Rubio: Merkato? Do blejmë vetëm në Shqipëri

Dec 23, 2011 | 12:19
Hulian Rubio

Hulian Rubio bën prognozën e Tiranës së tij për këtë fazë të parë. Trajneri i bardhebluve, ndonëse me vështirësi në të folur, për shkak të një viroze, nuk ka nguruar që të prononcohet për mediat, jo vetëm për ndeshjen e sotme kundër Kamzës, por edhe për pushimet, merkaton dhe problemet në këto 12 javë kampionat. Ndonëse nuk jep emra, spanjolli tregon pozicionet ku ai ndien nevojë për ndërhyrje: mesfushë dhe sulm.
Jemi në prag të ndeshjes së fundit për 2011-n dhe Tiranës i duhet të luajë në një fushë të vështirë si e Kamzës. A e vështirëson objektivin e tuaj ky fakt?
Me siguri po. Por unë mendoj se problemi kryesor që ne kemi lidhet me sulmin. Si Morina dhe Bala, lojtarët e vetëm që kemi në dispozicion për këtë repart, nuk janë 100 për qind në formë. Megjithatë, do përpiqemi të bëjmë më të mirën.
Nevojitet fitorja, jo vetëm për të ecur me hapin e Teutës, por edhe për të ruajtur distancën me ekipet që ju ndjekin pas…
Do mundohemi ta marrim trepikëshin, por ato nuk t’i dhuron kush, duhet t’i fitosh.
Mungesa e Dushkut do krijojë përshtjellim në rreshtim?
Do na krijojë shumë probleme, pasi është një lojtar me shumë vlera. Por, do mundohemi të bëjmë lëvizjet e duhura.
A është e vështirë t’i fitosh në Shqipëri ndeshjet jashtë fushe, duke llogaritur terrenin, por edhe trysninë?
Sigurisht që po, por neve na ka ecur mirë. Ndonëse me një grup të cunguar, ia kemi dalë mbanë.
Duro pritet ta jetë alternativa e parë në stol?
Duro është një lojtar më shumë për ne. Mirëpo, ai ka ardhur me vonesë, ndaj nuk e ka formën e duhur fizike. Duhet të përshtatet në stilin e lojës. Asnjë lojtar nuk është i pazëvendësueshëm, pra jo çdo gjë rrotullohet ndaj Duros apo kujtdo tjetër. Vetëm nëse bëhet fjalë për Mesin apo Ronaldon (qesh).
Janari po afron, që do të thotë hapet edhe meraktoja. A mund të na zbuloni diçka, përveç emrave, të paktën rolet?
Dihet se ku janë nevojat e këtij ekipi, pasi të gjithë e keni parë në fushë. Gjatë gjithë fazës së parë kemi luajtur pa një organizator tipik. Mesfushën e kanë mbajtur Karabeci e Taku. Në sulm s’kemi opsione dhe kemi shumë pak eksperiencë. Po ashtu, edhe një mesfushor i djathtë, këto janë nevojat e ekipit. Megjithatë, përpos problemeve dhe mungesave, ne kemi bërë një fazë të parë të shkëlqyer dhe për këtë jam i kënaqur.
Nëse do t’jua ofronin sërish Kërçikun, do t’ju pëlqente?
Gjithnjë më ka pëlqyer si lojtar dhe më erdhi keq që u largua, për më tepër që është edhe i ri në moshë, ndaj ke mundësinë që të punosh me të dhe ta mësosh. Por është herët për të supozuar.
A ka ndonjë organizator që ju pëlqen nga kampionatin ynë?
Po, janë të paktën tre. Por emra nuk mund t’ju jap, të mbajmë dhe ca rezerva. Para disa ditësh më thanë që duhet të votoja tre lojtarë të kampionatit dhe mendoj se nuk është e nevojshme të bësh merkato jashtë, pasi këtu ka futbollistë shumë të mirë.
Planet e Tiranës pas kësaj ndeshjeje?
Presim një herë se kur do fillojë, domethënë kur do të jetë takimi i parë i kupës, pasi deri tani e kam ndërruar tri herë biletën. Mendoj se me 2 do të fillojmë punën, do zhvillojmë një minifazë, këtu në Shqipëri, pasi ta realizosh jashtë nuk është e frytshme, plus është një shpenzim i tepërt edhe për klubin. Reali ndoshta përfiton 3-4 milionë euro, mirëpo një ekip si Tirana mund të humbasë 100 mijë euro.

Rrogat
Rroga ende nuk ka, ndonëse ishte premtuar se të mërkurën, pra përpara festave të fundvitit do të likuidoheshin për tri rrogat e prapambetura. Ky fakt sigurisht që i shqetëson lojtarët, mirëpo tashmë e dinë që duke u mërzitur nuk ndryshojnë asgjë, mundohen ta kthejnë në humor. Në përfundim të stërvitjes së djeshme, disa nga lojtarët bardheblu në formë batute thanë se: “Na mashtruan edhe këtë herë”.

Ndaj Shkumbinit, pa Vajushin e Gocajn
Vllaznia me mungesa, por Vata s’dorëzohet

Rudi Vata nuk i diskuton pikët në Peqin. Trajneri i Vllaznisë shprehet i bindur për një rezultat pozitiv në këtë transfertë edhe pse skuadra do të ketë mungesa të shumta. Vllaznisë do t’i mungojnë jo pak, por tre titullarë. “Vajushi është një lojtar i rëndësishëm për ekipin tonë dhe një mungesë e tillë, natyrisht që ndikon. Po kështu mund të them edhe për Gocajn, i cili është i nevojshëm, megjithatë jam i bindur se ekipi ka forcë për ta përballuar me sukses këtë takim. Lojtarët që do luajnë sot janë të zotët, ndaj besoj te ata”, tha ndër të tjera tekniku për çështjen e mungesave. Vata nuk e ka pasur fort me qejf që para një ndeshjeje të rëndësishme të flasë për lojtarët të cilët kanë mbërritur për provë te Vllaznia. Shkurtazi e ka komentuar: “E kam thënë edhe më parë se jemi të gatshëm për të provuar çdo lojtar që do të vijë për provë. Nuk mund të zbuloj emra, por mund të them se njëri prej tyre ka lënë përshtypje të mirë”.

Dëbora shtyn Skënderbeu-Pogradeci
Është shtyrë ndeshja midis Skënderbeut dhe Pogradecit për një datë të papërcaktuar. Shkak për shtyrjen janë bërë reshjet e dëborës dhe temperaturat nën zero në qarkun e Korçës. Derbi midis dy qyteteve fqinje ishte parashikuar të luhej sot në orën 16:00 dhe të dyja tifozeritë si nga Korça edhe ata nga Pogradeci ishin bërë gati për një atmosferë të bukur në stadium, por kushtet atmosferike bënë që kjo ndeshje të shtyhej.

Superiore
SOT

Tomori-Apolonia    13:00
Dinamo-Bylisi    13:00
Shkumbini-Vllaznia    13:00
Laçi-Flamurtari    13:00
Kamza-Tirana    13:00
Teuta-Kastrioti    16:00
E shtyrë
Skënderbeu-Pogradeci

© Panorama.al

Te lidhura