Rusia ka deklaruar se do të pozicionojë raketat që kanë objektiv Europën, si përgjigje ndaj planeve të NATO-s për të instaluar sistemin e mbrojtjes nga raketat në Europën Lindore. Autoritetet ruse thanë se nuk po e gjejnë dot gjuhën e përbashkët me NATO-n. Ndërkohë, ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s janë mbledhur në samit në Bruksel, ku tema kryesore është rishikimi i disa çështjeve që u diskutuan në konferencën për Afganistanin në Bon. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, tha se “komuniteti ndërkombëtar theksoi përfshirjen e tij afatgjatë në Afganistan në konferencën e Bonit. NATO do të vazhdojë të japë kontributin e saj të plotë. Ne do të vlerësojmë se si mund të ofrojmë mbështetje pas përfundimit të misionit në vitin 2014”, tha ai. Rasmusen komentoi se veprimet e Moskës nuk janë asgjë tjetër veçse harxhim parash. Ai theksoi se sistemi mbrojtës i raketave nuk ka si objektiv Rusinë. Të mërkurën, shefi i Forcave të Armatosura Ruse, gjenerali Nikolai Makarov, deklaroi se vendi i tij po “vihet nën presion” në një garë armatimi kundër mburojës së NATO-s.











