Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi në fjalën e tij në seancën e parë plenare e quajti kryeministrin, Sali Berisha si “fajtorin publik, politik dhe personal te maskaradës zgjedhore të 8 majit”
“Sikur të kishim bërë punë që na takonte do të ishim të gjithë të nderuar, por jo nuk jemi. Nëse do tu kishim dhënë shqiptarëve zgjedhje të lira e të ndershme do të kishim arsye të uronim njëri- tjetrin. Por nuk kemi asnjë arsye. Jo vetëm zgjedhje që nuk bëmë dot, por u dhamë shqiptarëve ato palo zgjedhje që kishim harrruar, mbase edhe më të këqija. Nga ato që nuk klasifikohen nga asnjë standart, sepse nuk përmbushin asnjë të tillë”- tha Ruçi.
Sipas tij, fajtori publik, politik, e personal i maskaradës zgjedhore, që ndodhi në zgjedhjet për pushtetin vendor të këtij viti, është kryeministri Berisha, duke shtuar se opozita bëri gjithçka që ishte në dorën e saj për të garantuar standarte demokratike.
Për këto arsye, sipas Ruçit, dështimin nuk e ndajmë dot të gjithë, pasi dështuat ju, iu drejtua ai zotit Berisha.
Duke e quajtur mandatin e kreut të Bashkisë së Tiranës, si një mandat të grabitur, Ruçi u ndal në raportin e OSBE/ODIHR, për të cilin tha se, nuk flet fare për standarte.
“Sali Berisha mbylli të vërtetën e 2009-tës për të sajuar atë të 2011. OSBE/ODIHR ishte i qartë, kryeministri nuk mund të bëjë sikur nuk e dëgjon. Maskaradën zgjedhore nuk e mbulon dot me togfjalëshin “transparente dhe konkuruese”- tha ai.
Sipas Ruçit, arroganca dhe babëzia për pushtet nëpërkembi votën e lirë.
“Ne duhet të bëjmë gjithçka për të mos përkeqësuar gjendjen e shqiptarëve. Sot jemi gati për alternativën e shekullit të ri. Do ta bëjmë këtu në parlament, e kudo ku ka shqipatrë. Jemi gati të qeverisim këtë vend. Jemi gati t’i japin një alternativë të re. Rekomandimet e OSBE/ ODIHR është detyrim, reforma nuk mund të mjaftohet me disa ndryshime të vogla. Duhet t’i rikthejmë dinjitetin e munguar KQZ-së”- tha Ruçi
© Panorama.al











