Rritja e çmimit të dritave “BiznesAlbania” kundër ERE

Dec 21, 2011 | 12:16
Presidenti i “Biznes Albania”, Luan Bregasi

Rritja e çmimit të dritave me 15 për qind për bizneset gjatë orëve të pikut nuk është pritur mirë nga ky komunitet. Një ndër organizmat më të mëdhenj të biznesit në vend, pjesë e së cilës janë grupimet më të rëndësishme të disa sektorëve, BiznesAlbania ka ngritur e para zërin për këtë vendim të Entit Rregullator të Energjisë, duke e kritikuar atë. Presidenti i kësaj shoqate, Luan Bregasi, tha dje se ky shtrenjtim i energjisë për biznesin nuk e ndihmon këtë të fundit, madje e vë në një pozicion akoma dhe më të vështirë nga ai ku gjendet sot për shkak të krizës. Bregasi thekson se vendimi i ERE-s jo vetëm që nuk mund të përkrahet, por duhet të shihet me kujdes, pasi saktësia e matjes së energjisë në orët e pikut vihet në pikëpyetje. “Koncepti i çmimit pik, që është vënë për sipërmarrjen private, përveçse financiarisht është një ngarkesë shumë e madhe, por nga ana tjetër është një problem shumë i madh mënyra e matjes dhe e kontrollit të këtij çmimi pik në periudhat që i ka vendosur ERE. Nuk mund të ngresh çmimin e energjisë elektrike për biznesin në periudha të vështira ekonomike, siç kaluam në vitin 2011 dhe siç pretendohet për shkak të krizës së eurozonës, të jetë edhe viti 2012”, shprehet Bregasi. Presidenti i BiznesAlbania thekson që biznesi në kohëra të tilla duhet të përkrahet dhe jo “të sakrifikohet” për hir të borxheve që kompania e shpërndarjes CEZ mund të ketë me shtetin apo me operatorët e tjerë të tregut. “Ne mendojmë që problemet që ka CEZ-i me operatorë të tjerë, shtetërorë apo privatë, probleme borxhesh të kaluara apo të tashme, nuk mund të shkarkohen në kurriz të të tjerëve, në kurriz të sipërmarrjes vendëse. CEZ-i duhet të realizojë kontratën që ka nënshkruar me shtetin tonë”, vlerëson presidenti i BiznesAlbania. Ky reagim vjen vetëm pak ditë nga vendimi që mori Enti Rregullator i Energjisë, i cili la të pandryshuar çmimin fundor të energjisë për konsumatorët, por rriti me 15 për qind çmimin për orët e pikut. Çmimi këtë herë u është rritur edhe furrave të bukës, të cilat pothuajse çdo vit kanë qenë të përjashtuara nga rritjet, në mënyrë që impakti i kostos më të lartë të mos shkarkohej tek konsumatori. Kjo ka qenë rritja e vetme që ka përfituar kompania CEZ Shpërndarje dhe tashmë është deklaruar kundër këtij vendimi, por duket se kundër vendimit të ERE-s është tani dhe biznesi.

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura