TIRANE – Gjykata e Tiranës dënoi me burg dhe gjobë një punonjës policie, që i mbajti “peng” kartën e identitetit një qytetari, duke i kërkuar 100 mijë lekë të vjetër në këmbim të moshapjes së dosjes penale. Një trupë gjykuese deklaroi fajtor për veprën e “shpërdorimit të detyrës” disa ditë më parë efektivin Fatmir Allmeta. Ai u dënua me 8 muaj burg dhe 200 mijë lekë gjobë. Referuar vendimit të gjykatës, Allmeta i kishte sekuestruar kartën e identitetit një qytetari, të cilit më parë i kishte thënë se do ta procedonte për vjedhje makinash. Por, sipas gjykatës, i pandehuri i ka thënë qytetarit se nëse i jepte 10 mijë lekë do ta lejonte të shkonte në shtëpi. Sipas vendimit të gjyqtarit Shkëlqim Mustafa, ngjarja për të cilën u deklarua fajtor Allmeta është shënuar më 27 prill 2011 në afërsi të Pazarit të Ri në kryeqytet. Kallëzuesi Elton H. dhe një shok i tij, rreth orës 14:30 të kësaj dite kanë qenë duke ndenjur në rrugë pranë një automjeti të parkuar. Aty i janë ofruar dy punonjës të Policisë, njëri prej të cilëve, i pandehuri Allmeta, sipas gjykatës. Punonjësit e Policisë u kanë thënë të rinjve nëse donin të vidhnin automjetin që po qëndronin aty. “Kallëzuesi i ka thënë punonjësit të Policisë me mbishkrimin ne uniformë ‘Allmeta’ se ato thjesht po bisedonin aty dhe do iknin në shtëpi. Ndërsa punonjësi i Policisë i ka thënë se meqenëse kanë lënë shenjat e gishtërinjve në automjet, ai duhet të shkonte në polici. Punonjësi i Policisë me mbiemrin Allmeta, i cili me pas ka rezultuar të jetë i pandehuri Fatmir Allmeta, i ka marrë kallëzuesit kartën e identitetit, duke i kërkuar gjithashtu dhe shumen prej 10 mijë lekësh të rinj, duke i thënë se në këmbim të lekëve do e linte të shkonte në shtëpi”, thuhej në vendimin e gjykatës. Por, para se t’i paguante “gjobën”, qytetari ka kallëzuar në Prokurori dhe pas një “dorëzimi të stimuluar” të parave, Allmeta është arrestuar në kushtet e flagrancës nga kolegët e tij. Allmeta u gjykua në masën e sigurimit “arrest shtëpie”. a.b











