Samiti kyç në Bruksel, BE-ja mblidhet sonte përballë vendimit për përdorimin e aseteve ruse të ngrira për Ukrainën

Dec 18, 2025 | 22:18

Liderët evropianë po mblidhen sonte në Bruksel në një përpjekje intensive për të arritur një marrëveshje mbi përdorimin e aseteve ruse të ngrira, me vlerë rreth 210 miliardë euro, për financimin e një huaje masive për Ukrainën. Negociatat po vënë në provë unitetin dhe besueshmërinë e Bashkimit Evropian, ndërsa diferencat mes shteteve anëtare mbeten të theksuara.

be

Gjatë gjithë ditës, këshilltarë dhe zyrtarë të vendeve të BE-së kanë zhvilluar konsultime të vazhdueshme për të kapërcyer kundërshtimet e Belgjikës, ku ndodhet pjesa dërrmuese e aseteve ruse të ngrira – rreth 185 miliardë euro të depozituara në institucionin financiar Euroclear. Dy zyrtarë të lartë të BE-së kanë bërë të ditur se ka gjasa të shtuara që parametrat bazë të një marrëveshjeje të formësohen deri vonë sonte ose në orët e para të mëngjesit të së premtes.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se nuk do të largohet nga godina e Këshillit Evropian pa një marrëveshje për financimin e Kievit, duke theksuar peshën politike të këtij vendimi. Sipas vlerësimeve evropiane, pa mbështetje financiare nga BE-ja, Ukraina rrezikon të mbetet pa fonde në tremujorin e dytë të vitit të ardhshëm, çka mund të sjellë pasoja serioze në fushën ushtarake dhe të rrisë kërcënimin e agresionit rus ndaj vetë Evropës.

Plani në diskutim parashikon përdorimin e aseteve të Bankës Qendrore Ruse si garanci për huanë ndaj Ukrainës. Belgjika, megjithatë, shpreh shqetësime të forta për rreziqet ligjore dhe financiare, në rast të padive të mundshme nga Rusia. Kryeministri belg Bart De Wever ka deklaruar se vendi i tij ende nuk ka marrë garanci të mjaftueshme për t’u mbrojtur nga rreziqet e likuiditetit dhe proceset gjyqësore.

Kryeministri polak Donald Tusk u bëri thirrje liderëve evropianë të marrin vendime të menjëhershme, duke deklaruar se “tani zgjedhja është e thjeshtë: ose para sot, ose gjak nesër”. Ai theksoi se ekziston një dakordësi paraprake që huaja është zgjidhja më e preferuar, edhe pse negociatat mbeten të vështira dhe teknike.

Në sfond, po shqyrtohen edhe skenarë alternativë, përfshirë një mekanizëm “bashkëpunimi të forcuar” që do t’i lejonte një grupi shtetesh të ecë përpara pa unanimitet, duke anashkaluar vendet që kërcënojnë me veto. Megjithatë, burime diplomatike theksojnë se përdorimi i aseteve ruse të ngrira mbetet praktikisht “opsioni i vetëm realist”.

Ndërkohë, të gjitha çështjet e tjera të axhendës së samitit, nga zgjerimi i BE-së te Lindja e Mesme, kërcënimet hibride, migracioni dhe buxheti afatgjatë i Unionit, janë miratuar njëzëri, duke e lënë financimin e Ukrainës si çështjen e vetme të hapur dhe vendimtare të këtij takimi.

© Panorama.al

Te lidhura