
E ndjek Maradona, legjenda argjentinase përfiton 11.8 milionë euro në vit
Zhoze Murinjo është trajneri më i paguar në botë, që kur ai pranoi ofertën e Realit të Madridit. Trajneri portugez përfiton një shifër prej 13.8 milionë eurosh në vit, si rrogë nga klubi madrilen, pa llogaritur të ardhurat që mund të vijnë nga kontratat reklamuese mbi imazhin e tij. Pas portugezit, listën e më të paguarve e vazhdon argjentinasi, Diego Armando Maradona. Në fakt, ishin të shumtë ata që u surprizuan kur mësuan lajmin se legjenda argjentinase u prezantua si trajneri i ekipit arab të Al Uasl. Por, Diego ka pasur plot 11.8 milionë arsye për ta pranuar atë ofertë. Ai është trajneri i dytë më i paguar në botë tashmë, gjithsesi, duhet theksuar se rezultatet me skuadrën e tij nuk kanë qenë ato që priteshin nga sheikët që zotërojnë klubin.
Pep Guardiola – Kur ai u bë trajner i Barcelonës, pjesa më e madhe menduan se ishte një gafë e bërë nga drejtuesit. Pa eksperiencë dhe me një pagë jo shumë të lartë, ai arriti të shumëfishojë jo vetëm trofetë e katalanasve, por edhe pagën e tij. Aktualisht, 41-vjeçari përfiton 10.4 milionë euro në vit.
Fabio Kapelo – E gjithë Anglia i kishte sytë nga ai kur e emëruan në krye të “luanëve”, pasi ishin të etur për suksese. Gjithsesi, prestigji dhe eksperienca e italianit nuk rezultuan aq produktive sa pritej. Tashmë, Kapelo do të luajë shansin e fundit që ka në Europianin e këtij viti, ndërkohë që përfiton 7.2 milionë euro në sezon.
Arsen Venger – Paguhet njësoj si Fabio Kapelo (7.2 milionë euro), por duhet pranuar që intensiteti i punës dhe hallet që i janë dashur të përballojë, kanë bërë që francezi t’i meritojë pak më shumë paratë. Një ikonë e “topçinjve”, që po përballet çdo ditë me vështirësinë financiare të klubit dhe merkaton me kosto të ulët.
Karlo Ançeloti – Sheikët e PSG-së i ofruan një kontratë afatgjatë me 5.8 milionë euro në vit. Kaq mjaftoi për ta bindur teknikun italian, i cili ka në dorë një projekt tepër ambicioz, për ta shndërruar klubin francez në një nga më të suksesshmit në Europë.
Luiz Felipe Skolari – Titulli “Kampion Bote” me Brazilin i dhuroi Skolarit prestigjin e mjaftueshëm për të fituar kontrata marramendëse. Pak kohë më parë, ai ishte trajneri më i paguar në botë, pas rrogës faraonike që merrte në Uzbekistan. Gjithsesi, as tani nuk mund të ankohet, pasi te Palmeirasi përfiton plot 5.2 milionë euro në vit.
Andres Vilas Boas – Çelsi nuk po shkëlqen, por trajneri portugez nuk ka pse të mërzitet aq shumë. Me 5.1 milionë euro në vit, ai është trajneri i tetë më i paguar në botë. Pa llogaritur edhe faktin që blutë e Londrës paguan edhe 15 milionë euro për ta “blerë” nga Porto.
Aleks Ferguson – Legjenda e “djajve të kuq” përfiton 4.7 milionë euro në vit dhe duket shumë pak, po ta krahasoh me sukseset apo prestigjin e tij, dhe me trajnerë të tjerë. Gjithsesi, me rinovimin e kontratës, paga e tij pritet të shkojë 7.8 milionë.
Roberto Mançini – Dhjetëshen e trajnerëve më të paguar në botë e mbyll tekniku italian i Mançester Sitit. Aktualisht ai përfiton 4.5 milionë euro në vit, gjithsesi janë në negociata për rinovimin e kontratës, e cila parashikon jo më pak se dyfishim të pagës aktuale.
© Panorama.alFergusoni “i pavdekshëm”, do rinovojë kontratën
Aleks Fergudon ka menduar disa herë për t’i dhënë fund karrierës së tij si trajner, por nuk e ka edhe aq të lehtë që ta marrë këtë vendim. Trajneri legjendar i Mançester Junajtid do të qëndrojë edhe tri sezone të tjera në krye të klubit, pasi i është ofruar rinovimi nga familja Glejzërs. Aktualisht, Sër Aleks përfiton 4 milionë sterlina në vit, por me kontratën e re ai do të përfitojë 6.5 milionë, plus 1 milion të tjerë në varësi të triumfeve që mund të arrijë ekipi. “Kjo mund të jetë kontrata e fundit që Aleks Ferguson mund të firmosë dhe ne kemi vendosur t’i bëjmë një rritje prej plot 60%, krahasuar me rrogën që ka aktualisht. Është një shpërblim jo vetëm për sukseset dhe aftësitë e tij, por edhe si falënderim për besnikërinë dhe kohën e gjatë që ka kaluar me Mançester Junajtid”, është shprehur zëdhënësi i familjes Glejzërs.











