Forcat ruse kanë ndërmarrë një sulm masiv me dronë dhe raketa ndaj kryeqytetit ukrainas Kiev gjatë natës, duke shkaktuar të paktën 10 viktima dhe dhjetëra të plagosur, sipas autoriteteve ukrainase, raporton BBC.
Sulmet goditën disa lagje të qytetit, duke detyruar autoritetet të evakuojnë banorët, ndërsa shpërthimet dëmtuan ndërtesa banimi dhe infrastrukturë. Mes viktimave dhe të plagosurve raportohet se ka edhe fëmijë.
Kreu i administratës ushtarake të Kievit, Tymur Tkachenko, akuzoi Rusinë se po synon qëllimisht zonat e banuara.
“Armiku po godet sërish me qëllim zonat e banimit dhe po vret civilë”, deklaroi ai.
Sulmi erdhi vetëm disa orë pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kishte paralajmëruar se Rusia po përgatiste një ofensivë ajrore “masive”.
Në disa zona të qytetit shpërthyen zjarre, ndërsa u dëmtua edhe një stacion ambulancash, ku të paktën një person mbeti në gjendje kritike.
Nga ana tjetër, Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se objektiv i sulmeve ishin infrastruktura energjetike të Ukrainës, duke pretenduar se operacioni ishte një kundërpërgjigje ndaj sulmeve të fundit ukrainase në territorin rus. Megjithatë, autoritetet ukrainase këmbëngulin se sulmet kanë goditur kryesisht zona civile.
© Panorama.al












