
“Do jenë 28 këngë 100% live, që shoqërohen nga 53 instrumentistë e back vokale”
Nuk ka rëndësi se ç’moshë kanë. Ata presin radhën e provave e pas asaj dere emocionet janë gjithnjë të forta për të gjithë. Teksa kanë mbetur 11 ditë nga ngritja e siparit të Festivalit të 50-të të Këngës në RTSH, provat janë bërë më intensive. “Fakti që do të jetë 100% live, e bën punën edhe më impenjative”, thotë drejtori artistik Shpëtim Saraçi, të cilin vështirë ta gjesh pak minuta të lirë këto ditë. Kjo puna e të kënduarit live ka kaq vjet që diskutohet, pa ia arritur dot, por kësaj here Saraçi premton se është e vërtetë. Në ato pak minuta që e shkëputëm nga salla e provave, ai tregon për festivalin, trendet e këtij viti, natën gala, por edhe përpjekjet për të arritur standardet më të mira të festivalit të këngës dhe, pse jo, të arrihen dalëngadalë edhe ato të Festivalit Europian.
Të jesh drejtuesi artistik i një festivali, duhet të jetë e vështirë, por dhe më e vështirë dhe më me përgjegjësi bëhet kur përkon me një jubile….
Është pa dyshim e vështirë, por para së gjithash është një nder i jashtëzakonshëm. Në Radio Televizionin Shqiptar unë ndihem si në shtëpinë time. Këtu kam filluar dhe këtu po rikthehem për të qenë pjesë e këtij festivali, i cili përkon edhe me 50-vjetorin e tij.
Gjithmonë është folur që festivali do të jetë live, por asnjëherë nuk ka qenë 100%… Të besojmë kësaj here?
Këtë herë është 100% live, madje mund ta them me germa të mëdha. Do të jetë muzikë e gjallë. Kjo e bën punën edhe më impenjative. Me këtë kam parasysh tri net festival, përveç natës gala. Do të jenë 28 këngë, që shoqërohen nga 53 instrumentistë, përfshirë dhe back vokalistët, kemi në dispozicion shërbimet e 5 dirigjentëve. Teknikisht jemi mbështetur nga një firmë shqiptare dhe dy teknikë italianë tepër të njohur. Po bëhen prova përditë, me një ritëm të jashtëzakonshëm… Shpresojmë që të bëjmë më të mirën…
Shohim kthimin në festival të emrave të vjetër të krijuesve, mund të themi se u është rikthyer besimi tek ky festival?
Ajo që unë kam ndier, është një nostalgji për festivalin, për traditën e tij 50-vjeçare, për t’u rikthyer dhe për të dhënë më të mirën. Nuk është thjesht për faktin që po bëhet live.
Cilat janë trendet që dominojnë festivalin?
Kemi pak nga të gjitha, por sigurisht edhe interpretimi live bën që të spikasin disa gjini që janë më të përshtatshme për këtë lloj interpretimi. Muzika dance për shembull nuk është aq e përshtatshme për t’u kënduar live, pasi përgjithësisht luhet nga DJ, madje edhe muzika hip hop dhe R&B, pavarësisht se ne kemi përfaqësues shumë të mirë të këtyre rrymave. Në festival marrin pjesë hiphopista të konfirmuar prej vitesh e vitesh, siç është dr. Flori, që ka një këngë shumë të fortë. E mora këtë shembull për të treguar se nuk ka stepje ndaj interpretimit live. Në festival unë shoh emra të rinj, të vjetër, apo të mesëm që kanë marrë pjesë në festivalet e shkuara dhe janë prezentë në shumë aktivitete. Kjo lloj larmie më vjen për shtat, sepse bën që festivali të ketë larmi moshash, ngjyrash. Dhe duke pasur një kolorit kaq të pasur, shtohet edhe interesi.
Ndoshta nuk ju takon juve ta thoni, megjithatë a parashikohet garë e fortë këtë vit, apo do ta gjejmë menjëherë fituesin?
