Rritet çmimi i ujit për katër qytete

Dec 26, 2011 | 10:00

Tarifat e miratuara për familjarët, institucionet dhe bizneset.

Nga data 1 janar 2012, për disa qyt-ete në vend faturat e ujit do të jenë “më të kripura”. Enti Rregullator i Ujit përgjatë dhjetorit ka miratuar tarifat e reja për Tiranën, Durrësin, Shkodrën, Lezhën dhe Mirditën. Rritja e çmimit të ujit vjen pas konsultimit të performancës që kanë pasur ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve në Entin Rregullator të Ujit, duke argumentuar edhe kërkesat e tyre për rritje të çmimit. Rritja graduale e tarifave vjen edhe pas raportit të Bankës Botërore të para pak kohëve, e cila sugjeronte rritje të çmimit të ujit, pasi ndërmarrjet kanë probleme financiare. Raporti vërente se bilancet shpeshherë negativë të ndërmarrjeve të ujësjellësit në vend krijojnë shpesh gropë financiare, çka i bën këto ndërmarrje të varura te subvencionet. Pavarësisht rritjes së tarifave që ka miratuar ERRU, për një pjesë të mirë të ndërmarrjeve duket se eficienca e tyre është larg të qenit mirë. “Përqindjet e larta të ujit që nuk sjell të ardhura, nga ana tjetër shkaktojnë neglizhimin e mirëmbajtjes dhe amortizimin e përshpejtuar të aseteve. Edhe për Entit Rregullator të Ujit është politikisht e vështirë të aprovojë rritje sinjifikative të tarifave në kompani kaq ineficiente. Prapë kompanitë kanë nevoje për tarifa më të larta për të rritur likuiditetin e tyre që të paguajnë për kostot e operimit, përfshi dhe mirëmbajtjen preventive”, thuhet në raport. Pra, në dukje problemi nuk është se nuk janë rritur tarifat, por se janë rritur maksimalisht kostot”, thuhet në raport
Tarifat
Enti Rregullator i Ujit miratoi rritje të çmimit për ujin në kryeqytet, por jo në masën që kërkoi Ujësjellës-Kanalizimi Tiranë. Kërkesat për rritje të tarifave janë miratuar edhe për qytete të tjera. Kështu, për Durrësin konsumatorët familjarë nga një janari i vitit 2012 do të paguajnë 58 lekë për m3 ujë, ndërkohë që aktualisht paguajnë 45 lekë për m3 ujë. Shtrenjtim do të ketë edhe për institucionet buxhetore, të cilat deri tani paguanin 90 lekë për m3 ujë dhe nga fillimi i janarit do të paguajnë 110 lekë për m3 ujë. Subjektet private do të kenë një rritje nga 110 lekë për m3 ujë në 120 lekë për m3 ujë. Një tjetër qytet ku shtrenjtohet uji është edhe Shkodra. Nëse deri më tani një m3 ujë paguhej 35 lekë për konsumatorët familjarë, tashmë nga fillimi i vitit të ardhshëm do të paguhet 40 lekë për m3 ujë. Institucionet buxhetore do të paguajnë 110 lekë për m3 ujë nga 95 lekë që paguanin deri tani. Subjektet private gjithashtu do të kenë fatura më të shtrenjta, ku nga 100 lekë për m3 që paguhet aktualisht, nga janari do të paguhet 110 lekë për m3 ujë. Ndërmarrja e Ujësjellësit të Lezhës ka aplikuar gjithashtu për tarifa të reja, të cilat Enti Rregullator i Ujit i ka miratuar. Nga data 1 janar 2012 konsumatorët familjarë në Lezhë do të paguajnë 50 lekë për m3 ujë, institucionet buxhetore do të paguajnë 115 lekë për m3 ujë, kurse entet private 120 lekë për m3 ujë. Mirdita është qyteti i fundit për të cilin Enti ka miratuar tarifa të reja. Kështu, konsumatorëve familjarë do t’u faturohet çdo metër kub ujë 30 lekë, ndërkohë që institucionet buxhetore do të paguajnë 100 lekë për m3 ujë, subjektet private 115 lekë për m3 ujë. ERRU gjithashtu ka miratuar edhe tarifat për ujërat e ndotura, që lidhet me pjesën e kanalizimeve të menaxhuara nga katër ndërmarrjet të cilat kishin aplikuar për tarifa të reja.

70 per qind
e të ardhurave që duhet të mblidhen nga faturat e ujit shpesh nuk arrin të shkojë në arkën e disa ujësjellsave. Ky sipas Bankës Botërore është treguesi më i keq i eficiencës së një ndërmarrjeje

58 leke/m3
do të jetë çmimi i ri i ujit për qytetarët e Durrësit nga data 1 janar 2012, sipas vendimit të ERRU. Aktualisht, kjo tarifë për konsumatorët familjarë të këtij qyteti është 45 lekë për m3 ujë të harxhuar

40 leke/m3
ujë do të jetë tarifa e re e miratuar nga Enti Rregullator i Ujit për konsumatorët familjarë në Shkodër. Aktualisht në këtë qytet tarifa e ujit për këtë kategori është 35 lekë për m3 ujë të harxhuar

Institucionet
Ujë i pijshëm                 Ujërat e ndotura

Durrës

Konsumator familjar            58 lek/m3                     15 lek/m3
Institucione buxhetore         110 lek/m3                    20 lek/m3
Ente private                       120 lekë/m3                   20 lek/m3
Pagesa rregullatore 1% e të ardhurave vjetore të llogaritura

Shkodër

Konsumator familjar            40 lek/m3                     15 lek/m3
Institucione buxhetore         110 lek/m3                    20 lek/m3
Ente private                       110 lekë/m3                   20 lek/m3
Pagesa rregullatore 0,8 % e të ardhurave vjetore të llogaritura

Lezhë

Konsumator familjar:            50 lek/m3                      12 lek/m3
Institucione buxhetore:     115 lek/m3                      16 lek/m3
Ente private:                       120 lek/m3                     20 lek/m3
Shitje uji me shumicë             26 lek/m3
Pagesa rregullatore 1 % e të ardhurave vjetore të llogaritura

Mirditë

Konsumator familjar:             30 lek/m3                    10 lek/m3
Institucione buxhetore:      100 lek/m3                   15 lek/m3
Ente private:                         115 lek/m3                  15 lek/m3
Pagesa rregullatore 0,8 % e të ardhurave vjetore të llogaritura

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura