Samiti “PACT OF FREE CITIES”, Rama: Më parë na shihnin me përçmim, sot Tirana është platformë e arkitekturës bashkëkohore! Çfarë më tha gazetarja italiane kur mora detyrën si kryebashkiak

Feb 5, 2025 | 15:30

Tirana mikpriti sot Samitin e “Pact of Free Cities”, me pjesëmarrjen e 20 kryebashkiakëve dhe përfaqësues nga metropolet më të mëdha të Europës dhe botës, të cilët ndanë eksperiencat dhe perspektivat mes tyre për zhvillimin e qëndrueshëm dhe forcimin e bashkëpunimit.

Screenshot_3

Samitin e përshëndeti edhe Kryeministri Edi Rama, i cili tha se, sot, kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana është kthyer në një platformë të jashtëzakonshme të arkitekturës bashkëkohore me projekte interesante arkitektësh prestigjozë dhe ky është vetëm fillimi i një gjerdani goxha të gjatë veprash mbresëlënëse të kësaj arkitekture.

Gjatë fjalës së tij kryeministri Edi Rama foli për zhvillimin pozitiv të Tiranës si kryeqytet i Shqipërisë.

Rama tha se periudha kur ai ka patur postin e kryetarit të bashkisë ka qenë një ndër periudhat që ai nuk do ta harrojë kurrë. Rama iu referua eksperiencës së tij personale me një gazetare italiane kur ai ishte kryebashkiak.

Ai tha se aso kohe gazetarja e huaj i kishte thënë se nuk kishte se çfarë të fotografonte në qytet përpos njerëzve.

Rama: Përshëndetje dhe në radhë të parë i uroj mirëseardhjen të gjithë miqve që kanë marrë avionët për të ardhur në këtë samit dhe është e vërtetë që detyra e kryetarit të bashkisë është një detyre shumë e posaçme dhe pa diskutim, duke qenë se unë vetë kam pasur privilegjin që të mbuloj disa lloj detyrash të larta është e vetmja e cila të mbetet në lëkurë si eksperiencë, pasi është e vetmja ndër të gjitha detyrat publike ku kontakti dhe distanca me tjetrin, është jashtëzakonisht e shkurtër dhe raporti me vendin ku banon është jashtëzakonisht fizik, gjë që nuk ndodh me asnjë detyrë tjetër, të paktën nga eksperienca ime.

Është pa diskutim privilegj i veçantë që t’i drejtohesh nga ai pozicion ku unë jam sot këtij samiti dhe është pa diskutim edhe nder i veçantë që te kemi këtu të pranishëm edhe përfaqësues të shumë qyteteve, ndërkohë që unë dua që të përmend eksperiencën time të parë frymëzuese drejtpërdrejtë për çka më pas u bë pjesë e punës sime që është eksperienca në Barcelonë.

Barcelona është një destinacion dhe një territor ku sipas meje çdokush që merr përsipër të drejtojë një qytet apo të drejtojë një fshat, duhet ta prekë edhe duhet ta shohë nga afër sepse është një klasë e hapur për të marrë mësime për qasjen ndaj hapësirës publike, për qasjen ndaj zhvillimit urban, për qasjen ndaj të bukurës në arkitekturë. Kur unë u bëra kryetar i bashkisë, pata pastaj privilegjin që të kem disa marrëdhënie me Barcelonën dhe privilegjin që të kemi këtu si mik të ftuar një ndër ri-rilindësit e Barcelonës moderne Josep Acebillo që na ndikoi jashtëzakonisht shumë në punën tone me filozofinë e tij të akupunkturës e cila luajti një rol të posaçëm në rilindjen e Tiranës.

Pa diskutim që nuk mund të mos e kujtoj edhe eksperiencën në Holandë, qoftë në Amsterdam, qoftë në Roterdam. Në Amsterdam kemi pasur dëshirën e madhe që të mësojmë mbi planifikimin urban dhe pastaj nga Roterdami kemi marrë goxha eksperiencë falë Institutit Berlage me të cilin krijuam një lidhje organike me bashkinë e Tiranës dhe sot disa protagonistë të asaj kohe vazhdojnë të jenë prezentë në Tiranë dhe në Shqipëri në punët tona të zhvillimit urban.

