Salihi: Do shkoj te Sëlltik

Jan 11, 2012 | 13:32
Hamdi Salihi

Hamdi Salihi kërkon të vishet bardhejeshil. Shkodrani ka konfirmuar interesimin e Sëlltikut, duke pohuar se për të do ishte një ngjitje në karrierën si futbollist, por nuk ka harruar të theksojë edhe rëndësinë që merr tratativa, kur në mes futen interesat e dy klubeve, kur flitet për parà. Siç dihet, Rapidi i Vjenës kërkon më shumë se 1 milion e gjysmë euro për kartonin e sulmuesit të Kombëtares shqiptare, ndërsa nga ana tjetër skocezët e Sëlltikut kanë ofruar deri tani vetëm 500 mijë euro. Kjo shifër përbën edhe ngërçin kryesor në tratativa, të cilat priten të mbyllen brenda javës tjetër. Në një prononcim për të përditshmen austriake “Kurier”, Salihi ka pohuar se dëshiron me çdo kusht që të luajë për Sëlltikun, ku më parë është aktivizuar edhe një tjetër shkodran, Rudi Vata. Sëlltik është një emër i madh i futbollit europian dhe për mua është një nder i madh të vesh fanellën e kësaj skuadre. Por duhet ta pranoj se deri tani nuk kemi ndonjë gjë konkrete, pasi tratativa nuk ka ecur shumë përpara. Do ishte mirë që dy klubet së pari të binin në ujdi për vlerën e kartonit dhe më pas të flisja për termat e kontratës sime me drejtuesit skocezë. Shpresoj që tratativa të mbyllet shpjet si dhe në të mirë të Sëlltikut, por edhe Rapidit të Vjenës”, ka pohuar Salihi. Sakaq, për sulmuesin shqiptar ka folur edhe trajneri i Sëlltikut, Neil. “Ne jemi të interesuar për atë dhe dy lojtarë të tjerë. Po punojmë që të vijnë në skuadër, por nëse nuk arrihet marrëveshja, nuk do të thotë se Sëlltiku është një skuadër më e dobët. Ju siguroj se jemi sërish kompetitivë”, ka pohuar Neil. Salihi ka dalë nga shkolla shkodrane e futbollit, ku luajti edhe dy sezone. Më pas, ai kaloi fillimisht te Panionosi në Greqi, ndërsa më pas u rikthye te Tirana. Në 2007-n, Salihi firmosi për Riedin në Austri dhe në harkun e vetëm dy sezoneve arriti t’i bindte gjigantët austriakë të Rapidit që ta blinin. Shkodrani firmosi deri në qershor të 2012-s me këtë ekip dhe në verën e vitit të shkuar refuzoi që ta rinovonte kontratën me këtë klub, për shkak të ofertës së njëjtë financiare që i bënë drejtuesit. Salihi pati kërkuar rritje rroge, por kjo nuk u miratua, ndaj edhe ai u la më së shumti në stol për pjesën e parë të sezonit. Gjithsesi, austriakët duan që ta shesin me patjetër gjatë janarit, pasi në të kundërt rrezikojnë që Salihi të largohet në fund të sezonit me parametër zero. Në këtë kontekst, mendohet se Rapidi mund edhe të pranojë shifra më të ulëta se 1.5 mln euro për të nxjerrë të paktën 600 mijë eurot që i pagoi Riadit në 2009-n.

Vlonjati e pështyu gjatë miqësores Hanover-Këln
Roshi kërkon falje për gjestin ndaj Stopelkamp

Odise Roshi u ka kërkuar publikisht të falur trajnerit, kolegëve të skuadrës dhe tifozëve të Këlnit për gjestin ndaj lojtarit të Hanoverit, Moritz Stopelkamp, në miqësoren e para dy ditëve në Portugali, ku ndodhen këto dy skuadra në fazë përgatitore. “Fola me djaloshin dhe ai e kishte kuptuar mirë se kishte gabuar. Më kërkoi të falur dhe u mundua që të më sqaronte se çfarë kishte ndodhur në atë moment. Ndërkaq, duhet të sqaroj se Roshi më tha që kishte pështyrë në fushë dhe jo në fanellën e Moritz Stopelkamp, paçka se në atë moment kishte një lloj acarimi mes dy lojtarëve”, – ka sqaruar dje për mediat trajneri i Këlnit. Roshit nuk i mbajtën nervat, pas një ndërhyrjeje të gabuar në dëm të tij nga mesfushori gjerman Stopelkamp, ndaj dhe e ka pështyrë këtë të fundit. Ndërsa prestigjiozja gjermane “Bild” e krahasoi incidentin mes Roshit dhe Stopelkamp me atë që bëri Frenk Rajkard kundër Rudi Fëlerit në ndeshjen e Botërorit 1990, kur Gjermania mundi 2-1 Holandën.

LEONARD KARAJ

© Panorama.al

Te lidhura