Nga “Femër fatale” në “Top Fest 7”, ku iu desh të qëndronte mbi taka, ekzaktësisht pas një viti vendos t’i hedhë tej këpucët e larta, ndërsa performon në po të njëjtën skenë këngën R&B “Provoje dhe njëherë”. Sepse Samanta Karavella është vetëm 20 vjeç, dhe në stilin e kukullës shfaqet e vërtetë dhe sigurt, dhe ndaj vetëm në 48 orët e para të perfomancës ka regjistruar 3 mijë klikime në youtube. Me një zë që ia ka falur Zoti, sapo të ketë mbushur 21 vjeç do të nxjerrë albumin e saj të parë në bashkëpunim me shumë këngëtarë të njohur. Nga emocionet e provuara tek Ethet, dhe deri tek konkurrimi i fundit në “Top Fest 8” ka kaluar disa vite në muzikë. Por tani e tutje do të jetë ndryshe. Samanta zbulon strategjinë e saj për të dominuar si një artiste që përfaqëson gjeneratën e 20 vjeçarëve
Pas konkurrimit në “Top Fest 8” me këngën me titull “Provoje dhe një herë”, vihet një ndryshim kryekëput nga Samanta e një viti më parë me “Femër fatale”. Pse?
Po, sepse një vit më parë ndërsa këndova këngën “Femër fatale” në “Top fest 7”, u shfaqa me idenë për t’i hyrë rrymës moderne. Ishte një taktikë për t’u prezantuar me një “look” të ri, por ajo që patë një vit më parë nuk ishte Samanta, unë thjesht po luaja rolin e femrës fatale, pasi qëllimi i artistit nuk është të shfaqë vetveten por të bëjë një gjetje speciale që të prekë publikun.
Vihet re që këpucët e larta te “Femra fatale”, i ke zëvendësuar me ato të sheshta. Pse?
Kjo sepse femra fatale ishte për t’u shfaqur pak e rritur, për të mos u quajtur më unë ajo Samanta e vogël. Por në konceptin tim nuk është fatale një femër që ndryshon thjesht look, dhe që duket e rritur para kohe. Tek ajo këngë në majë të takave ishte thjesht një taktikë për të tërhequr vëmendjen. Ndaj vendosëm bashkë me menaxherin tim që t’i heq takat, pasi ky stil më tregon mua në moshën që unë kam. Nuk dua të dal nga vetja për hir të tregut muzikor, mendoj se me këtë look prej 20 vjeçareje jam pëlqyer dhe po ashtu mendoj se ky lloj artisti i mungon tregut muzikor sot.
Po jeton periudhën e transformimit skenik në “look”. Çfarë modeli artisteje përfaqëson ti në skenë?
Mua më pëlqen të sjell frymën e re të stileve të shumëllojshme skenike, përderisa përfaqësoj gjeneratën e re të cilës i përkas. Gjithsesi, transformimi im ka qenë thjesht në ngjyrën e flokëve të cilat nga të zeza në fillim, kaluan tek e kuqja në këngën “Start”, për të ndaluar te “Portokallia” ngjyra e flokëve që kam aktualisht.
E kujt ishte ideja që ti të dalësh me këtë stil?
Që nga “Femër fatale” unë bashkëpunoj me Big Bastën, ndërsa menaxhimin tim si këngëtare dhe PR e bën kompania “Start”, një kompani që përfshin disa emra të tjerë, artistët të vërtetë profesionistë.
Kënga jote “Provoje dhe një herë” ka një fabul që një vajzë e sigurt në vetvete i jep të dashurit një mundësi të dytë. Ti në jetë a je duke jetuar një histori të bukur dashurie?
Në fakt kënga është këngë dhe s’ka të bëjë me mua. Por për pyetjen që më bëni do të them jam shumë e lumtur për jetën personale pasi më ka bërë të kem shumë njerëz të mirë afër që më duan dhe respektojnë. Ju them se kur të jem e sigurt do flas për fansat e mi për këtë çështje shumë private të jetës sime.
Ende nuk e ke publikuar një album, kur ke planifikuar ta nxjerrësh albumin tëndë të parë?
Unë tashmë jam në menaxhimin e kompanisë “Start” siç ju thashë, dhe po punojmë për realizimin e këngëve nga “Big City Studio’s” për përfundimin e albumit tim të parë ku bashkëpunoj me shumë këngëtarë të njohur. Albumi pritet të dalë këtë vjeshtë, dhe sigurisht që do të shoqërohet me një klip.
20-vjeçare si Samanta
Sa orë lexon në ditë?
Tri orë gjithsej.
Frekuenton jetën e natës?
Po, dal në fundjavë dhe argëtohem në club-e me shoqërinë.
Ke më shumë miqësi me vajza apo djem?
Kam shoqëri me vajza.
Shkon në kinema, filmi që të ka bërë ta shohësh?
Po më pëlqejnë filmat në 3D, por së fundi kam parë filmin “Black swan”.
Preferon të drekosh në shtëpi apo jashtë?
Në të shumtën e rasteve preferoj të ha në fast food.
Bën më shumë dhurata apo merr?
Unë bëj shumë dhurata.
Jeta jote është më shumë reale, apo virtuale?
Besoj që bëj jetë reale, jetë virtuale shumë pak.
Je e fiksuar pas veshjeve?
Mund të them se i ndjek tendencat e fundit të modës dhe më pëlqen të bëj shopping.
Çfarë marrëdhënieje ke me telefonin, sa mesazhe shkëmben në 24 orë?
Shumë të ngushta, shkëmbej deri në 500 sms.
E ke provuar dashurinë, e di çfarë është?
Po e kam provuar, por s’kam vendosur ende për lidhje serioze.











