Salianji: Rrugët e Ballukut pa standarde, po shemben dhe rrezikojnë jetët e qytetarëve! Triportin e Vlorës ia dhanë një pensionisti

Nov 26, 2025 | 21:45

Jo vetëm që Belinda Balluku nuk shkarkohet dhe s’jep dorëheqjen, por rrugët që ka ndërtuar tani po rrezikojnë jetët e qytetarëve sepse u bënë pa cilësi që të vidheshin paratë e buxhetit dhe të inauguroheshin me daulle dhe valle për zgjedhje.

belinda balluku

Kështu shprehet ish-deputeti i PD-së, Ervin Salianji për zhvillimet më të fundit, ku zv/kryeministra është e pandehur dhe me masë sigurie pezullim nga detyra, bllokim pasaporte dhe ndalim për dalje jashtë shtetit, në lidhje me tenderin e tunelit të Llogarasë dhe Unazës së Madhe.

I ftuar në emisionin Oponencë të “News 24”, Salianji renditi të gjitha abuzimet infrastrukturore që shoqërohen edhe me skandalin tjetër të mosdorëheqjes apo mungesës së shkarkimit, ku kryeministri vijon ta mbrojë zëvendësen e tij.

“Nuk ka dorëheqje Balluku, e jo më Rama ta shkarkojë, që as nuk të shkon mendja. Nuk ka shkarkim, por kemi një lëvizje siç është ankesa për pezullim të procedimit, pra të rrëzohet pezullimi i Ballukut. Ndërkohë që shqetësimi është ai që thotë Prokuroria dhe Gjykata se ky person mund të prishë hetimet e të helmojë prova, kurse nga ana tjetër hiqet mendja nga abuzimi i 50 milionë eurove. Ku për njerëzit që nuk kanë ngrihet pyetja se çfarë mund të blihej me këto para, në aspektin e ushqimeve, se njerëzit nuk kanë të hanë”, tha ish-deputeti demokrat.

salianji

Ai kërkoi që ligji të respektohet dhe me prioritet është parandalimi i ngjarjeve, pasi tani pas ndërtimeve pa cilësi dhe me vjedhje miliona euro siç ka ndodhur te tuneli i Llogarasë apo rruga Qukës-Qafë Plloçë, rrezikohet edhe jeta e qytetarëve.

“Qëndrimi im është standardi mbi të cilin ndikohen institucionet publike, që janë ligjet. Çfarë standardi ka ajo rrugë? Larg qoftë se njerëz jemi, mund të kalojnë njerëzit atje dhe të shembet, edhe unë e ju mes tyre. Bëhet fjalë për atë që u shemb atje në Qukës-Qafë-Plloçë, që u shemb, apo te tuneli i Llogarasë. U nis më 2013 dhe mbaroi pas 12 vitesh, nga 90 mln euro shkoi në 260 milionë euro dhe u shemb. E inauguruan para zgjedhjeve, me daulle e valle, ndërkohë që u shemb. A shkoi njeri të vinte shiritin e të hetohej, është zonë krimi ajo atje. A u verifikua nëse u zbatuan kushtet teknike dhe a u shpenzuan siç duhet paratë”, tha Salianji.

Sipas Salianjit, kalimi në këto rrugë është si “bingo me jetën” dhe strukturat duhet të alarmoheshin:

“Rruga që është bërë by-pass anësor është bërë para se të ndodhë shembja. Pra e kanë bërë këtë by pas që po na ra kalojmë këtej. Si këto raste afër Qafë-Plloçës ke rënie të tjera. Aty bën bingo me jetën. Të jesh në këtë situatë dhe të mos ndërhysh në kohë. Standardi politik është shembur. Dhe i bën ministrat e tjerë të papërgjegjshëm, që thonë nuk iki se më mbron kryeministri”.

Ai denoncoi edhe skandalin e fundit të Triportit të Vlorës, koncesion 60 mln euro që sipas tij i është dhënë një pensionisti, rast i paprecedentë.

“Po a keni parë ju që një pensionist të marrë Triportin e Vlorës, 60 mln euro atje. A keni dëgjuar ndonjëherë, ku ndodh kjo. Bëhet fjalë për portin dhe një pensionist. Kur do veprohet, apo pasi të vidhen paratë dhe të ndodhin ngjarje si ajo e shembjes së rrugëve. Drejtësia duhet t’i parandalojë këto”, u shpreh ish-deputeti.

© Panorama.al

Te lidhura