Një tjetër segment i Rrugës së Arbrit do të fillojë të ndërtohet këto ditë, pas shpalljes së fituesit të tenderit për segmentin nga Ura e Brarit deri në hyrje të tunelit të Qafë-Murrizit. I zhvilluar më datë 8 prill, tenderi kishte si fond limit vlerën 1.94 miliardë dollarë, ndërkohë që edhe oferta e shpallur fituese është po kaq, por pa përfshirë në të TVSH-në. Ky është një nga segmentet që përbëjnë Rrugën e Arbrit, e konsideruar si prioritet për ndërtim nga kryeministri Sali Berisha. Me ndërtimin e kësaj rruge, qeveria synon që të afrojë çdo qytet më afër tjetrit. Rruga e Arbrit, e shpallur si prioritet, ashtu sikurse autostrada Tiranë-Elbasan, do të ketë në përbërje edhe një tunel që është tuneli i Qafë-Murrizit. Në një nga mbledhjet e qeverisë të disa javëve më parë, kreu i qeverisë, Berisha, u shpreh se më të përfunduar projekti për këtë tunel, do të vijohet me procedurat e tjera që lidhen me përfundimin e tij. Projekti për tunelin e Qafë-Murrizit, aktualisht është parashikuar në një kuotë prej 830 metrash dhe po bëhen verifikime të shtresave të përbërjes gjeologjike, në mënyrë që më pas të bëhet tenderimi i tij.











