Gjysma e kutive të numëruara deri në orët e vona mbrëmë për Bashkinë e Elbasanit, nxjerrin fit-ues Qazim Sejdinin.Kandidati i “Aleanca për të ardhmen”, i cili kërkon një mandat të dytë, kryeson me 4619 vota më shumë se rivali i tij, Durim Hushi, i zgjedhur nga “Aleanca për qytetarin”, propozuar nga LSI. Mbas një periudhe pushimi prej rreth 12 orësh, dje në orën 08:00 rinisi procesi i numërimit të votave në këtë KZAZ. Deri në orët e mbrëmjes janë numëruar 49 kuti nga 96 që janë gjithsej, ku Sejdini ka marrë 13670 vota, ndërsa 9051 për Hushin. Edhe pse janë ende edhe 56 kuti votimi, parashikohet që Hushi nuk mund të arrijë dot diferencën e madhe të fituar nga Sejdini deri më tani. Por gjithsesi, mund të ketë shanse në bastionin e djathtë të PD-së dhe LSI-së në lagjet “Skënderbej” apo “Fushëmbret”, ku gjithnjë kjo zonë ka votuar për kandidatët e koalicionit të djathtë. Por gjithsesi, edhe në këtë zonë nuk dihet se si mund të jetë votuar, duke marrë parasysh faktin se edhe lagjja “Kala” ka qenë gjithnjë bastion i djathtë dhe në këto zgjedhje lokale thuajse pjesa më e madhe votoi kandidatin Sejdini. Ndërsa në lagjen “5 Maji”, në periferi të qytetit, ku Hushi ka qenë për dy mandate deputet, votat kanë qenë sërish në favor të Sejdinit. Proçesi i djeshëm pati edhe një pjesëmarrje të gjerë vëzhguesish, ku binte në sy edhe pjesëmarrja e dy kandidatëve të ndarë në dy pjesët e Pallatit të Sportit. Sejdini, i shoqëruar me bashkëshorten e tij, ka qëndruar shumë pak dhe është larguar. Të njëjtën gjë ka bërë edhe Hushi, i cili bashkë me bashkëshorten ka ndjekur me qetësi numërimin e votave nga komisionerët. Gjithçka po vijon normalisht në këtë KZAZ, ku komisionerët dhe numëruesit vazhdojnë punën e tyre pa u hasur me asnjë incident nga vëzhguesit e përfaqësuesve të partive politike pjesëmarrëse ashtu edhe të vëzhguesve të kandidatëve. Procesin e numërimit e kanë vëzhguar edhe deputetët Ilir Bejtja dhe Luçiano Boçi, të cilët për asnjë moment nuk janë larguar nga KZAZ-ja. Parashikohet që në Bashkinë e Elbasanit të mbyllet procesi i numërimit të votave të mërkurën në mesditë. Ndërkaq, kanë përfunduar proceset e numërimeve në Bashkitë Cërrik, ku ka fituar kandidati i zgjedhur nga “Aleanca për qytetarin”, Servet Duzha, në Peqin, Ilir Rrushi i zgjedhur po nga PD-ja me një diferencë prej 1762 votash, në Bashkinë Belsh, Asqeri Kuqja me një diferencë prej 450 votash i zgjedhur nga “Aleanca për qytetarin”, në Bashkinë Librazhd Shefki Çota i zgjedhur nga “Aleanca për qytetarin” me një diferencë prej 584 votash dhe Bashkia Gramsh ku ka fituar Dritan Bici i zgjedhur nga PS-ja, me një diferencë prej 1554 votash. Gjithashtu ka përfunduar procesi i numërimit të votave në KZAZ Nr. 17 për kandidatët për kryetarë në Bashkinë e Përrenjasit. Bajazit Karriqi, i “Aleanca për qytetarin”, fitoi ndaj kryetarit aktual Artur Topi, i zgjedhur nga “Aleanca për të ardhmen”. Procesi i numërimit, i cili nisi rreth orës 14:00 dhe përfundoi rreth orës 19:30, nxori fitues kandidatin PD-së me 103 vota më shumë. Edhe në disa komuna PD-ja është fituese në qarkun e Elbasanit. Ndonëse kandidati i PS-së është në avantazh të thellë, PD-ja deri më tani ka marrë shumicën e anëtarëve të Këshillit Bashkiak.
Elbasan
Bashkia Peqin, Ilir Rrushi, PD
Bashkia Cërrik, Servet Duzha, PD
Bashkia Belsh, Aqeri Kuqja, PD
Bashkia Librazhd, Shefki Cota, PD
Bashkia Përrenjas, Bajazit Karriqi, PD
Bashkia Gramsh, Dritan Bici, PS
Komuna Bradashesh, Sabri Sollaku, PD
Komuna Papër, Gani Cani, PD
Komuna Kodovjat, Arjanit Cela, PD
Komuna Gjergjan, Lumturi Hoxha, LSI
Komuna Qendër, Enver Shkurti, PS
Komuna Qukës, Fatmir Kryeziu, PS
Komuna Shirgjan, Mustafa Shehu, PS
Komuna Shushicë, Lutfi Lala, PS
Komuna Tunjë, Reshit Bërdullima, PS
Komuna Kukur, Luan Koklaj, PS
Komuna Skenderbegas, Halit Pole, PS
Komuna Rrajcë, Haxhi Collaku, PS
Komuna Gostimë, Qamil Boja, PD
PS humbet Bashkinë, e merr PDIU
LIBRAZHD – Fiton me 584 vota më shumë Bashkinë e Librazhdit Shefki Çota, kandidati i zgjedhur nga “Aleanca për qytetarin” me propozim të PDIU-së. Ka qenë një surprizë e vërtetë jo vetëm për kandidatin, por edhe për qytetin fitorja e Cotës në këtë Bashki, pasi qyteti i Librazhdit njihet si një qytet me bindje të majta, dhe, në këto 20 vjet, kjo Bashki më së shumti është drejtuar nga kandidatë të majtë. Shefki Çota u zgjodh me propozim të Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet nga vetë Shpëtim Idrizi për të kandiduar në këtë Bashki dhe u mbështet nga deputeti Rrahim Çota. Ai kandidoi në këtë post dhe garoi me Enver Koçin, biznesmen në këtë qytet, i zgjedhur nga “Aleanca për qytetarin”. Numërimi i votave të kandidatit për Bashkinë e Librazhdit nisi rreth orës 11:00 të së hënës dhe përfundoi rreth orës 07:00 të së martës.
Fiton ish-futbollisti, Shëngjini per here te pare me ps ne 20 vjet
Rregullit të vendosur në këto zgjedhje për rrëzim të bastioneve i është nënshtruar edhe Shëngjini. Në këtë komunë, ku qysh nga viti 1990 kanë qeverisur të djathtët, këtë herë ka fituar koalicioni i majtë. Zgjedhja e kësaj aleance për të kandiduar Salvator Kaçajn, ish-futbollistin e Kombëtares Shqiptare duket se ka bindur qytetarët që ta votëbesojnë atë, duke e nxjerrë në avantazh karshi kandidatit tjetër të Aleancës për Qytetarin. Në shifra rezulton që Kaçi të ketë fituar me një diferencë prej 483 votash përballë kandidatit demokrat Zef Gjoka, ku i pari numëron te 2330 vota, kurse i dyti 1847 vota. Ndryshe ka ndodhur në komunën Shënkoll, ku Fran Frroka, fitoi të tretin mandat nën siglën e PD-së, ndaj rivalit socialist Bardhok Prenga, me një diferencë prej 1278 votash.
ELBASAN/ MIRANDA SADIKU
© Panorama.al











