SARANDE – Tragjedi në fshatin Shalës të Sarandës. Dy vëllezër kanë humbur jetën si pasojë e asfiksisë nga gazi, ndërsa një i tretë ndodhet në gjendje të rëndë në spital. Ngjarja është shënuar rreth orës 19.45, të së premtes, në lagjen “Babiot” të fshatit Shalës, komuna Markat. Fitim, Pajtim dhe Agush Elmazi, të tre vëllezër, janë futur, në një pus uji, pranë banesës së tyre, për të vazhduar hapjen, të cilën e kishin nisur ditë më parë. Mbrëmjen e së premtes, pasi kishin arritur në thellësinë 10 metra, ata kanë përdorur shkallë litari për t’u futur edhe më poshtë. Me një gjenerator benzine, ata kanë vënë në punë një llampë dhe një pajisje shpuese. Pas rreth një ore punë, ka qenë pikërisht gazi i lëshuar nga djegia e benzinës në gjenerator, ai që mendohet se ka shkaktuar tragjedinë. Si pasojë, kanë mbetur të asfiksuar të tre vëllezërit. Fitim Elmazi, 40-vjeç dhe Pajtim Elmazi, 42-vjeç, kanë gjetur vdekjen pa mundur të marrin ndihmën e parë, ndërsa në gjendje të rëndë është transportuar drejt urgjencës “Stefan Mekshi” të Sarandës, Agush Elmazi, 37-vjeç. Ky i fundit ka helmim të gjakut, por gjendja e tij paraqitet jashtë rrezikut për jetën. Fitim Elmazi, babai i tre fëmijëve, një djalë e dy vajza, ishte biznesmen në Shalës, pronari i firmës së inerteve “Elmazi” sh.p.k, në Boga. Ndërsa Pajtimi Elmazi ishte babai i tre vajzave dhe punonte shofer tek firma e vëllait. Ndërkohë, që Agush Elmazi, punonte prej vitesh si fermer në Shalës. Familjarët ishin të interesuar për të lidhur ujin në shtëpitë e tyre, prandaj po hapnin pusin me qëllim të shfrytëzonin këtë burim për të siguruar ujin. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar dhe forca të policisë për të verifikuar rrethanat në të cilat u shkaktua vdekja e dyfishtë. Nga dëshmitë e mbledhura dhe vetë provat në vendin ku ndodhi helmimi i vëllezërve u arrit përfundimi se shkak ishte bërë gazi i lëshuar nga gjeneratori. Fatkeqësia ka pllakosur familjen Elmazi, ndërsa e vetmja fjalë e mirë ka qenë ajo se djali i tretë, pavarësisht gjendjes së rëndë nuk rrezikon humbjen e jetës. sh.d