Të drejtosh një qytet dhe të punosh për një qytet, ka dhe këtë mundësi dhe kënaqësi të veçantë sepse të jepet rasti të shohësh dhe të mësosh nga eksperienca e të tjerëve në mënyrë shumë direkte pasi gjërat në një mënyrë ose në një tjetër, pavarësisht nivelit të shkallës së zhvillimit ose shkallës së vështirësisë janë të njëjta, sfidat janë të njëjta dhe është e pabesueshme për mua ose më saktë është kënaqësi sepse e besueshme është bërë tanimë që Tirana të ketë mundësi të mikpresë përfaqësues të këtyre qyteteve që deri dje ishin si muzeumet e kryeveprave të artit për piktorët e provincës.

Nuk ka qenë e imagjinueshme deri jo shumë vite më parë që ne të bëheshim një vend mikpritës i samiteve, i konferencave ndërkombëtare apo edhe i një konference si kjo, i një samiti, si ky ku ka shumë të tjerë para nesh dhe për të mos mbetur vetëm në Perëndim, dëshiroj të shpreh shumë respekt edhe shumë admirim për çfarë kanë bërë kryetarët e bashkisë në Varshavë.

Varshava është një platformë për të parë edhe për të kuptuar se si mund të transformohet në një periudhë relativisht të shkurtër dhe se si mund të vihet në shërbim të jetës bashkëkohore një territor, një qytet me shumë trashëgimi kulturore, por ku e gjithë periudha e komunizmit krijoi një frenim dhe krijoi një ngrirje.

Më vjen jashtëzakonisht mirë që këtu në Tirane jo vetëm mund të ofrojmë mikpritjen tonë. Me këtë mikpritje besoj që i mundim holandezët, nuk diskutohet edhe gjithë këta perëndimorë, përveç spanjollëve sepse spanjollët janë pak si ne, katalanasit janë shumë si ne për hir të së vërtetës  dhe përveç mikpritjes të mund t’i ofrojmë dhe mundësinë e një eksperiencë në një qytet, në një kryeqytet që sot është bërë edhe një nga destinacionet kryesore turistike të Shqipërisë, gjë që nuk mund të imagjinohej deri disa vite më parë.

Një qytet ku më kujtohet se me çfarë lloji turpi dhe me çfarë lloj skuqjeje në fytyrë e kam përjetuar kur sapo isha bërë kryetar bashkie dhe një gazetare dashamirëse italiane më tha; “ më vjen shumë keq po në këtë qytet nuk mund të fotografosh asgjë përveç njerëzve’’. Realisht ishte kështu.

Po të doje ta mbrojë Tiranën ose më saktë t’i mbroje shqiptarët nga sytë përçmues vetvetiu të atyre që na shihnin nga jashtë, nuk mund t’i tregoje dhe nuk duhet t’i tregoje fotografi nga Tirana apo nga qytetet e tjera të Shqipërisë. Duhet të mbaje aparatin të drejtuar nga qielli, nga malet, nga deti por në asnjë mënyrë nga qyteti. Sot është krejt ndryshe dhe sot Tirana është kthyer edhe në një platformë të jashtëzakonshme të arkitekturës bashkëkohore.

Ne kemi në Tiranë edhe në gjithë Shqipërinë për hir të vërtetës sepse shumë projekte interesante po zhvillohen edhe në pjesë të tjera të vendit, një numër të konsiderueshëm arkitektësh të prestigjit më të lartë ndërkombëtar, janë 8 apo 9 “Pritzker Price” që bëjnë projekte në Shqipëri dhe Tiranës i shkon më së miri ajo shprehja “Lum kush të rrojë, ta shohë zonjë”, sepse do të duhet edhe ca kohë që të gjitha këto projekte të kthehen nga dosje të punuara prej arkitektesh të jashtëzakonshëm, në objekte të jashtëzakonshëm.

Megjithatë qysh tani ka filluar edhe duket kjo që po ndodh dhe ky është vetëm fillimi i një gjerdani goxha të gjatë veprash vërtet mbresëlënëse të arkitekturës bashkëkohore.

© Panorama.al

Te lidhura