Konstatoj se ka disa këngë të mira, nuk mund të them as numra e as emra, pasi janë shijet e mia personale dhe këtë nuk e diskutoj me njeri. Nuk kam dëshirë të përzihem me punën e jurisë, qëllimi im është të merrem vetëm me anën profesionale të festivalit, t’u vihem në shërbim të gjithë artistëve që marrin pjesë, këngëtarëve, krijuesve, orkestruesve etj., etj. dhe të bëj më të mirën për të ndihmuar në rritjen e standardit nga viti në vit. Nëse ne do të japim maksimumin, duke kthyer standardin më të mirë, që ka pasur dikur festivali, mendoj se ky aktivitet do të marrë të tjera ngjyra, që janë shumë të vlefshme.
Mos ndoshta ky festival është vënë më shumë seç duhet në shërbim të Festivalit Europian?
Kjo është shumë e drejtë. Jam ndër ata që kanë ngulur këmbë që festivali të kishte koloritin e vet dhe të mos ishte i ndikuar shumë nga pjesëmarrja në Festivalin Europian, megjithatë nuk mendoj se Eurosongu e pengon festivalin. Madje mendoj që dalëngadalë ne t’u afrohemi standardeve ndërkombëtare të muzikës dhe të konkurrimit atje dhe të kuptojmë shumë mirë që kemi vite përpara për të arritur në standardin e Europianit. Kjo është krejt normale, sepse tek e fundit, ne kemi pasur një shkëputje 40-vjeçare nga muzika botërore dhe befas u lirua gjithçka dhe nuk u hap një rubinet, por një ujëvarë e tërë që mori me vete ç’gjeti përpara e shtriu përdhe ndokënd. Tashmë është koha që ne të ecim dalëngadalë për të kapur këtë vrap të domosdoshëm. Në Festivalin Europian ne dërgojmë një përfaqësues, por unë nuk mendoj që ai duhet të jetë qëllimi bazë i festivalit tonë. Ky qëllim duhet të jetë muzika e mirë, interpretimi live dhe dhënia e emocioneve reale në skenë. Kjo mendoj se do i japë një vlerë të veçantë festivalit.
Do të ketë edhe një natë gala, si e keni konceptuar?
Do të jetë një kënaqësi e veçantë ajo natë. Ka qenë një propozim i drejtorit të përgjithshëm të RTSH-së, z. Petrit Beci, për të kujtuar këngët më të mira të festivaleve tona. Praktikisht ka qenë shumë e vështirë, sepse kemi 49 këngë fituese dhe t’i këndosh të gjitha në të njëjtën natë, shkon shumë gjatë…
E ndoshta ka edhe shumë e shumë këngë të tjera që meritonin çmimin e parë, por nuk e kanë marrë apo jo…?
Absolutisht. Unë personalisht mendoj se këngët më të mira kanë pasur çmimet e dyta e jo të parat… Por tashmë ato u përkasin festivaleve dhe nuk mund të gjykojmë se ç’ka ndodhur në to. Jemi detyruar të mbledhim një komision profesional, që përzgjodhi 26 këngë që do të ngjiten në skenë natën e tretë. Do të jenë me regjistrim. Të gjithë artistët do të jenë në skenë atë natë. Është konceptuar tërësisht ndryshe nga netët e tjera të festivalit. Kemi menduar një këngë për çdo kompozitor, pasi disa kanë fituar më shumë se një. Personalisht kam fituar tri herë çmimin e parë, por zgjodhëm vetëm një këngë. Po kështu edhe shumë kolegë të mitë. Kështu që ky ka qenë kriteri bazë.
Kush do t’i interpretojë?
Janë ofruar për t’i interpretuar ata këngëtarë që jetojnë dhe kanë mundësi vokale për të kënduar ato këngë me të cilat dikur kanë fituar çmimin e parë. Ndërsa pjesa tjetër do të interpretohet nga këngëtarë më të rinj, që kanë dhënë kontribut në festivalin e dhjetorit. Në këtë natë nuk do të mungojnë edhe tre përfaqësues nga Kosova. Në këtë retrospektivë të muzikës shqiptare duhet të ishin të pranishëm edhe artistët kosovarë, të cilët sa herë kanë marrë pjesë kanë sjellë freski në festival, pavarësisht se nuk kanë marrë çmime të para. Në këtë 50-vjetor, Kosova ka vendin e vet, aq më tepër që të gjithë shqiptarët janë shumë të ndjeshëm kundrejt saj.
ALMA MILE
© Panorama.al











