“E sollën amendamentin për Lubi Ballukun”- Berisha shpjegon pse PD s’e votoi amnistinë: Kërkuan ndërprerjen e gjyqeve, futën njerëz të dënuar për korrupsion!

Jun 19, 2026 | 13:06

Kryetari i Partisë Demokatike, Sali Berisha, shpjegoi sot nga konferenca për mediat pse opozita nuk e votoi dje amnistinë penale, e cila kaloi me 84 votat e mazhorancës.

berisha

Ai tha se arsyeja kryesore ishte se PD është kundër një amnistie të përvitshme, por edhe se me amendamentet që kishin përgatitur socialistët përfshihej edhe Belinda Balluku, me qëllimin që të ndërpriteshin proceset gjyqësore.

Gjithashtu ai tha se arsye tjetër ishte përfshirja në amnisti e të dënuarve për korrupsion dhe proceset lehtësuese gjyqësore ndaj tyre, teksa akuzoi Ramën se me këtë amnisti kishte qëllime të mbrapshta dhe për “gjoba”.

“Amnistia është një e drejtë kushtetuese e Parlamentit, e cila duhet të ushtrohet jashtë çdo abuziviteti. Edi Rama ka shtuar amnistinë në një rit të përvitshëm në të cilin ai shumëfishon kriminalitetin, në të cilin godet rëndë drejtësinë, Amnistitë bëhen periodike dhe jo çdo vit. Gjatë periudhës që kemi qenë në pushtet ne kemi votuar amnistinë në 100 vjetorin e pavarësisë dhe 75 vjetorin e çlirimit të vendit. Ne nuk jemi aspak dakord me proces të përvitshëm”, tha ai.

Më tej theksoi se një nga qëllimet e kryeministrit ishte që të lehtësonte ish-zv/kryeministren e akuzuar dhe pandehur nga SPAK-GJKKO për abuzime me detyrën dhe pasurinë.

“Ata sollën amendamentin, në të cilin donin të ndërprisnin proceset gjyqësore, gjë e e cila kishte të qartë Lubi Ballukun dhe të tjerë. Ne këtë nuk e aprovojmë kurrë”, tha ai.

Në fund, kryedemokrati dha si arsye të tretë edhe procesin abuziv si gjobëvënie ndaj atyre që lehtësohen dhe të dënuarve për korrupsion.

“Së treti, specialistët tanë, ekspertët tanë të fushës, konstatuan se ligji që kanë hartuar këta, i detyron shumicën e atyre që gjoja përfitojnë, të kalojnë nga Gjykata e Apelit, kjo për qëllime të mbrapshta, e bënë amnistinë, nuk jemi ne për të përvitshme, por kjo e shndërron amnistinë në një proces gjobash universale për ata që janë dënuar dhe ata me pabesi të plotë morën e futën edhe njerëz të dënuar për korrupsion e me radhë. Ne vendosëm të mos e votojmë. Absolutisht Rama ka votuar në mbështetje të plotë të krimit. Atëherë ta heqim fare drejtësinë, për çfarë e duam, po ky nuk është shtet”, përfundoi kreu i selisë blu.

© Panorama.al

Te lidhura