“Sekretet” e Malësisë së viganëve, Shqipëria në 1929

Aug 25, 2014 | 12:37

Princi i Mirditës Gjon Markagjoni (1888-1966) me të shoqen, nënën dhe fëmijët (Foto: Carleton Coon 1929)
Koleksioni fotografik i antropologut e zbuluesit amerikan

Mes shkrepjeve të Carleton Coon, edhe një virgjëreshë e betuar së bashku me “shoqen” e saj

Edhe pse në trup mban veshjet tradicionale të grave të zonës, tek ajo nuk ka asgjë femërore.
Një fytyrë e egër, e shtrembëruar nga inati apo nga zori, ndërsa “shoqja” e saj në krah ka mbyllur sytë dhe duket si e ngrirë. Këtë fotografi të rrallë të një virgjëreshe të betuar e ka realizuar në vitin 1929, në Shqipërinë e Veriut, antropologu dhe zbuluesi amerikan Carleton Coon. Mes dhjetëra imazhesh që na vijnë deri ditëve tona, ku spikasin portretet e malësorëve, me shami lidhur rreth kokës, me mustaqe pis të zeza, sytë të mbeten te fotografia që Coon u ka shkrepur dy grave, njëra prej të cilave ishte betuar virgjëreshë. Ky fenomen i hasur në veri të Shqipërisë ka tërhequr gjithnjë vëmendjen e studiuesve të huaj, antropologëve, fotografëve, qysh në fillim të shek. XX dhe vazhdon të jetë një temë tërheqëse edhe sot e kësaj dite. Përmes studimesh të shumëllojshme, vëzhgimeve dhe intervistave në terren janë kërkuar shkaqet që e shtynin një femër që të hiqte dorë nga e drejta për t’u martuar, për të lindur fëmijë dhe për të jetuar si burrë. Tek-tuk ka pasur tentativa për ta lidhur këtë fenomen edhe me lesbizmin. Sipas një studimi të antropologes Anthonya Young, edhe pse të rralla, ka pasur raste të bashkëjetesës reale mes një virgjëreshe të betuar dhe një gruaje normale, por në më të shumtën e herës arsyet kanë qenë të tjera. Fotografia e realizuar në vitin 1929 nga Carletoon Coon dhe e rifreskuar sot nga albanologu Robert Elsie mund të jetë dëshmi e këtij fenomeni. Këtë lë të dyshosh mënyra se si kanë pozuar gratë. Po kaq edhe diçitura e fotografisë: “Një virgjëreshë e betuar në Mirditë me shoqen e saj”. Kjo fotografi dhe të tjera të realizuara nga Coon janë botuar në librin studimor “Malësia e viganëve: studim racor dhe kulturor i fiseve të Malësisë së Shqipërisë së Veriut”.
Antropologu
Carleton Coon (1904-1981), antropolog fizik amerikan, studioi për Egjiptologji dhe Antropologji në Universitetin e Harvardit, ku u diplomua në vitin 1925 dhe për disa vjet punoi atje si asistent dhe profesor. Më vonë ishte profesor i antropologjisë në Universitetin e Pensilvanisë (1948-1963), por edhe kuratori i Muzeut universitar të Filadelfias. Sipas albanologut Robert Elsie, Coon kreu hulumtime antropologjike në Afrikë (Marok 1925, Etiopi 1933), në Lindjen e Mesme, në Amerikën e Jugut dhe në Indi, dhe ishte autor i shumë veprave shkencore. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, së bashku me udhëtimet e tij shkencore, ai kryente edhe punën e zbuluesit për Zyrën e Shërbimeve Strategjike (Office of Strategic Services – OSS), pararendësja e CIA-s. Antropologu mësohet të ketë qenë në Shqipëri gjatë viteve 1929-1930, për të kryer një studim antropometrik mbi 1.067 shqiptarë të dhjetë zonave të Veriut, duke iu matur madhësitë dhe format të trupave të tyre. Studimi përfundoi në vitet 1946-1947 me ndihmën e komunitetit shqiptar të Bostonit dhe u botua nën titullin “The Mountains of Giants: a Racial and Cultural Study of the North Albanian Mountain Tribes” (Malësia e viganëve: studim racor dhe kulturor i fiseve të malësisë së Shqipërisë së Veriut), Kembrixh 1950. Studimi nuk pati ndonjë jehonë të madhe, pasi me sa duket ishte i tejkaluar. E megjithatë, një vlerë të veçantë në këtë studim kanë fotografitë e realizuara në Shqipëri. Portrete burrash dhe grash të malësisë, me veshjet karakteristike, duke kryer ritet tradicionale etj. Një dëshmi e rëndësishme janë dhe fotografitë që ai u ka realizuar krerëve të bajraqeve asokohe, ndër të cilët edhe Gjon Markagjoni. Fotografitë janë shkëputur nga vepra e Coon dhe nga libri i asistentit të tij shqiptar, Stavre Frashëri (1900-1965), “Përmes Mirditës në dimër”, Korçë 1930, në versionin anglisht “Through Mirdite in Winter,” Boulldër 2002.

Princi i Mirditës Gjon Markagjoni (1888-1966) me të shoqen, nënën dhe fëmijët (Foto: Carleton Coon 1929)
Antropologu i Harvardit, dr. Carlton Coon, duke i matur gjatësinë një malësori në Mirditë
Një virgjëreshë e betuar në Mirditë me shoqen e saj, 1929
Portret i një malësori shqiptar, me një shami lidhur rreth kokës e mjekrës

ALMA MILE

© Panorama.al

Te lidhura