“Seanca në Kushtetuese u shty për shkak të dosjes voluminoze”- Klodiana Lala: Vendimi i GJKKO-së për pezullimin e Ballukut ishte “i drejtë dhe i bazuar”

Dec 5, 2025 | 22:25

Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, ka komentuar zhvillimet më të fundit në hetimet ndaj ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, duke theksuar se SPAK po vijon intensivisht punën dhe se dosja ka marrë përmasa më të gjera se sa pritej fillimisht.

klodiana lala

Sipas Lalës, Balluku tashmë është “e pandehur zyrtarisht”, ndërsa krahas çështjes kryesore nën hetim po shqyrtohen edhe disa procedura tenderuese ku dyshohet për shkelje dhe përfshirje të saj. Ajo tha se një pjesë e rëndësishme e hetimeve lidhet me komunikimet e sekuestruara nga celularët e ish-drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberi, të cilat ai i ka kundërshtuar në gjykatë. Lala theksoi se nga analiza e këtyre të dhënave janë hapur disa pista të reja hetimore dhe janë identifikuar të pandehur potencialë.

“Kur sheh komunikime të tilla, kuptohet si tenderat përgjatë viteve janë dhënë me preferenca. Jo vetëm që dyshohen dëme me miliona euro, por shfaqen edhe probleme serioze me cilësinë e rrugëve,” u shpreh gazetarja.

Lala ndaloi edhe te ndikimi i mundshëm i gjuhës politike mbi punën e SPAK-ut, duke kujtuar se procesi ndaj Ballukut është ende në zhvillim dhe askush nuk mund të parashikojë se si do të mbyllet. Ajo komentoi edhe shtyrjen e shqyrtimit të kërkesës në Gjykatën Kushtetuese, e cila ishte planifikuar për 4 dhjetor. Kërkesa e kryeministrit Edi Rama synon rrëzimin e pezullimit nga detyra të Ballukut, duke argumentuar se vendimi i GJKKO-së cenon kompetencat kushtetuese të kryeministrit, Kuvendit dhe Presidentit. Rama kërkon jo vetëm heqjen e pezullimit, por edhe një interpretim të nenit përkatës.

Sipas Lalës, dosja është transferuar nga një kolegj gjyqtarësh drejt trupës së plotë të Gjykatës Kushtetuese, çka tregon ndjeshmërinë e çështjes dhe nevojën për kohë shtesë nga disa prej gjyqtarëve. Ajo theksoi se shpreson në një vendim të paanshëm dhe profesional, duke nënvizuar se vendimi i GJKKO-së për pezullimin e Ballukut ishte, sipas saj, “i drejtë dhe i bazuar”.

Gazetarja sqaroi se mandati parlamentar i Ballukut nuk preket nga masa, pasi ajo është deputete e zgjedhur, ndërsa funksionet e zv.kryeministres dhe ministres janë të emërueshme dhe rrjedhimisht “të pezullueshme”. Ajo kujtoi se një ministër gëzon të drejtat e deputetit edhe në rast se ndaj tij vendosen masa shtrënguese.

Sa i përket reagimeve publike të kryeministrit Rama në mbrojtje të Ballukut, Lala u shpreh me tone të forta: “Kryeministri mund të jetë duke u përpjekur të krijojë një mbrojtje për veten”, duke sugjeruar se ai mund të ketë frikë nga një veprim i mundshëm i SPAK ndaj tij. Ajo shtoi: “Kryeministri ka të drejtë legjitime t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, por është e rëndësishme që gjykata të mbetet e pavarur”.

© Panorama.al

Te lidhura