Rruga “Durrës-Kukës”, ja kushtet e koncesionit

Dec 18, 2011 | 10:47

Firma që do të fitojë koncesionin e “Milot- Morinë”, do të ndërtojë edhe dublimin e rrugës aktuale me dy kalime, “Milot-Rrëshen” dhe ndërtimin e një ure dhe tuneli (nëse lind e nevojshme) në Kukës. Gazeta zbardh sot tenderin e shpallur nga qeveria për dhënien me koncesion të Rrugës së Kombit. Sipas dokumenteve, firma që do të vendosë edhe pagesën për kalimin, do të mirëmbajë të tria segmentet e autostradës. Segmentin e parë, “Milot- Rrëshen”, me një gjatësi prej 26 kilometrash, aktualisht vetëm me dy kalime, segmentin e dytë dhe kryesor, atë “Rrëshen-Kalimash”, me gjatësi 61 kilometra, përfshi edhe tunelin 5.6 kilometra, si dhe segmentin e tretë nga Kalimashi në Morinë. Në kushtet e kontratës, përveç mirëmbajtjes së të gjithë segmentit, janë vendosur kushte për ndërtimin e dublimit të rrugës “Milot-Rrëshen” dhe të një ure dhe tuneli në dalje të autostradës në Kalimash, që bën lidhjen me Kukësin. Parashikohen që investimet për ndërtimin e dublimit dhe të tunelit dhe urës të arrijnë nga 80-100 milionë euro deri në fund të koncesionit, përjashtuar këtu mirëmbajtjen. KONCESIONARI Qeveria po kërkon një kompani të fuqishme financiarisht dhe me eksperiencë në mirëmbajtjen dhe operimin e autostradave të tilla të mëdha. Kriteret financiare specifikohen qartë në kushtet që duhet të përmbushë koncesionari, i cili duhet të ketë pasur të paktën për tri vitet e fundit një fitim neto prej 50 milionë eurosh. Në rast se ofertuesi do të jetë një konsorcium, duhet që kompania më e madhe të ketë pasur fitimin 50 milionë euro, kurse kompanitë më të vogla 30 milionë euro në vit. Është e rëndësishme që kompania të mos ketë pasur asnjë vit performancë negative në bilancet e saj të pesë viteve. Kriteri i eksperiencës është mjaft i rëndësishëm. Kompania duhet të ketë pasur eksperiencë në katër shërbime: operimin e rrugëve me pagesë, mirëmbajtjen e autostradave dhe të urave, operimin me tunele dhe mirëmbajten, ndërtimin e autostradave. Koncesionari duhet që të vendosë një standard performance dhe do të jetë përgjegjës për operimin dhe mirëmbajtjen e autostradës, përfshirë këtu edhe 5.6 kilometra të tunelit të Thirrës, që përbëhet nga dy tunele, operimin e një sistemi të hapur tarifimi për të mbledhur taksën dhe ndërtimin e pjesës së rrugës së mbetur pa përfunduar me dy korsi 26 kilometra e gjatë në autostradë. TENDERI Pritet që hapja e tenderit për shprehjen e interesit të bëhet këtë të hënë. Deri më 15 shkurt është afati i fundit i shprehjes së interesit për kompanitë. Pas kësaj, komisioni do të marrë në shqyrtim dokumentacionin e kompanive nëse ato janë në rregull në aspektin teknik, ligjor dhe financiar. Më datë 24 shkurt pritet që të bëhet edhe anonçimi i subjekteve të kualifikuara për në fazën tjetër të shpalljes së ofertave. Më datë 5 mars pritet që kompanitë të bëjnë edhe ofertat e tyre dhe mbi bazën e kritereve që ka vendosur qeveria, pritet që të zgjidhet edhe kompania që do të mirëmbajë dhe operojë në autostradën Milot-Morinë.

Ministria, gati studimin e rrugës për ofertuesit

Kompanitë që do të shfaqin interesin për koncesionin do të kenë në dispozicion të gjitha studimet e nevojshme, sipas Ministrisë së Transporteve. Së pari, është analiza e trafikut dhe studimi i fizibilitetit, të cilat përfshijnë numërimin e trafikut, intervista me përdorues të rrugës, anketa mbi gatishmërinë për të paguar, intervista me kompanitë e transportit dhe parashikime mbi trafikun dhe të ardhurat. Së dyti, është analiza e qartë e kushteve të autostradës, përfshirë cilësinë e punimit. Së treti, është analiza gjeoteknike, që përfshin vëzhgimin LiDAR të të gjithë kompleksit gjeologjik në të gjitha seksionet e autostradës, imazhe ortofotografikë, teste të nëntokës të detajuara, mundësimin e hartës gjeologjike inxhinierike në shkallën 1:1000 dhe identifikimin, përkufizimin dhe klasifikimin e riskut të të gjitha kryqëzimeve përgjatë autostradës.

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura