SARANDE/ Grabitja e emigrantes, pranga autorit

Feb 26, 2011 | 11:15

SARANDE – Gjurmët e gishtave zbulojnë autorin e vërtetë të grabitjes me dhunë të 52-vjeçares V.Jupe, më 9 shkurt të këtij viti, në fshatin Navaricë të Sarandës. Fillimisht, policia ka arrestuar 58-vjeçarin Hakan Bana, por hetimi i hollësishëm zbuloi se autori i grabitjes me maskë ishte i biri, Mentor Bana. E sapokthyer nga emigracioni, gruaja që jetonte e vetme u bë pre e dhunës dhe e grabitjes së parave që mbante në shtëpi. Policia e Sarandës ndaloi Hakan Banën, pasi në shtëpinë ku rrinte me qira me të birin, u gjetën disa prova nga grabitja. Mohimi i akuzës nga burri shtyu hetuesit drejt gjetjes së gjurmëve të tjera. Shenjat e lëna në vend pas përleshjes me të zonjën e shtëpisë u morën në ekspertim, duke nxjerrë konkluzionin se ato i përkisnin djalit të të arrestuarit, 34-vjeçarit Mentor Bana, i dënuar më parë për vjedhje. Ndërsa në qeli ka hyrë i riu, i ati i tij ka lënë paraburgimin.          sh.d

© Panorama.al

Te lidhura