Rusi, partia e Putinit fiton zgjedhjet

Dec 5, 2011 | 13:11

Partia e Vladimir Putin dhe Dimitri Medvedev, “Rusia e Bashkuar”, ka fituar zgjedhjet parlamentare të së dielës në Rusi, sipas rezultateve paraprake, por ka pësuar një rënie të ndjeshme në mbështetje. Nga 64 për qind e votave që kishte fituar në zgjedhjet e vitit 2007, duke gëzuar shumicën absolute dhe të gjitha të drejtat për të ndryshuar Kushtetutën e miratuar ligjet, tashmë vetëm 48,5 për qind e votuesve e kanë mbështetur atë. Nëse rezultatet paraprake do të qëndrojnë në këto shifra deri në fund, atëherë partia e Putinit do të ketë në Dumë (Parlamenti rus) 220 ulëse, nga 450 gjithsej (krahasuar me 315 që ka pasur deri tani). Meqë nuk arrin dot dy të tretat e votave, partia e Putinit nuk ka më mundësi të ndryshojë Kushtetutën e vendit. Mbështetja mes rusëve është rritur për komunistët, ndërsa është dyfishuar për qendrën e majtë “Rusia e Drejtë”. Edhe mbështetja për nacionalistët rusë është rritur. Votimi i së dielës u shoqërua me protesta të opozitës, ku kërkohej një sistem demokrat zgjedhor. Rreth 100 manifestues të opozitës u arrestuan në Moskë dhe rreth 70 të tjerë në San Petërburg.

© Panorama.al

Te lidhura