Seks me të miturat, 65 vjet burg për babanë e 4 klientët

Dec 29, 2011 | 11:38
Pëllumb Mullai, dje në sallën e gjyqit

KORÇE – Dënohen maksimalisht babai tutor dhe katër personat që kryenin marrëdhënie me dy motrat e mitura 8 dhe 10-vjeçare. Pas seancave të njëpasnjëshme, ku dëshmitarët kanë treguar detaje në lidhje me këtë çështje, procesi gjyqësor kundrejt Pëllumb Mullait dhe katër peronave të tjerë është mbyllur me dënimin e të gjithë të pandehurve. Trupi gjykues ka lënë në fuqi kërkesën e Prokurorisë së Korçës, duke vendosur 15 vite burg për 51-vjeçarin Pëllumb Mullai. I akuzuari për prostituimin e dy vajzave të tij të mitura për dy vite radhazi ka marrë dënimin maksimal të kërkuar nga organi i akuzës, ndërsa i njëjti vendim u mor dhe për katër të akuzuarit për kryerjen e marrëdhënieve seksuale me të miturat. Kështu, trupi gjykues u ka dhënë po nga 15 vjet burg secilit nga klientët, Andrea Nameti, 69 vjeç dhe Skënder Korollari, 35 vjeç. Ndërsa për klientët e moshuar, të cilët nuk kanë qenë prezentë në sallën e gjyqit, Nevruz Kollani, 82 vjeç dhe Ndoci Koçi, 86 vjeç, vendosi nga 10 vjet burg për secilin. Edhe pse nga banka e të akuzuarve, përmes mbrojtësve, të pandehurit nuk e kanë pranuar akuzën, ata janë dënuar mbështetur në provat dhe faktet e sjella nga organi i akuzës, duke bërë që trupi gjykues të japë dënimin në përputhje të plotë me kërkesën e prokurorisë. Kanë qenë dëshmitarët e sjellë njëri pas tjetrit, mes të cilëve vajzat dhe vetë nëna e tyre, pohimet e të cilave kanë sjellë dënimin e pesë personave. Rasti i përket vitit 2004, ku sipas hetimeve të policisë dhe prokurorisë, dy vajzat, në atë kohë 8 dhe 10 vjeçe, prostituoheshin nga babai i tyre. Sipas akuzës, babai u siguronte klientë të moshave të ndryshme dhe ato detyroheshin të kryenin marrëdhënie seksuale kundrejt pagesës prej dy mijë lekësh. Për rreth dy vjet, babai i vajzave, Pëllumb Mullaj, ka qenë në rolin e tutorit për të bijat, ndërsa denoncimi i rastit dhe publikimi u bë në prill të këtij viti, kur vajzat, të mbështetura nga një qendër sociale, bënë denoncimin ndaj babait të tyre.            dh.d

© Panorama.al

Te lidhura