Rusia ka testuar një raketë të re lundrimi me kapacitet dhe fuqi bërthamore, e cila, sipas presidentit Vladimir Putin, është e aftë të shmangë çdo sistem mbrojtjeje ekzistues.
Në një video të publikuar nga Kremlini, Putin shihet i veshur me uniformë ushtarake, ndërsa merr raport nga gjenerali Valery Gerasimov, shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë ruse, lidhur me raketën “Burevestnik”, e njohur nga NATO me emrin “Skyfall”.
Ky test i fundit është pjesë e një sërë provash shumëvjeçare për këtë armë, në kuadër të një mesazhi bërthamor që Moska po dërgon ndaj Perëndimit, teksa refuzon presionet për armëpushim.
Pak informacione janë bërë publike mbi “Burevestnik”-un, ndërsa shumë ekspertë perëndimorë kanë shprehur skepticizëm, duke vënë në dukje se përdorimi i një motori bërthamor mund të jetë tepër i rrezikshëm dhe i pasigurt.
Shtetet e Bashkuara dhe ish-Bashkimi Sovjetik kishin eksperimentuar me raketa të ngjashme gjatë Luftës së Ftohtë, por projektet u ndërprenë për shkak të rrezikshmërisë së lartë.
Putin e kishte bërë publike për herë të parë zhvillimin e kësaj arme në vitin 2018, duke pretenduar se raketa mund të ketë rreze veprimi të pakufizuar dhe të udhëtojë rreth globit pa u zbuluar nga sistemet e mbrojtjes kundërraketore.
© Panorama.al













