si raporti i vlerësimit dhe kontratat e shitjes. Dhe për tre vite nga blerja, rezulton e tillë. Për t’ua thjeshtuar pak që në fillim, se nuk mund ta imagjinoni.

Toka nuk ka shitës. Nuk ka. Unë e kuptoj se si ka mundësi, në republikën e kolonel Buendias të Gabriel Markez funksionon vetëm fantazia.

Toka nuk ka shitës pra. Ky është narko-shteti i Edi Ramës.

Por Isa Aliu është kujtuar të çojë një kërkesë në ASHK për heqjen e kufizimeve në fund të vitit 2024. Pra, ASHK e ka bllokuar sepse nuk ka shitës dhe këtë Isa Aliu alias Isa Rama e kërkon heqjen e kufizimeve në fund të vitit 2024.

Ndërkohë, i ndjeri Artan Lame u shkarkua në mars të vitit 2023 vetëm pesë ditë pasi publikoi në Klan News hartën e tokave të Vunoit.

Kjo tërboi kreun e Meduzës, pronarin fiktiv falso Edi Rama. Dhe e shkarkoi. Pse? Se publikoi hartën”, tha Sali Berisha.

Berisha: Dokumentet për pronat në Jalë tregojnë parregullsi të rënda

Sipas Sali Berisha më 9 shtator 2024, Isa Aliu, përmes një vendimi të asamblesë së kompanisë “Aliu Road House”, ka transferuar tre parcela në zonën kadastrale 3844 në Vuno te kompania bijë “Seaview Development”, e krijuar vetëm pak muaj më parë.

Kreu i PD deklaroi se dokumentet tregojnë se pronat kishin qenë të bllokuara nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) që prej 21 korrikut 2022 për shkak të mungesës së raportit të vlerësimit dhe dokumenteve të tjera shoqëruese.

“Më 9 shtator 2024, famozi Isa Aliu, që tani po merr rreze dielli në Dubai, me vendim të asamblesë, ku është i vetmi, vendosi të kalojë asetet e kompanisë ‘Aliu Road House’ kompanisë bijë krijuar vetëm dy muaj më parë.

Tre parcelat të zonës kadastrale 3844 Vuno ia kalon kompanisë bijë.

Por aty vihet re se prona ka qenë e bllokuar, ose kishte kufizim pronën nga ASHK-ja të vendosur me datën 21.07.2022 me pretendimin se nuk ka dërguar pranë këtij institucioni raportin e vlerësimit.

Nga ana e ‘Aliu Road House’ i kërkohet ASHK-së heqja e kufizimeve të pronës pasi nuk ka qenë njoftuar nga noteri se për regjistrimin apo rivlerësimin janë nevojitur raporti i rivlerësimit dhe certifikata e pronësisë. Mashtrime të mirëfillta!

Bashkëngjitur shkresës dorëzohet dhe raporti i vlerësimit për tre pronat dhe certifikatat e pronësisë. Dëgjoni tani. Por duket se edhe këtu ka mangësi që të bëjnë të dyshosh shumë.

E para sepse raporti i vlerësimit shprehet se kërkesa është bërë nga pronari Isa Aliu në vitin 2021 dhe vlerësuesi ka mbërritur në Vuno me datën 12 shtator ku ka vlerësuar se kjo tokë në pronësi të Isa Aliut nga Elbasani kishte një vlerë nga 3 deri në 1 mijë lekë dhe për këtë janë pyetur pronarë përreth.

Dëgjoni tani çfarë falsitetesh.

Por dhe në këtë raport ka diçka që nuk shkon. Kjo sepse në momentin që është bërë vlerësimi i një toke të ndarë në tre parcela ngjitur, Aliu nuk kishte firmosur kontratën e blerjes.

Dëgjoni pra, këta shkojnë bëjnë vlerësim toke pa blerje.

Ai që i nisi këta, shteti që i nisi këta, nuk kishte kontratën e blerjes nga Aliu. Dhe natyrisht zero pretendime se ky ishte pronari i tokës.

Raporti mban datën e përpilimit 15 shtator 2021, ndërsa kontrata e shitblerjes mban datën e firmosjes një javë mbrapa, 23 shtator 2021.

