Ruçi: Zgjedhjet e 8 majit, masakër

Sep 6, 2011 | 10:09

Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, në seancën e djeshme të Parlamentit, e akuzoi Kryeministrin Sali Berisha si fajtorin e vetëm të manipulimit të zgjedhjeve të 8 majit.Duke folur pas hapjes së mbledhjes nga kryeparlamentarja Topalli, Ruçi u shpreh se nuk ka arsye për të qenë të nderuar dhe të uronin njeri-tjetrin në këtë sesion të ri të punimeve të Parlamentit. “Nuk kemi asnjë arsye, se jo vetëm zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk bëmë dot, por u dhamë përsëri shqiptarëve ato palo zgjedhje, të cilat i kishin harruar dhe mbase më të këqijat ndër vite. Zgjedhje nga ato që i kishte harruar edhe OSBE/ODIHR-i, nga ato që nuk klasifikohen në asnjë standard, sepse nuk përmbushin asnjë të tillë. Ndaj nuk kemi arsye, pra, as të krenohemi, as të nderohemi e aq më pak të mburremi me ç’kemi bërë”, u shpreh Ruçi. Sipas kreut të deputetëve socialistë, Kryeministri Berisha është fajtori i maksaradës së zgjedhjeve. “Dhe këtu nuk po bëj një lapsus duke folur në shumës. E aq më pak të bëj gabimin të ndaj peshën e fajit, pasi jam i bindur se tashmë nuk ka mbetur më njeri, shqiptar apo i huaj, këtu apo jashtë kufijve, që gishtin e rëndë të përgjegjësitë për zgjedhjet e vjedhura e të manipuluara nuk e drejton nga i vetmi njeri që e meriton dhe, pa dyshim, ky jeni ju, zoti Kryeministër. Ky është Sali Berisha, fajtori publik, politik e personal i masakrës zgjedhore që ndodhi me zgjedhjet vendore të këtij viti”. Në fjalën e tij Ruçi nuk la pa përmendur as kreun e KQZ-së, Ristani dhe gjyqtarët e Kolegjit. “Ristani e bëri detyrën për partinë dhe për këtë u shpërblye me para, e mbase nesër edhe me mirënjohje politike. Por ligji nuk e bëri punën ndaj tij. Vjedhja me zgjedhjet në Tiranë nuk ndaloi dot te KQZ-ja pikërisht pse Drejtësia kishte një shans t’i vinte fre babëzisë së pushtetit manipulues të Kryeministrit me votën e popullit. Drejtësia nuk e kaloi provën e vet të pavarësisë, paanshmërisë dhe ligjshmërisë, por ngeli keq në rrjetën korruptive të pushtetit duke njollosur me turp jo vetëm Sashenkat e Tomkat, por të gjithë trupën e atyre që janë besuar për të dhënë drejtësi në emër të ligjit, jo në emër të Maliqit”, u shpreh Ruçi.
Reagimi i Berishës
Pas fjalës së kreut të Grupit Socialist, Kryeministri Berisha reagoi duke thënë se “m’u duk se Ruçi po lexonte manifestin antikapitalist të radhës, por konstatoj se u gabova, ky ishte vajtimi i një disfate të merituar. Nuk komentohen vajet dhe vajtimet. I uroj opozitës mirëseardhje në Kuvend”, tha Berisha, duke ia lënë radhën Metës e Patozit përpara se të lexonte fjalimin e tij. Në qëndrimin e mbajtur në Kuvend për rreth 25 minuta, kreu i Ekzekutivit iu kthye sërish fjalës së Ruçit duke thënë se “fjala e përfaqësuesit tuaj këtu vërtet ishte një përzgjedhje, një vajtim për atë që shkoi, por unë dua të besoj se sot ne hapim një kapitull të ri në bashkëpunimin maxhorancë-opozitë, në interesin më të mirë si të maxhorancës, ashtu dhe të opozitës e të vendit në tërësi”. Berisha tha se në zgjedhjet e 8 majit iu dha një përgjigje votave të hedhura në kutinë e gabuar, mes të cilave ishte edhe vota e Presidentit Bamir Topi. Sipas tij, në Berat e Gjirokastër këto vota ishin quajtur të vlefshme, ndërkohë që i bëri thirrje opozitës për të bashkëpunuar për reformën zgjedhore. Megjithatë, duke u ndalur te reforma në sistemin e pensioneve, Berisha tha se ajo do t’u takojë brezave të ardhshëm, duke shtuar se pavarësisht kësaj, ai do t’i fitojë edhe zgjedhjet e 2013-s. “Reforma e pensioneve është një nga reformat më të rëndësishme. Të gjitha këto nuk kërkojnë 3/5, por kërkojnë që të gjithë të marrin pjesë në to. Reforma e pensioneve nuk është reformë për këtë qeveri, nuk është reformë as për qeverinë time që do të vijë pas 2013-s, po i fitova zgjedhjet, e do t’i fitoj, dhe po mbajtët ju vajtime të tilla këtu, unë do të fitoj vazhdimisht. Reforma e pensioneve është përgjegjësia jonë ndaj gjeneratës tjetër”, deklaroi Berisha.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura