Rropullitë pas Presidencës

Jun 15, 2012 | 12:19

GRID RROJI

Tashmë që “ngërçi presidencial” u zgjidh, së bashku me urimet përkatëse për “përfaqësuesin e unitetit kombëtar” na mbetet të analizojmë qetësisht interesat e ngushta të palëve, që çuan në përzgjedhjen e Presidentit Nishani. Ndërsa të gjitha palët festojnë fitoren brenda gardheve të tyre, nga pikëpamja racionale duket qartë që sistemi politik është tashmë në fije të perit dhe siguria që rrezatojnë lojtarët kryesorë është e rreme.  Prurja e procesit deri në raundin e katërt, akrobacitë politike gjatë tij, si dhe distancimi i qartë i faktorit ndërkombëtar nga paria e Tiranës dëshmojnë mungesën e thellë të legjitimitetit të sistemit dhe besueshmërisë të të gjithë aktorëve politikë të tij.
Ka dy mënyra për ta analizuar këtë proces. Në vëzhgimin e ngushtë, në të cilin fatkeqësisht duket sikur ka ngecur edhe pjesa më e madhe e mediave, shumica fitoi dukshëm përballjen me kundërshtarët e saj politikë, të paktën deri në zgjedhjet e 2013-s.
Kështu pra, Sali Berisha fitoi një nëpunës të bindur në Presidencë, i cili, sipas pohimeve të veta, “kishte shkuar për të votuar Artan Hoxhën, por mirëpranoi vendimin politik për ta kandiduar aty për aty”. Ende mbetet për t’u sqaruar si nga Presidenti Nishani, ashtu edhe nga “grupi qëndrestar antikomunist” në PD se si nuk arritën të kandidojnë asnjë person, i cili të mos kishte lidhje të njëfarësojshme me strukturat e vjetra të regjimit komunist.
Nga ana e tij, Ilir Meta me finokëri nuk luajti për vezën sot, por për pulën mot. Në vend që ta kërkonte Presidencën apo prishjen e marrëveshjes elektorale PD-PS, e kësisoj të prishte ekuilibrat oligarkikë aq të çmuar për sistemin, Meta gjeti zgjidhje duke u faktorizuar në të tashmen. Kjo me gjasë do t’i japë atij Ministrinë e Brendshme për zgjedhjet e 2013-s. Të gjithë atyre që nuk janë kujtesë-humbur u kujtohen zgjedhjet e 2001-shit apo 2003-shit me raportet ndërkombëtare përkatëse, ku votat “ruheshin” nga djem të pushkës, të cilët raportonin në Kryeministri. Asokohe (siç është shprehur më vonë publikisht sa për limonadë elektorale) kryeopozitari Berisha i quante ato “klane mafioze që kanë uzurpuar shtetin” dhe rropatej kryeqyteteve europiane me kaseta filmike që faktonin dhunën biblike. Në këtë mënyrë, edhe në qoftë se Kodi Zgjedhor mbetet i njëjtë, Meta është faktor i padiskutueshëm i zgjedhjeve të ardhshme politike sepse do të kontrollojë një aks kyç të mbarëvajtjes së tyre si Ministria e Brendshme.
Ndërsa përkundër zhgënjimit të tifozëve socialistë dhe furisë hakmarrëse të Nanos së lënduar, nga pikëvështrimi i interesave të tij të ngushta, Edi Rama nuk e humbi këtë betejë politike. Megjithëse do t’i kish pëlqyer t’i përçante kundërshtarët dhe të bënte zgjedhje të parakohshme, Rama ishte i ndërgjegjshëm që  një pjesë jo e pakonsiderueshme e deputetëve të tij nuk do ta kishin përkrahur në këtë përpjekje. Në mjedisin politik shqiptar, me përjashtime të pakta, të qenit deputet është një investim i madh financiar, i cili garanton disa privilegje katërvjeçare jo vetëm për deputetin, por edhe për gjithë klanin që e mbështet. Gjithashtu, paaftësia e Ramës për të fituar beteja politike kundër Berishës deri më sot nuk duhet parë si simptomë permanente. Rama ka treguar që kur e drejton betejën në elementin e tij (media dhe imazh), është i aftë t’u rezistojë sulmeve. Duke marrë parasysh dizavantazhin organik (të vetëkrijuar) të të mos qenit drejtues i të tijve në Parlament, zgjedhja e vetme racionale për Ramën ishte të maksimizonte kapitalin në sytë e ndërkombëtarëve duke kërkuar formalisht (pa e dhënë kurrë) dakordësinë. Kësisoj ai beson se ka mundur të kockëzojë pritshmërinë e të huajve për domosdoshmërinë e një rotacioni më 2013-n. Tanimë, parimi udhëheqës i Ramës duket të jetë “i duruari, i fituari”.
Mirëpo, në gjykimin tim kjo lloj analize është e përciptë dhe nuk pasqyron realitetin, por mjegullnajën që ka krijuar politika për të dhënë idenë e kontrollit. Humbësi i madh i këtij procesi ishte sistemi politik, i cili del, nëse është e mundur, edhe më i delegjitimuar. Ka disa arsye që më shtyjnë të dal në këtë përfundim.
Së pari, megjithëse sistemi tregoi qëndrueshmëri gjatë këtij procesi, u panë disa çarje jo të neglizhueshme. Sali Berishës iu desh të kërcënojë deputetët me zgjedhje të parakohshme, i.e. me bukën e gojës, për të garantuar suksesin e një kandidati që duhej të ishte i mirëpritur nga strukturat tradicionale të PD-së. Për një “lider historik” kjo nuk është tregues force. Rama e humbi kapitalin moral të supozuar me darkën e famshme të Lalzit dhe mundësisht e gjen veten të sulmuar nga krahët prej Nanos. Kurse Meta përforcoi perceptimin e një politikani pa bosht ideologjik e të pabesë. Si i tillë, Meta është i dënuar të jetë në pushtet për të mbijetuar politikisht. Kasketat e vjetra, të cilat frymëzoheshin nga prejardhja e tij, vështirë se mund ta kapërdijnë këtë mungesë “partishmërie”.
Këto dobësi strukturore të sistemit nuk garantojnë qëndrueshmërinë e marrëveshjeve publike e të heshtura për arsye se nyjëtimi i interesave respektive nuk çon në zgjidhje, por konflikte. Si pasojë, interesat e politikës nuk përkojnë me interesat e popullit. Një pari e veçuar nga qytetarët nuk mund të mbijetojë gjatë.
Së dyti, por më e rëndësishmja, kriza e pashmangshme ekonomike, e cila sa vjen e po rëndohet, nuk mund të anashkalohet me retorikë politike. As qeveria, e cila trumbeton se kriza shmanget me ndërtime tunelesh me para borxh, e as opozita e kapur nga interesa të njëjta oligarkike nuk kanë programe të mirëfillta për daljen nga kriza. Më keq ende, të gjitha palët janë të bindura se do të kalohet edhe këtë herë me retorikë dhe propagandë për integrim në Europë!
Si përfundim, procesi i përzgjedhjes së Presidentit ishte farsa e zakonshme me të cilën fatkeqësisht duket se shqiptarët janë mësuar. Të gjitha palët morën më të mirën e mundshme për interesat e tyre të ngushta dhe askujt nuk i ra ndër mend të shikojë përtej gardhit të vet. Kjo mendësi katundare, e cila përfaqësohet nga paria e Tiranës, është kundërshtari i vërtetë i interesit të shqiptarëve. Vetëm thyerja e saj me votë do të mundësonte një fillim të ri, të pastër e pa mbeturina toksike nga e kaluara.

© Panorama.al

Te lidhura