Pra u bë vlerësimi pa kontratë shitblerje.

Në praktikë vlerësimin e kërkon shitësi, po shitësi është anonim. Sepse shitësi është kreu i Meduzës. Dhe jo blerësi, kurse në këtë rast vlerësimin e kërkon blerësi.

Dhe e dyta, s’mund të jetë pronar një individ që endes s’ka firmosur kontratën e shitblerjes.

Pra Isa Aliu nuk mund të jetë pronar.

Më tej, bashkëngjitur janë dhe tre certifikata pronësie të lëshuar nga Kadastra e Vlorës me datën 28.12.2023, të cilat janë firmosur elektronikisht nga famozja e Partisë Socialiste, Ina Luçi.

Ina Luçi, në mos gabohem është një gjithashtu akraba, po do ta verifikoj, e Hakmarrjes për Drejtësi.

Më duket, po tani do ta bëj një check-up, dhe në qoftë se nuk është, do t’ju informoj, se më kujtohen ca udhëtime që bënte me Gjonajn ose Ramën, me atë si quhej ajo vajza tjetër, me radhë e me radhë, po më duket se kjo është, po do ta verifikoj këtë nuk mund të them.

Por edhe këtu toka cilësohet pemëtore, shikoni çfarë është pemëtorja ë?

Pse pemëtore tani? Pse pemëtore? Sepse ullishtat u ndanë me 7501-shin.

Dhe për ta bërë këtë të ndashme me 7501-shin shpallën pyllin ullishte.

Ja shifeni sa ullishte është. Që të shkoni atje dhe të gërmoni ju garantoj se 1 metër në thellësi s’do të gjeni një kokërr ulli. Një farë ulliri, një bërthamë ulliri s’mund të gjeni aty.

Nga ana tjetër, ASHK e Vlorës duket se në lëshimin e certifikatës së pronësisë nuk ka plotësuar një tjetër detyrim ligjor, duke qenë se certifikata është lëshuar nga sistemi elektronik dhe firmosur prej vetë drejtoreshës Ina famoze, duhej të shoqërohej dhe me kartelën e pronësisë, e cila përmban të dhënat e pasurisë, të dhënat e titullit të pasurisë, të dhënat e regjistrimit paraprak, të drejtat reale, kufizimet e tjera të pronësisë, si dhe informacione të tjera të pronës.

Ky dokument në certifikatën e lëshuar nga sistemi nuk ekziston. Pra, ekziston vetëm certifikata dhe një hartë topografike që nuk thotë asgjë.

Kartela ose kartelat e pronësisë do lëshoheshin vetëm 5 muaj më vonë me datën 16.05.2024 me firmën e drejtorit të sektorit, Odise Seferaj.

Por sërish, nga ajo që vihet re është fakti se në këto kartela nuk është pasqyruar emri i shitësit.

A mund të imagjinoni një shtet që ka kartela pronësie të blera, por shitësin e ka eterik. E ka anonim. Është kryeministri, ky është gjithçka. Ky është gjithçka.

Nuk është pasqyruar mënyra e përfitimit të pronës me AMTP apo vendim gjykate.

Pra, të gjitha ato që duhet të përmbajë një kartelë pronësie, në të cilat më pas bëhet regjistrimi, kartela nuk i ka.

Të tre kartelat e pronësisë janë identike. Pra jepen të dhënat e pasurisë, numri i kontratës, të cilave u ndryshon vetëm numri fundor, data të tria me datën 23.09.2021 dhe data e regjistrimit në të njëjtën ditë 21.07.2022. Pra ditën që është bërë dhe kufizimi i pronës që famozi Isa Aliu,  por mungojnë tre seksionet e rëndësishme, si të dhënat e regjistrimit paraprak, pra në emër të kujt ka qenë e regjistruar më parë prona dhe si është përfituar, të drejtat reale dhe çdo përshkrim tjetër i pronës.

Ky është shteti piramidë i falsifikimit. Shikoni ku ndërton hotele Edi Rama, si i ndërton hotelet. Turp e faqe e zezë”, deklaroi kreu i PD.

© Panorama.al

Te lidhura