S’merr lejeqëndrimin, Etogo ikën nga Tirana

Sep 10, 2011 | 12:26

Etogo Esama do të largohet nga Tirana. Shkak është bërë leja e qëndrimit, e cila nuk është aprovuar nga Policia e Shtetit. Sipas informacioneve, lojtarit kamerunas i është dhënë dje njoftimi, nëpërmjet drejtuesve të klubit, për skadimin e lejes së qëndrimit dhe pamundësisë për ta rinovuar. Sipas këtyre të fundit, janë bërë të gjitha përpjekjet për zgjidhjen e këtij problemi me policinë, por nuk është arritur në konkluzionin e dëshiruar. Në këtë kontekst, lojtarit do t’i duhet ta mbyllë para kohe aventurën me bardheblutë, edhe pse kontrata që pati firmosur me Tiranën vlente deri në 30 maj të vitit 2012. Sulmuesi i lindur në Nkolmba të Kamerunit, kishte ardhur në formë huazimi nga skuadra e Debrecenit në Hungari. Lojtari shquhej më së shumti për lojën një për një, por në mjaft raste dilte nga skemat e trajnerit Rubio. Ky i fundit, e pati hedhë si titullar që në ndeshjen e parë zyrtare me bardheblutë, ndaj Spartak Trnavës, por më pas rikuperimi i Balës bëri që Etogo të ulej në stol. Veç kësaj, në më shumë se një rast, tekniku spanjoll pati shprehur rezervat e tij lidhur me lojtarin, duke e konsideruar atë si të padisiplinuar.

© Panorama.al

Te lidhura