Sot në seancën plenare të kuvendit të Shqipërisë janë përfshirë dhe ligje me shumicë të cilësuar. Në rendin e ditës për t’u votuar janë ligji për ngritjen e Gjykatës Administrative dhe Kodi Penal, që kërkojnë një shumicë të cilësuar. Ashtu si dhe në seancën e parë të këtij sesioni, maxhoranca ka përfshirë ligjet që kërkojnë dhe votën e opozitës. Opozita ka kërkuar shtyrjen e tyre, ndërsa maxhoranca kërkon nga deputetët socialistë të tregojnë se do të jenë bashkëpunues në kuvend për reformat në vend. Pjesa më e madhe e kodeve, si kodi rrugor, kodi detar, kodi ajror, por dhe gjykata administrative kanë marrë pëlqimin e opozitës dy vjet më parë, por bojkoti i saj në parlament nuk bëri të mundur votimin e tyre. Deputetët socialistë, përmes Paktit për integrimin të paraqitur nga kryetari socialist kërkojnë rishikimin e këtyre ligjeve, për të bërë amendimet e nevojshme për vetë kohën e gjatë të diskutimit të fundit të tyre. Duket se socialistët kërkojnë garanci nga maxhoranca për të dhënë votën e tyre për këto kode. Vota e tyre për ligjet me shumicë të cilësuar është kushtëzuar me pranimin nga ana e maxhorancës të propozimit për reformën parlamentare ku ata kërkojnë rikthimin e rregullores së kuvendit tek ajo e para vitit 2009, kur është miratuar me konsensusin e të dy palëve.











