Sarandë, Çipa: Më kërcënuan me armë bashkë me dy djemtë

May 2, 2011 | 12:20
Stefan Çipa

Kandidati socialist për Bashkinë e Sarandës, Stefan Çipa, kallëzoi në polici një incident të ndodhur të shtunën, ku sipas tij është kanosur me armë zjarri.Çipa pohon se kërcënimi është bërë nga persona të panjohur, për shkaqe politike, ndërsa policia njoftoi dje se ka vënë në procedim penal të dyshuarin.
Incidenti që çoi deri në nxjerrjen e pistoletës, siç pretendon Çipa, ndodhi gjatë kohës kur djemtë e tij po shihnin ndeshjen e futbollit mbrëmjen e së shtunës, në një lokal të Lagjes 4 në Sarandë. Ngjarja është shënuar rreth orës 22:50, në lokalin “Jesa”, ku ndodheshin dhe dy djemtë e Çipës: Jorgo e Marko Çipa, 23 dhe 16 vjeç, bashkë me persona të tjerë që po ndiqnin ndeshjen e futbollit. Sipas kandidatit Çipa, në një tavolinë tjetër, në të njëjtin lokal ndodheshin disa persona të panjohur, të shoqëruar nga Odise Gunari, vëllai i drejtorit të Urbanistikës në Bashkinë e Sarandës. “Ata i kanë kërcënuar dhe u kanë nxjerrë pistoletat fëmijëve të mi dhe dy të tjerëve që ndodheshin me ta, pjesë e stafit elektoral”, pohoi Çipa. Vetë kandidati dhe familjarë të tij kanë treguar se shkak është bërë kthimi i kokës nga televizori tjetër i djalit të vogël, në anën ku ndodhej grupi i personave, mes të cilëve vëllai i drejtorit të Urbanistikës. Në një moment, nga kjo tavolinë është ngritur njëri, që sipas Çipës është identifikuar si i ardhur nga Tirana me një “Xhip” me targa angleze, disa orë para mitingut të kryeministrit Berisha në Sarandë. Ai e ka kapur nga koka të birin e Çipës, duke iu kanosur: “Shiko andej!”. Në lokal ka shkuar edhe kandidati Stefan Çipa dhe kërkoi të sqarohej me personin që e kishte kërcënuar të birin. Por, që sipas vetë Çipës, i ka drejtuar edhe atij pistoletën. Ka qenë ndërhyrja e personave të ndodhur në lokal, që ka bërë të mos shkojë më tej grindja e nisur. Ndërsa ky është varianti i kandidatit socialist, policia e qarkut të Vlorës, me një njoftim zyrtar pohon se janë vënë në ndjekje penale në gjendje të lirë dy persona. Sipas policisë, ata janë Adrian Papagjika, 43 vjeç, dhe Odise Çipa (nipi i kandidatit), 45 vjeç, që të dy banorë të qytetit të Sarandës. “Procedimi penal ndaj këtyre dy shtetasve ka filluar pas kallëzimit që ka dhënë shtetasi Stefan Çipa, vjeç 52, banor i Sarandës, kandidat për kryetar Bashkie”, pohoi policia. Në deklarimin e saj bëhet e ditur se gjatë transmetimit të një ndeshjeje futbolli ka nisur një debat mes Adrian Papagjikës, i cili ka qenë i shoqëruar me shtetasin Odise Gunari e disa persona të tjerë dhe shtetasit Odise Çipa, nip i shtetasit Stefan Çipa, i cili ka qenë i shoqëruar nga shtetasit Jorgo dhe Marko Çipa, 23 dhe 16 vjeç, këta dy të fundit fëmijë të shtetasit Stefan Çipa”. Nga njoftimi i policisë pohohet se më vonë, në vend ka shkuar dhe vetë kandidati. “Pasi kanë dalë në rrugë shtetasit Odise Gunari dhe Odise Çipa janë konfliktuar, ku për rrjedhojë ka ngelur i dëmtuar lehtë shtetasi Odise Gunari. Nga kontrollet e ushtruara, pas pretendimit të një kërcënimi me armë zjarri kundrejt shtetasit Stefan Çipa nga shtetasi Andrea Papagjika, nuk është gjetur ndonjë send i kundërligjshëm. Papagjika është vënë nën hetim për kanosje, ndërsa nipi i Çipës për dëmtim me dashje.

Roskovec

Një tjetër incident i rëndë u shënua mbrëmë në qytetin e Roskovecit. Kandidati socialist për këtë bashki, Albert Tafaj denoncoi dje një rast kanosje, sipas tij nga të afërm të rivalit të tij politik, Gëzim Çaushi. Tafaj pohoi në polici se ngjarja ndodhi rreth orës 20:00 sapo kishte lënë lokalin ku kishte pirë kafe. Disa persona i kanë dalë para, duke e kërcënuar që të mos bënte fushatë elektorale. Përballë këtij presioni, Tafaj është paraqitur në policinë e Fierit për të denoncuar autorët. Por, disa minuta më vonë një tjetër ngjarje pasoi incidentin. Nipi i kandidatit socialist, Fatjon Xhelilaj, u rrah nga persona që i kanë thënë se po merrnin hak për denoncimin e dajës së tij. Në orët e mbrëmjes dajë e nip janë paraqitur në policinë e Fierit, ndërsa po punohet sipas uniformave blu për të zbardhur ngjarjen.

Plagoset vëllai i kandidatit të PD në komunën Farkë

TIRANE – Katër persona plagosin vëllain e kryetarit të komunës Farkë, i cili rikandidon me siglën e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 8 majit për drejtimin e këtij institucioni. Ngjarja ka ndodhur në orët e mbrëmjes së djeshme, kur katër persona që kanë zbritur nga dy automjete kanë ushtruar dhunë në mënyrë të organizuar ndaj shtetasit Gani Plaku, 45 vjeç, i cili është vëllai i kryetarit të komunës Farkë, Fatbardh Plaku. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:40, kur sipas të dhënave të Policisë, shtetasi Gani Plaku ka dalë nga një lokal i Farkës dhe është nisur të afrohet tek mjeti i tij, me qëllim që të largohej në drejtim të banesës. Siç ka dëshmuar edhe vetë 45-vjeçari i dëmtuar, vëllai i kandidatit demokrat për komunën Farkë, në këtë kohë, dy makina janë afruar në vendin e ngjarjes dhe prej tyre kanë zbritur katër persona. Katër personat kanë ushtruar dhunë fizike ndaj Gani Plakut në orët e mbrëmjes së djeshme. Vëllai i Fatbardh Plakut, që kandidon për një tjetër mandat në komunën e Farkës, është qëlluar për disa minuta me shkelma dhe grushte si dhe me sende të forta, si shkopinj dhe gurë. Më pas, autorët e ngjarjes janë larguar ndërsa në vendin e ngjarjes ka mbërritur policia. Shërbimet e rendit i kanë dhënë ndihmën e parë 45-vjeçarit dhe më pas e kanë marrë në pyetje atë në lidhje me ngjarjen. Vëllai i kandidatit të PD për komunën Farkë ka thënë se nuk i njeh personat që e sulmuan dhe po ashtu ka theksuar se nuk ka arritur të fiksojë as targat e automjeteve. Gani Plaku ka thënë se nuk i ka njohur autorët e ngjarjes, por ka pohuar se një sulm i tillë nuk ka motive të tjera veç kandidimit të vëllait në komunën Farkë. Në polici 45-vjeçari ka thënë se nuk ka konflikte apo probleme personale. e.d

 

SARANDE/ SHPRESA DINE

© Panorama.al

Te lidhura