A e tronditën botën rrjedhjet e informacioneve nga kabllogramet e Shteteve të Bashkuara? Kësaj pyetjeje kërkojnë tanimë t’i japin përgjigje anekënd globit politikanë e gazetarë, historianë e akademikë, diplomatë e ekspertë të marrëdhënieve ndër-kombëtare, profesionistë të mediave dhe teknologjisë së informacionit. Ende pa i tretur mirë rrjedhjet që vazhdojnë të furnizojnë me informacione mediat e botës mbarë, diskutimi ka kaluar tek impakti ose ndikimi i tyre në botën e gjithsecilit dhe të gjithëve bashkë: në botën e sotme dhe atë të nesërme. Përgjithësisht ajo që besohet është se të gjithë botët janë prekur në një mënyrë ose në një tjetër nga WikiLeaks, që nga bota amerikane e deri tek kjo bota jonë e vogël në Shqipëri.
Mirëpo në këtë histori ka edhe një kredo tjetër, me anë të së cilës përligjet deri edhe ndalimi e censurimi i publikimeve të kabllogrameve, gjë që ka ndodhur në regjimet e mbyllura, ndërkohë që edhe në regjimet më të hapura e demokratike ithtarët e shenjtërimit të sekretit shtetëror apo mbrojtësit e puritanizmit etik në gazetari militojnë për zvogëlimin apo zhurmimin e këtyre rrjedhjeve informative. Edhe pse nuk mund të ketë mendje të lira që ndihen pranë versionit të ndalimit apo censurimit, nuk mungojnë ndër ta ata që kanë zgjedhur t’i shohin me lente zvogëluese këto zhvillime. Në të dyja këto raste kemi të bëjmë me qëndrime që përputhen ose afrohen shumë me versionet shtetërore ose zyrtare në lidhje me çështjen në fjalë. Duket qartë se versioni i injorimit, zvogëlimit dhe nxjerrjes si pa domethënie të përmbajtjeve specifike ose në tërësi të Wikileaks, nuk është gjë tjetër veçse pozicioni shtetëror ose zyrtar i “të përfolurve” më të mëdhenj, ndaj rreshtimi në këtë kamp sikur të komprometon, edhe pse mund të mos ketë gjithnjë për motiv dashurie pushtetin dhe politikën.
Praktikisht, injorimi zyrtar nuk është gjë e vogël dhe, nga ana tjetër, as ai në vetvete nuk mund të injorohet si influencë në botën amerikane, në botën shqiptare dhe kudo. Por mbretërimi i versionit ose interpretimit zyrtar në hapësirën publike nuk është asnjëherë shenjë e mirë. Aq më pak kur bëhet fjalë për rrjedhje informacionesh që komprometojnë rëndë të zgjedhurit tanë për të na qeverisur e për të na dhënë llogari. Pas një maratone të shkurtër në shtypin e përditshëm, WikiLeaks nuk po rrjedh më asnjë pikë në Shqipëri. Asnjë rrjedhojë konkrete si dorëheqje apo ndreqje pas gjithë atyre rrjedhjeve që në mos na thanë gjëra krejtësisht të reja, zgjatën ose thelluan ato që dinim nga pak që më përpara për personazhet tanë të politikës. U konfirmua hapur edhe opinioni i brendshëm i SHBA-ve për ta. Aq më mirë për opinionin tonë publik, që mësoi se si i sheh politikanët tanë bota tjetër. Mirëpo, pas publikimeve të WikiLeaks nuk u shfaq asnjë rrjedhojë në horizont si drojë apo rëndim moral për të akuzuarit e të përfolurit nga të dyja kampet politike. Vetëm pakëz protagonizëm i padëmshëm, gratis nga Wikileaks, për mirë apo për keq, pak rëndësi ka. E rëndësishme ndonjëherë është edhe thjesht të përmendesh, sidomos në një kabllogram të SHBA-ve.
Përtej peizazhit politik, vështirë të gjesh rrjedhoja të WikiLeaks edhe për peizazhin mediatik shqiptar. Si gjithnjë, edhe në raste të tjera akuzash e aferash të bëra publike nga palë të tjera jashtë mediave, asnjë rrjedhojë në formën e investigimeve të mëtejshme, vetëm zvogëlime apo ekzagjerime të përmbajtjeve të rrjedhura nga kabllogramet e SHBA-ve për Shqipërinë. Televizioni ka bërë edhe më pak se shtypi i shkruar në këtë drejtim, edhe pse është në misionin e gazetarit që të kërkojë zbulimin dhe jo fshehjen e dokumenteve, fakteve, informacioneve, por edhe të garantojë ose të lehtësojë diskutimin dhe interpretimin e tyre. Asgjë e ngjashme nuk po kalon në mediat shqiptare. Duket sikur jetojmë në mbretërinë e injorimit dhe fshirjes së gjithçkaje, pa kurrfarë rrjedhoje… WikiLeaks-i le të rrjedhë!
© Panorama.al












