Rritja ne korrik, Pensionet, PS: U ndanë 10 milionë usd më pak

Jul 14, 2012 | 11:54

Ilir Beqja, dje gjatë konferencës për shtyp

Sekretari i PS për Programin: Rritja, më e ulët se niveli zyrtar i inflacionit, Qeveria shkeli ligjin, u ka borxh pensionistëve.

Partia Socialiste akuzoi dje Qeverinë se ka shkelur ligjin, duke i rritur pensionet më pak se sa niveli zyrtar i inflacionit, që është i detyrueshëm me ligj. Sekretari për Programin në Partinë Socialiste, Ilir Beqja, gjatë një komunikimi me gazetarët, tha dje se ligji i vitit 2006 i kësaj qeverie e detyron atë që të indeksojë pensionet çdo vit sipas normës së inflacionit, ndërsa rritja që iu bë tani pensioneve është më e ulët se niveli i inflacionit. “Thjesht, po të merren shifrat e INSTAT-it, pra duke marrë atë shtrenjtim të grupeve të ndryshme të mallrave dhe të shërbimeve, aq sa mat INSTAT-i për të gjithë, por duke ekzekutuar peshën specifike të vendimit të vitit 2006, pra inflacioni për pensionistët është 4.3%. Që nga ky moment, rritja në qytet me 4% e para dy javëve nuk ka kaluar as inflacionin. As indeksimin rritja në qytet nuk ka mundur ta realizojë, ndërkohë që indeksimi është detyrim ligjor”, tha Beqja. Sipas sekretarit socialist për Programin, kur PS të jetë në pushtet, “pensionistët kanë të drejtën e tyre që të përfitojnë rritje të të ardhurave në po atë masë sa ç’është rritja ekonomike e vendit. Në qoftë se rritja ekonomike nominale e vendit ka qenë vjet 5.8%, nuk ka pse rritja e pensioneve të ishte 4%”, tha Beqja. Sipas tij, edhe rritja me 4 për qind që ka shpallur qeveria, në rastin e qytetit prek vetëm njërin nga dy zërat e pensionit, vetëm atë të pensionit minimal, pa ndryshuar kompensimet. Kjo, sipas sekretarit të PS-së, bën që në total pagesa për pensionistët të mos rritet me 4 për qind, por vetëm 3.4%. Por, sipas PS, të ardhurat e pensionistëve janë akoma më të ulëta edhe për shkak se zbatimi i ligjit për indeksimin e të ardhurave është bërë 6 muaj me vonesë, duke krijuar një deficit edhe më të madh për ekonomitë e pensionistëve. “Kemi rritje me 6 muaj me 3.4, Ligjërisht duhet të kishim rritje për 8 muaj me 4.3%. Kjo e thellon akoma më shumë borxhin, që për të zbatuar detyrimin ligjor dhe për të ruajtur fuqinë blerëse të parave të pensionit të vitit të kaluar hendeku deri në fund të vitit do të shkojë 1890 lekë për një pensionist, ose do të thotë për këtë vit 41% më pak se detyrimi ligjor. Qeveria, me gjithë rritjen që ka bërë, u ka borxh pensionistëve 10 milionë dollarë për të ruajtur nivelin e jetesës të vitit 2011”, tha Beqja.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura