
Përpara disa ditësh, ma kishte ënda të shihja një film të këndshëm romantik, pse jo dhe me pak doza humori, ku ndihen shenjat e stinës së re. Gjithnjë më kap një dozë trishtimi e doja t’i jepja vetes pak optimizëm. Dhe thashë se e gjeta. Titullohej “I dashuri i ri i mamasë sime” (“My mom’s new boyfriend”) me aktorët Meg Ryan dhe Antonio Banderas. Më pëlqejnë që të dy. Meg më së shumti (përpara se të frynte buzët e të humbiste atë buzëqeshjen prej çapkëneje). Duhet thënë se filmi ishte argëtues. Në film Meg ishte një mama e “çmendur”, e cila pasi kishte rënë me dhjetëra kile në peshë, kishte vendosur të shijonte jetën plotësisht. Një ditë ia beh i biri, punonjës në FBI, i cili është i ngarkuar të spiunojë mamanë e tij, e më së shumti, të dashurin e saj të ri, i cili dyshohet si hajdut dhe trafikant veprash arti. Nuk po ndalem t’ju tregoj më shumë, se ndoshta shumë prej jush dhe e kanë parë. Ajo çka më bëri të shokohem dhe më la në dyzimin mes të qeshurit dhe të qarit ishte një moment kur çifti, bashkë me djalin-agjent shkojnë të darkojnë në një restorant shqiptar. Uau! Në sfond ishte flamuri gjak i kuq me shqiponjën e zezë, madje dhe në tavolinë kishte një flamurth të vogël. “Alkoolit pa doganë” që servirej aty nuk ia kishin
mësuar dot emrin, d.m.th., rakisë. Kënaqësisë që në një film hollivudi shfaqet pak Shqipëri, ia lë vendin me nxitim zhgënjimit. Në sfond dëgjohet një këngë dhe muzikë arabe, ndërsa pranë aktorëve ia behin nja dy çingie të veshura me urupa e veshje, që nuk kanë fare lidhje me kulturën shqiptare. Pak më vonë, kur Banderas duhet të takojë ca tipa të dyshimtë, nga ca dyer të pasme të lokalit dalin një nga një ca njerëz të armatosur, madje edhe një femër me një bebe në një dorë e automatik në dorën tjetër… Kjo ishte Shqipëria sipas regjisorit George Gallo. (Duhet thënë që nuk ishte një nga ata filmat komikë që ngjisin pjesë nga filma të ndryshëm e hiperbolizojnë e satirizojnë gjithçka). Ishte e trishtueshme. Ishte e qartë që regjisori nuk kishte informacionin e duhur dhe të saktë mbi Shqipërinë dhe kulturën shqiptare, madje as s’e kishte marrë mundimin të hidhte një sy në internet, duke qenë se ngatërronte muzikën, gjuhën, veshjet kombëtare. Por ama, veshi ia kishte ndier që shqiptarët i kanë qejf armët… Sigurisht, regjisorë sharlatanë ka kudo, por në fakt kjo është një lloj tërheqje vëmendjeje për të gjithë ata që mendojnë se të gjithë e njohin dhe i kanë sytë nga Shqipëria(!).











